Ankthi i stimuluar i Sudeteve për krizën e Ukrainës

Postuar në 19 Gusht, 2025 18:16

Në një shkrim të publikuar dje në “Politico”, tre autorë flasin për atë që mund të quhet si kompleksi i Mynihut në trajtimin e çështjeve territoriale të Ukrainës me Rusinë. Cili është ky kompleks? Ky kompleks është mesa duket ndikimi historik i Marrëveshjes së Mynihut të vitit 1938, përmes të cilës Franca dhe Britania e Madhe i lëshuan Gjermanisë naziste, Sudetet, në këmbim të frenimit të ekspansionit të Hitlerit. Përllogaritja rezultoi gabim. Askush nuk llogariti ambicien dhe mospërmbajtjen e Hitlerit. Njësoj sot, të gjithë duhet të jenë jashtëzakonisht vigjilentë ndaj Putin, që nuk ka për t’u mjaftuar me Donbasin dhe Krimenë. Analogjia në vetvete është e justifikuar, por ajo vështirë se përkon në kontekst.

Autorët shtojnë mandej se me marrjen e Sudeteve ku çekët kishin shpenzuar miliona për ndërtimin e një vije mbrojtëve, Gjermanisë iu hap rruga për marrjen kollaj të mbarë vendit një vit më vonë. Duhet thënë se ky krahasim synon të paralizojë çdo mundësi për shkëmbim territori në Ukrainë, pasi do të përcaktonte një disfatë historike për Europnë me pasoja të parikuperueshme. Dy fuqi të huaja ndajnë hartën politike të saj pa e pyetur. Nuk ka ndodhur asnjëherë, as edhe në Jaltë, ku të paktën ishte një britanik.

Mirëpo vetë argumenti i përdorur është i sforcuar.

Së pari, Mynihu është relativizuar gjatë nga Perëndimit që ka dashur ta kërkojë luftën e dytë Botërore te pakti sovjeto-gjerman i 1939-s, meqenëse ky dokument inkuadron në një të vetme dy fuqi revizioniste të rendit ndërkombëtar të kohës që sundoheshin nga ideologji sot të diskredituara. Sot që nevojat politike për të bindur Donald Trump se Rusia është rreziku, Mynihu qarkullohet si profeci. Megjithatë në vitin 1938, pretendime ndaj Çekosllovakisë pati edhe Polonia, edhe Hungaria. I vetmi vend që ofroi ndihmë ishte Bashkimi Sovjetik, që nuk u lejua të kalonte në territorin polak.

Nga ana tjetër analogjia se kërkesa e sotme e Putin në Ukrainë synon krijimin e një kryeure ushtarake me depërtim 80 km në perëndim të frontit, njësoj si gjermanët në Sudete, kontestohet nga fakti se edhe Franca u mbështet te Vija Mazhino, por ajo doli jashtë loje për shkak të manovrës gjermane në Ardene.

Në terma politikë, Rusia e sotme nuk ngjan aspak me Gjermaninë e 1938-s, një fuqi humbëse nga Lufta e Parë dhe nën presionin e një poshtërimi kombëtar. Bota e sotme nuk organizohet rreth konflikteve territoriale, as edhe Rusia nuk kërkon ndryshimin e rendit, pasi ajo ka një zë dominues në të. Kërkesa e vazhdueshme e Rusisë për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe atyre strategjike, si dhe për rishikimin e arkitekturës së sigurisë në kontinent, janë një konstante e politikës sovjetike që nga vitet ’70. Sot madje është SHBA që po akuzohet nga brenda se po saboton rendin ndërkombëtar që krijoi vetë, në kuadër të të cilit konfliktet territoriale adresohen dhe trajtohen edhe me mekanizma ndërkombëtarë.

Kriza e tanishme ka peshë specifike të shtuar në Perëndim dhe në Europë, sepse ajo nuk interpretohet dhe as përkufizohet për atë që është realisht. Pasi është e qartë se që nga viti 2008 kur Putin sulmoi Gjeorgjinë, Perëndimi hyri në hullinë e politikës reaktive në të cilën zgjerimi i NATO-s ishte një ndër elementët kryesorë. Nuk do shumë për t’u kuptuar se suksesi i një strategjie të tillë do ta reduktonte Rusinë në një shtet rajonal pa peshën e sotme, diçka që përfaqëson një qasje agresive dhe ekspansioni të butë dhe paraushtarak. 

Ajo që e rëndon edhe më shumë situatën është këmbëngulja për ta parë njëanshëm konfliktin, për të manipuluar me historinë dhe të vërtetën e saj, për të kultivuar një demencë historike të qëllimshme krahas hiperbolizimit të rrezikut rus me badazhet e një emergjencë të re si Lufta Hibride, apo ringjallja e perandorisë sovjetike, që në të vërtetë janë cilësorë fiziologjikë dhe pjesë e një evolucioni të pritshëm për fuqi me trashëgimi imperiale. Çështja këtu është si të integrohesh me këtë realitet dhe si ta kufizosh ngasjen për të militarizim. Në fund duhet thënë se Mynihu nuk lexohet në një aspekt që është ndoshta qendrori: një fuqi si Gjermania u tolerua sepse nuk mund të injorohej, por ajo erdhi aty pas gabimit të Versajës që prodhoi atë që prodhoi.

Rusia është shumë e madhe për t’u injoruar, është shumë e rëndësishme sa për t’u barazuar edhe me Hollandën apo Belgjikën, është shumë e rrezikshme për t’u kompleksuar kaq shumë prej saj sa të nxitet ideja e një kordoni sanitar. Disavantazhi këtu është se sa më shumë dëmtohet ajo, aq më shumë forcohet narrativea e idesë së saj si një enitet i amëshuar; sa më shumë vazhdon lufta dhe sa më shumë flasin liderët perëndimorë, aq më shumë bjerret narrativa dhe ideja e Europës që në dallim nga Rusia mbijeton me dhe për shkak të suksesit!

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.