Nuk dorëhiqet! Po tani cila është Loja?
Sot paradite, në një podcast me kandidatët e zgjedhur për garën e zgjedhjeve lokale, kryeministri Edi Rama, u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që I dha të drejtë Veliajt në qëndrimin e tij në detyrë, e lë pa drejtim Kryeqytetin. Dhe ndëshkon qytetarët e tij. Mund të mendohej se ky qëndrim, krahas atij të para disa ditëve kur z. Rama bënte thirrje që Veliaj të nxirret nga burgu kur të shqyrtohet kërkesa e tij për këtë çështje, ishte e koordinuar me kryebashkiakun.
Madje disa ishin të bindur se kështu është. Mirëpo sot Veliaj ka reaguar për vendimin e Gjykatës që në fakt është një përgjigje ndaj Edi Ramës:
Për shkak të kushteve ku ndodhem, vetëm tani munda të çoj këtë pusullë-postim me avokatët. Drejtësia kushtetuese foli.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës.
Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij.
Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron.
Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua.
Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar.
Pra z. Veliaj nuk ka ndërmend të ofrojë të vetmen zgjidhje të besueshme ligjërisht për këtë ndodh: dorëheqjen. Përkundrazi, ai ka shpallur se do të bëjë çmos të dalë dhe të vazhdojë detyrën e vet. Cila është loja këtu? Ata që e dinë të na e thonë që të sqarohemi të githë meqenëse ka përherë një lojë dhe asnjëherë një shqyrtim që merr në konsideratë edhe të drejtat.
s.zaimi

Add new comment