E imja nuk është pavarësi, është Vetmi

Postuar në 01 Nëntor, 2025 22:48
Walter Veltroni

 

Një jetë e vështirë dhe një fund i errët i një intelektuali që nuk donte kurrë të konformohej. Ja ku e rrëfen dikush që e njihte. Vdekja e tij ndodhi pesëdhjetë vjet më parë. Fjalët e Pelosit: "Atë natë pashë katër burra ta vrisnin."
 
Disa javë para se Pier Paolo Pasolini të vritej, në tetor 1975, ai i shkroi një letër Gian Carlo Ferretti-t duke njoftuar se pothuajse e kishte mbaruar Salò-n, se donte të fillonte një film të ri, Porno-Teo-Kolossal, dhe, mbi të gjitha, se kishte vendosur të fillonte një rubrikë të re në Corriere della Sera. Titulli që zgjodhi Pasolini të kujton leximin e tij sot, pesëdhjetë vjet pas vdekjes së tij. Ai donte që rubrika të titullohej thjesht "Çfarë të themi".
 
"Çfarë të themi" në lidhje me vrasjen e njërit prej intelektualëve më të mëdhenj të Italisë në mesin e viteve 1970, një periudhë që po merrte anën e errët të terrorizmit dhe dhunës politike? Jam shumë i vetëdijshëm se Gjykata e Lartë e Kasacionit arriti në përfundimin se Pino Pelosi, atëherë shtatëmbëdhjetë vjeç, vrau dhe torturoi i vetëm shkrimtarin e Ragazzi di Vita. Por unë e di, për të përdorur një formulë pasoliniane, se gjyqtari i gjykatës për të mitur, Alfredo Carlo Moro, vëllai i Aldos, shkroi në dënimin e parë të Pelosit:

Trupa gjykuese beson se dokumentet ofrojnë prova bindëse se Pelosi nuk ishte vetëm atë natë në Idroscalo.

 "Mënyrë mbresëlënëse." Në vend të kësaj, ishte e lehtë dhe e dobishme të shtyhej përpara teoria se Pelosi e kishte bërë të gjithën vetëm sepse Pasolini, donte ta përdhunonte. Kjo ishte teoria e gjyqeve të mëvonshme. U përdor, për shembull, një gazetë e krahut të djathtë, "Il Borghese", për të dhënë një vendim të parakohshëm:

Atë natë tragjike, midis kasolleve të Ostia Lido, marrëdhënia ishte jashtëzakonisht e përmbysur: për të përdorur termat e sotme, Pasolini ishte 'përbindëshi', Pelosi 'viktima'.

Qëllimi ishte të sillnin drejtësi jo ndaj atyre që ishin përgjegjës për vdekjen e Pasolinit, por ndaj jetës së tij, fjalëve të tij, mendimeve të tij. Ata donin ta përdornin vrasjen e tij për të ekzekutuar idetë e tij.

Pas pesëdhjetë vitesh, unë ende mendoj si Alfredo Carlo Moro. Dhe jo vetëm sepse një ditë në vitin 2011 takova Pelosin dhe ai më tha fjalë për fjalë:

Pasolini më mori në makinën e tij në Termini. Shkuam për darkë në Biondo Tevere. Pastaj shkuam në Idroscalo dhe bëmë seks. Dola nga makina për të urinuar. Disa sekonda më vonë, pashë një motoçikletë të vinte me dy persona brenda dhe një makinë, ndoshta një 1300 ose një 1500, me katër burra. Më vonë m'u kujtua se po na ndiqnin nga stacioni. Disa prej tyre e nxorën Pier Paolon nga makina dhe filluan ta rrihnin. Ai ishte tashmë gjysmë i vdekur në tokë kur e shtypën me makinë.

Dhe shtoi se atë mbrëmje dhe më pas në burg, ata kishin vazhduar ta kërcënonin atë dhe familjen e tij. Dhe më tha se vrasësit ishin gjallë dhe se ende i kishte frikë.

E njihja Pasolinin; ka foto të një tubimi që mbajtëm së bashku, në shtator të vitit 1975, kundër regjimit të Frankos, i cili kishte vendosur të vriste një antifashist të ri. Sa herë që flisja me të, kisha ndjesinë se përballesha me një mendje gjigante të zhytur në një vetmi të madhe. Dhe me një liri intelektuale të pashembullt, të kombinuar me një uri të pangopur për jetë 

Njëherë, duke iu përgjigjur Italo Calvinos — para TikTok-ut, këta ishin protagonistët e debatit civil — i cili kishte debatuar me të për abortin, duke e akuzuar se dëshironte "Italinë e vogël", Pier Paolo tha:

