Hitlerin e shpjegon më mirë Politika sesa Historia

Kush ishte Adolf Hitler? Pse dhe si erdhi në pushtet një anonim si ai, një austriak me origjinë nga Bohemia, pa asnjë të dhënë familjare dhe personale për një karrierë politike? Si hyri në historinë botërore një person si Adolf Hitler, i aftë të katalizojë trashëgiminë gjermanike, europiane dhe prusiane në një mishelë unike ideo-politike të ekzekutuar me rigorozitet të paprecedentë?
Pyetje si këto tradhëtojnë nevojën tonë për të mistifikuar njerëz, veprimet e të cilëve tejkalojnë shtatin e tyre intelektual dhe nuk administrohen mirë në mënyrë racionale. Ose brenda termit abstrakt të “ligjësisë historike”. Megjithatë, Adolf Hitler ishte një njeri që ndoshta kuptohet më mirë duke interpretuar në mënyrë racionale ardhjen në pushtet, potencialin e të cilit ai e shfrytëzoi në mënyrë më radikale, brenda ansamblit historik të sipërpëmendur duke imagjinuar një kurs historik të devijuar nga armiqtë e Gjermanisë.
Në një artikull që publikohet së afërmi në kopje fizike në revistën “The Atlantic”, Timothy W. Ryback, historian dhe drejtor i Institutit të Hagës për Drejtësi dhe Pajtim, trajton pikërisht këtë moment kyç të karrierës së Hilerit, që është me gjasë edhe ai çast ku u shkrua historia që erdhi më pas.
Ryback na thotë se Adolf Hitleri e çmontoi demokracinë gjernmane të Republikës së Vajmarit në 1 muaj, 3 javë, 2 ditë, 8 orë dhe 40 minuta.
Minutat siç do ta shohim patën rëndësi
nënvizon ai.
Pas Puçit të Birrarisë në Bavari, Adolf Hitleri bëri të vetën një strategji tjetër: ai do të kërkonte pushtetin me mjete legale dhe do të asgjësonte demokracinë me rrugë kushtetuese.
Gjatë një betimi ligjshmërie – Legalitätseid - para Gjykatës Kushtetues në shtator të vitit 1930, duke invokuar nenin 1 të Kushtetutës së Vajmarit që sanksiononte se qeveria ishte vullnet i popullit, ai informoi gjykatën se sapo të merrte pushtetin me mjete ligjore, do të përshtaste qeverinë siç e mendonte.
Pra përmes mjeteve kushtetuese? Pyeti kryetari.
Jawohl! – u përgjigj Hitleri
Në vitin 1925 ai kishte shkruar “Mein Kampf” ku e shpallte veten një misionar për Gjermaninë. Në vitin 1930 ky misionar këmbëngulte për rrugën kushtetuese. Pse? Përgjigja e kësaj pyetjeje ka rëndësi madhore në dritën e ngjarjeve të vitit 1932-1933. Si fillim duhet thënë se sipas avokatit privat të tij dhe strategut kryesor ligjor, Hans Frank:
Adolf Hitler kishte një kapacitet të pazakonshëm për të ndier dobësinë potenciale të brendashkruar në çdo formë formale të ligjit, për ta shfrytëzuar mandej atë në mëyrë të pamëshirshme
Në shtator të vitit 1930, nazistët morën 107 vende në Parlament, 9 herë më shumë se zgjedhjet paraprake.
Në korrik 1932, ata morën 230 vende. Ende larg shumicës me vetëm 37%. Por kjo shifër varet si lexohet. Hitler e lexonte kështu në një deklaratë për një gazetar amerikan:
37% përfaqëson 75% të 51%
duke aluduar se ai zotëronte shumicën brenda një shumice të thjeshtë koalicioni. Një mesazh i qartë se ai kërkonte pushtet absolut dhe e bëri të qartë këtë me kërkesën për një “ligj të fuqizimit” që do të eleminonte ndarjen e pushteteve që në fakt kërkonte 2/3-at e votave në Reichstag. Ryback vendos kronomentrin e historisë që në atë moment kalonte nga pulsi psikologjik i një njeriu të vetëm.
Në orën 11:30 të asaj të hëne si kancelar ai u betua të mbronte Kushtetutën, mandej kapërceu rrugën për në hotel “Kaiserhof” për drekë, u rikthye në Kanceleri për një foto me qeverinë, që u pasua nga takimi i parë formal me 9 ministrat e tij, saktësisht në orën 5 pasdite
Pasi bëri të qartë se synonte të zëvendësonte zyrtarët e lartë me besnikë ai kaloi te ligji në fjalë që do t’i jepte autoritetin e duhur për të mbajtur premtimet ekonoike dhe sociale. Në atë moment socialdemokratët dhe komunistët së bashku kishin 221 vende, 38% nga 584 vende në Reichstag, ndaj edhe 2/3-t ishin matematikisht të pamundura
Si donte ta arrinte këtë?
