Një shtysë polake për Nismën e Tre Deteve

Postuar në 05 Shtator, 2025 20:47

Iniciativa e Tre Deteve ishte në axhendën e takimit që presidenti polak, Karol Nawrocki, pati me homologun amerikan në Shtëpinë e Bardhë. 

Pas takimit, Nawrocki u shpreh se bashkëpunimi në kuadër të kësaj nisme do të rritet dukshëm pas bisedimeve me Trump. 

Nisma e Tre Deteve është një bashkëpunim infrastrukturor mes 13 shteteve në pjesën lindore të Bashkimit Europian. Pjesë e saj janë vendet ish-komuniste, Austria dhe Greqia. 

E njohur ndryshe si 3SI, kjo platformë synon thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore midis Detit Baltik, të Zi dhe Adriatik.

Pjesëmarrja e SHBA-së në këtë nismë, sipas ekspertëve, mund të nxisë investime shtesë amerikane në energji dhe teknologji – synime këto të administratës amerikane - dhe se partneritetet më të ngushta të SHBA-së me shtetet e 3SI mund të kufizojnë ndikimin e Kinës në rajon.

Platforma është prezantuar në vitin 2015, ndërsa samiti i parë është mbajtur në Dubrovnik në vitin 2016. Trump mori pjesë në samitin e dytë në Varshavë në vitin 2017, në fillim të mandatit të tij të mëparshëm presidencial.

Konservatori Nawrocki e ka pozicionuar veten si aleati kryesor ideologjik i Trump në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe mund ta përdorë këtë për të bindur administratën të riangazhohet në rajon dhe në 3SI.

Nisma 3SI është përfshirë si përparësi në Aktin e Sigurisë së Detit të Zi të SHBA-së, i miratuar me mbështetje dypartiake në vitin 2023. Megjithatë, përfshirja e SHBA-së është zvogëluar.

Nawrocki shihet mirë në qarqet MAGA. Trump e mbështeti hapur atë në zgjedhjet presidenciale të qershorit, duke e pritur në Zyrën Ovale. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem udhëtoi në Poloni për ta mbështetur publikisht kandidatin për president, dhe fushata e tij u amplifikua nga rrjetet MAGA, përfshirë Konferencën Konservatore të Veprimit Politik. Gjatë fushatës, Nawrocki përdori retorikë të frymëzuar nga MAGA.

Megjithatë, çdo përfshirje më e madhe e SHBA-së do të varet nga aftësia e 3SI për të dhënë rezultate. Për energjinë, diversifikimi i anëtarëve të saj larg Rusisë ka avancuar me ndërtimin e dy terminaleve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Krk, Kroaci dhe në Paldiski, Estoni. Ndërlidhësi i Gazit Poloni-Lituani tani lidh rrjetet e dy vendeve, dhe rrjedhimisht vendet baltike dhe Finlandën me tregun e gazit të BE-së.

Për transportin, projekti kryesor i autostradës Via Carpathia, që pritet të përfundojë deri në vitin 2030, do të lidhë portin e Klaipedës në Lituani me atë të Konstancës në Rumani. Via Baltica do të lidhë vendet baltike me Poloninë deri në vitin 2027 dhe projekti Rail-2-Sea do të krijojë një lidhje hekurudhore midis Konstancës dhe Gdanskut në Poloni. Ka pasur më pak përparim në infrastrukturën dixhitale. Projekti i Autostradës Dixhitale të Tre Deteve parashikohet të zhvillojë një shtyllë fibrash që është pezulluar për shkak të luftës në Ukrainë.

Por ka divergjenca politike midis anëtarëve të 3SI. Hungaria nuk i është bashkuar dënimit të përbashkët të Rusisë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës. Koordinimi është ndërlikuar edhe nga përfshirja e pabarabartë e anëtarëve. Fondi i Investimeve të Iniciativës së Tre Deteve, i nisur në vitin 2019, filloi me rreth 1 miliard dollarë nga nëntë vende, por disa ende nuk kanë kontribuar në të dhe kapitali privat mbetet i kufizuar.

Përfshirja e rinovuar e SHBA-së në 3SI çon përpara axhendën e Trump "Amerika e Para". Financimi i projekteve të ndërlidhjes rajonale dhe infrastrukturës së tubacioneve ofron mundësi për rritjen e shitjeve të energjisë dhe teknologjisë amerikane në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Për shembull, shtylla e energjisë mund të përdoret për të promovuar LNG-në amerikane dhe reaktorët e vegjël modularë (SMR) si një zgjidhje për të zëvendësuar përfundimisht gazin rus, nga i cili rajoni është ende i varur. Projekti pionier i Rumanisë me kompaninë amerikane NuScale që do të vërë në punë SMR-të në vitin 2029 është një shembull që duhet të replikohet në të gjithë rajonin.

Investimi në rrugët e transportit është i nevojshëm për të siguruar lëvizshmërinë ushtarake në rajon, diçka thelbësore për një NATO në të cilën Evropa është më e përgjegjshme dhe autonome. Projektet e dixhitalizimit mund të lehtësojnë eksportet e teknologjive të përparuara amerikane, duke filluar me inteligjencën artificiale, e cila është një nga objektivat e Planit të Veprimit për IA të administratës Trump.

Një partneritet i fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të 3SI ka gjasa edhe të frenojë ndikimin e Kinës në rajon, të fituar përmes Iniciativës “Belt&road”.

Mbështetja e 3SI në Uashington do t'i jepte Nawrocki-t mundësinë për t'u konsoliduar si lider në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe për të maksimizuar rëndësinë gjeopolitike të Polonisë në një kohë kur arkitektura evropiane e sigurisë po kalon një riorganizim të madh.

Ringjallja e kësaj nisme të riafirmonte statusin e Polonisë si shtyllë stabiliteti në krahun lindor të NATO-s. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se Nawrocki nuk ishte midis udhëheqësve evropianë të pranishëm në takimin e fundit në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.