E di mirë, i dashur Calvino, se si zhvillohet jeta e një intelektuali. E di sepse, pjesërisht, është edhe jeta ime: lexim, vetmi dhe laborator, përgjithësisht i rrethuar nga pak miq, por shumë të njohur, të gjithë intelektualë dhe borgjezë, një jetë pune dhe në thelb e respektueshme. Por unë, si Dr. Hyde, kam një jetë tjetër. Duke jetuar këtë jetë, duhet të shemb barrierat natyrore dhe të pafajshme të klasës, të shemb muret e Italisë dhe kështu të shtyhem në një botë tjetër: botën fshatare, botën sub-proletare, botën punëtore...
“Italia e vogël” është mikroborgjeze, fashiste, demokrate kristiane, provinciale dhe në margjina të historisë; kultura e saj është një humanizëm skolastik formal dhe vulgar. A doni që unë të dëshiroj këtë? Për sa më përket mua, personalisht, kjo “Itali e vogël” ka qenë një vend xhandarësh që më arrestuan, më gjykuan, më përndoqën, më torturuan, më linçuan për gati dy dekada.

Jeta kishte qenë e vështirë për Pasolinin, duke filluar me vdekjen e vëllait të tij Guido, një partizan i vrarë nga partizanët komunistë në masakrën e Porzûs. Pastaj erdhi persekutimi për zgjedhjet e tij seksuale, përjashtimi nga PKI-ja, të cilës kishte vendosur t'i bashkohej dhe që, gjithsesi, do ta mbeshte deri në deklarimin e famshëm të votës në vitin 1975. Dhe censurat që pësoi nga Italia fanatike për shkrimet dhe filmat e tij. Një jetë e vështirë.

Sepse Pasolini ishte gjithmonë një "i parregullt", i paparashikueshëm në gjykimet e tij, çuditërisht kontradiktor, gjithmonë i ndriçuar nga virtyti i dyshimit. Ai mund të denonconte, "Une e di", masakrat dhe bashkëpunimin e shtetit, dhe në vend të kësaj të mbante një qëndrim kundër abortit, në emër të një "ekologjie të jetës" që mbante shenjën e religjiozitetit të tij dramatik. Ishte gjithmonë  jashtë gardheve ideologjike, si per të shkaktuar konflikte për të matur forcën e argumenteve të tij dhe për të demonstruar se kishte të vërteta që duheshin kërkuar, jo zbuluar.
I parregullt dhe i vetmuar, kështu ndihej Pier Paolo gjithmonë.

Ai ka shkruar:

Se jam i pavarur, jam i tillë me zemërim dhe dhimbje: jo me qetësinë e të fortit, por per detyrim. Dhe kështu, nëse përgatitem të luftoj, sa më mirë që mundem, dhe me gjithë energjinë time, kundër çdo forme terrori, në realitet është sepse jam vetëm. E imja nuk është indiferencë, as pavarësi: është vetmi. Dhe është kjo që më garanton një objektivitet, ndoshta të çmendur dhe kontradiktor. Nuk kam askënd që të më mbështesë dhe me të cilin të kem interesa të përbashkëta për t’i mbrojtur.

Ai kishte frikë nga ngjashmeria që prodhonte rritja ekonomike dhe progresi, sepse fshinte dallimet, gjuhët, rrënjët dhe identitetet. Ai kishte frikë nga njeriu i ri "amoral" që televizioni dhe konsumizmi po farkëtonin.

Kush e di se si do ta kishte përjetuar këtë kohë me sy të ngulur në celular dhe të homologimit të një gjuhe të dhunshme dhe intolerante.

Atij nuk i pëlqente lëvizja e vitit 1968, siç do të thoshte në tekstin e tij të famshëm, "PKI-ja për të rinjtë", shkruar pas incidenteve të Valle Giulia-s. Për të, ajo lëvizje borgjeze nuk e kishte kuptuar se shkenca po transformonte kapitalizmin. Ai dëshironte, një temë tjetër simbolikisht ekologjike, dritën e xixëllonjave të zhdukura nga ndotja.

A ishte nostalgjik për të kaluarën? Po, një intelektual ka të drejtë të jetë nostalgjik, një politikan jo.

Ai ishte i lirë, i çrregullt dhe i vetmuar. Për atë vetmi per të cilën do të fliste, pothuajse në mënyrë profetike, në Vargjet e testamentit (Vetmia):

Duhet të jesh shumë i fortë/ për të dashur vetminë; duhet të kesh këmbë të forta/ dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme; nuk duhet të ftohesh apo të kesh grip ose dhimbje fyti; nuk duhet të kesh frikë nga grabitësit ose vrasësit

Ata që e vranë na penguan të gjithëve të dinim se si do të kishte vazhduar rubrika e tij  "Çfarë të themi".
Sepse sot, pa turp, ndiejmë një nostalgji të madhe për atë mënyrë të menduari dhe të foluri, për atë mendim dhe atë liri.

Burimi: Corriere dellla Sera

Përktheu: Jak Simoni

Comments

Submitted by Lexues i Rregullt (not verified) on

Faleminderit. Vazhdo me te tille artikuj qe te kujtohemi qe ka patur edhe nje bote politike keshtu dhe s'kemi qene gjithkone demokrature e kapitalizmit tallava.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.