Së pari me nxjerrjen jashtë ligjit të komunistëve, por Hitleri e dinte se një gjë e tillë do të çonte në grevë kombëtare të organizuar nga 6 milionë komunistë duke çuar në kolaps ekonomik.
Çfarë përfaqëson rrezik më të madh për ekonominë? Pasiguritë dhe shqetësimet e lidhura me zgjedhjet e reja apo një grevë e përgjithshme? Zgjedhjet e reja janë shtegu më i sigurtë
tha ai.
Ndonëse u kundërshtua nga ministri i Ekonomisë, Alfred Hubenberg – një nacionalist që kishte marrë 14 vende në zgjedhjet e fundit, ai vazhdoi përpara në përmbushje të premtimit “për të tharë kënetën parlamentare”.
Një tjetër aspekt që ilustron se kemi të bëjmë me një strateg të pushtetit është fakti se në atë takim Hitleri pyeti nëse ushtri mund të përdorej në protesta, por u kundërshtua nga ministri i Mbrojtjes Ëerner von Blomberg që deklaronte se ushtria ishte stërvitur për të qëlluar armiqtë e huaj. Ditën tjetër ai njoftoi zgjedhjet e reja duke shpallur se “Partia NancionalSocialiste e di se qeveria e re nuk është një qeveri NacionalSocialiste edhe pse është e vetëdijshme se mban emerin e liderit të saj Adold Hitler”.
Ai po i shpallte luftë qeverisë së vet
vijon Ryback.
Kur do të fitonte zgjedhjet sërish, ai do të cakotnte Goering si Ministër të Brendshëm në Prusi që kapte 2/3-t e territorit gjerman, që nga ana e vet urdhëroi me dekret që SA-të të shërbenin si Ndihmës-Polici me uniformën e vet duke vënë në praktikë pa pasoja legale përdorimin e armëve ndaj protestuesve komunistë. Është gati e pabesueshme sesi një njeri që është identifikuar me Padurimin dhe veprimin mbi intuitë të ndërtojë taktikë politike kaq rigoroze dhe me kaq durim. Sërish Hans Frank vjen në ndihmë për të kuptuar nga një kënd ndryshe personin që më pas do të shpallej Fyhrer:
Ai ishte një njeri që ishte i mundshëm në Gjermani vetëm saktësisht në atë moment. Ai erdhi saktësisht në këtë periudhë të tmerrshme tranzitore kur monarkia kishte ikur dhe kur republika nuk ishte ende e sigurtë. Sikur paraardhësi i tij Kurt von Schleicher të qëndronte në zyrë edhe për 6 muaj apo sikur presidenti Paul von Hondenburg të ushtronte të drejtat e tij kushtetuese më juridikisht, apo edhe sikur një fraksion i konservatorëve të moderuar në Reichstag të votonin ndryshe, historia do të kishte kurs tjetër
Kjo na tregon se ardhja e Hitlerit në pushtet nuk u determinua nga rrethanat historike objektve, por nga vendimet njerëzore që mund të ishin fare mirë objektivisht ndryshe. Ose ndryshe: shpjegimi determinist është më i thjeshtë nga realiteti i ngjarjeve. Aq e vërtetë është kjo saqë vetë Hitleri iu shpreh paraardhësit të tij se:
Jeta kishte qenë e çuditshme me të: e kishte shpëtuar kur ai vetë kishte hequr dorë
Në zgjedhjet e vitit 1932 ai humbi 2 milionë vota. Në dhjetor lëvizja e tij ishte e falimentuar në aspektin financiar, politik dhe ideologjik. Hitleri u shprehej bashkëpunëtorëve të afërt se ai kishte menduar shumë vetëvrasjen. Por në janar të vitit 1933 kancelari Schleicher dha dorëheqje për shkak të disa marrëveshjeve në prapakuintë. Në skenë hyn Adolf Hitler me një qeveri armiqsh mes të cilëve ish-kancelari Franz von Papen si zv.kancelar.
E teksa Hitleri përplasej me Hugenberg për zgjedhjet e reja, von Hindenburg do kishte ikur nëse sherri mes tyre do të vazhdonte ende, dëshmi kjo e Otto Meissner, shef kabineti i presidenti. Në një situatë me koniunkturë kaq të luhatshme ai zgjodhi Wilhelm Frick si ministër të Brendshëm dhe Hermann Göring si ministër pa Portofol të cilëve u dha detyra specifike: goditje ndaj lirisë së fjalës, procesit të drejtë, referendumit dhe të drejtave të landeve.
Frick mbikëqyrte sistemin federal dhe ai shpalli nevojën për stabilitet, ndërkohë që Goering iu përvesh punës për të çmontuar bastionin e socialdemokratëve, Policinë Prusiane. Në shkurt të vitit 1933, ai hyri në zyrën e kreut të policisë prusiane, Rudold Diels duke kërkuar që të niste pastrimi. U njoftua “dekreti i hapjes së zjarrit”
Këto lëvizje ishin decizive për atë që po vinte. Hitleri ndodhej në pozitë delikate dhe nën një sulm mediatik të jashtëzakonshëm lidhur me premtimet e tij. Përfshirë politikat proteksioniste ekonomike që rezultuan shumë komplekse. Puna arriti deri aty sa po diskutohej “ekzistenca e vendit”. Më 25 shkurt të vitit 1933 u shfaq një artikull me titull: Edhe sa?, tregues i tensioneve maksimale. Çdo gjë dukej se shkonte kundër Hitlerit, por më 27 shkurt, Reichstag u dogj.
Më 5 mars u mbajtën zgjedhjet që i dhanë nazistëve 44% të votave që u lexua nga vëzhguesit si një “dëshirë e gjermanëve për t’iu dorëzuar sundimit autoritarist kur ata kishin një alternativë demokratike”. Strategjia e tensionit kishte dhënë efekt maksimal.
Një ditë më pas SA-të nisën sulmet ndaj zyrave shtetërore. Otto Wels, kreu socialdemokrat iku në Zvicër, pas tij ministri presidenti i Bavarisë, Heinrich Held, dhjetëra mijëra kundërshtarë u morën në ruajtje.
Hindenburg qëndroi në heshtje. Ai nuk e thirri kancelarin e ri t’i kërkonte llogari për ngjarjet e dhunshme. Ai nuk ushtroi kompetencat që kishte nga neni 53 i Kushtetutës. Ai pranoi kërkesën e Hitlerit për një qeveri të re, me portofole si ministria e Iluminimit Publik dhe Propagandës. Ministri ishte Goebels. Një javë më vonë, Hindenburg takoi Hitlerin në publik. Po ai president, hero i Luftës I Botërore, që në gusht të vitit 1932 deklaronte se detyra më e rëndësishme që mund t’i akordonte Hitlerit ishte ajo e kreut të Postës, për t’i dhënë mundësinë që ta lëpinte në bythë në pullat postare me imazhin e vet.
Ish-Marshalli i Këmbësorisë dhe kapteri bohem shtrënguan duart
shkruan autori.
Që shton se më 21 mars, u njoftua dekreti nr. 48 që amnistonte të gjithë nacionalsocialistët për aktet e tyre, përfshirë vrasjen. Kampi i parë i përqendrimit u hap atë pasdite në Oranienburg. Më tej është histori pak a shumë e njohur.
Në radhën e këtyre ngjarjeve që ilustrojnë një rast eksplicit të minimit të demokracisë, mund të pyetet si zhvillohet historia? Si erdhi Hitleri në këtë pikë sa të realizonte në pak javë një operacion të tillë subversioni dhe përmbysjeje? Një përgjigje është se demokracia ushtron një pushtet simbolik përmes institucioneve që priren të shfaqen si imanente. Por gërryerja e tyre është më e lehtë sa mund të mendohet. Por në këtë konteskt nuk ka detyrimisht diçka determinuese nga historia.
Një tjetër drejtim është ta shohësh Hitlerin si një mjeshtër të rrallë të luftës psikologjike: ai i paralizoi kundërshtarët e tij, nuk u la kohë për iniciativë. Dyshimi këtu është se në polarizime aq të mëdha, mjetet kushtetuese dhe ligjore nisin e dalin nga aparati receptiv i analizës faktike që i sugjerohet veprimit politik, duke kërkuar ose konfrontimin që është në thelb asgjësim i demokracisë kushtetuese, ose pritjen dhe konformimin.
Nëse besojmë se Hitleri kishte intuitën e pazakontë të zgavrës ligjore, atëherë duhet të pranojmë se në harkun e 10 viteve të tij, askush nuk e njohu. Të gjithë e injoruan dhe përmbi të gjitha askush, as komunistët nuk panë strukturën që vinte pas tij.
Në një shkrim të para disa kohëve, Stephen Kotkin vinte në peshore Hitlerin me Stalinin, por duhet të themi se ky i dyti kishte avantazhin strategjik të një sistemi të ngritur mbi të cilin operoi. Ndërkohë që Hitleri ndërtoi çdo gjë nga e para me talentin e vet që ishte unik në sensin politik të fjalës. Kush ishte pra Hitleri? Me siguri dikush që qëndronte përmbi të tjerët dhe që ndjente kohën më thellë.

Add new comment