Konferenca për shtyp mes Presidentit të SHBA, Trump, me Presidentin e Rusisë, Putin, në Alaska

Postuar në 16 Gusht, 2025 13:26

Gjeni më poshtë fjalën e zbardhur të dy presidentëve, atij amerikan Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin, pas takimit të tyre në Samitin e Alaskës. mbajtur më 15 gusht 2025, në Ankorazh.

***

Presidenti i Federatë Ruse, Vladimir Putin [flet rusisht]

Zoti President.

Zonja dhe Zotërinj.

Negociatat tona u zhvilluan në një atmosferë konstruktive respekti të ndërsjellë. Patëm negociata shumë të hollësishme që ishin shumë të dobishme. Dëshiroj të falenderoj edhe njëherë kolegun tim amerikan për propozimin për të udhëtuar këtu në Alaskë. Ka kuptim që u takuam këtu, sepse vendet tona edhe pse të ndara nga oqeani janë fqinjë të afërt. Pra kur u takuam, kur dola nga avioni dhe thashë: “Mirëdita i dashur fqinj. Gëzohem që të shoh të jesh mirë me shëndet dhe që të shoh të jesh gjallë!”,  mendoj se kështu i ka hije fqinjësisë. Dhe mendoj se janë disa fjalë mirësie për t’i thënë njëri-tjetrit.

Ne na ndan Ngushtica e Beringut, por dy ishujt që janë aty, njëri rus dhe tjetri amerikan janë vetëm katër kilometra larg njër-tjetrit. Ne jemi fqinjë të afërt dhe është fakt. Gjithashtu është e rëndësishme pasi Alaska lidhet me historinë tonë të përbashkët, midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe ka shumë ngjarje pozitive që kanë të bëjnë me atë territor. Vazhdon të ketë trashëgimi mbresëlënëse që nga koha e Amerikës ruse. Për shembull kisha ortodokse dhe më shumë se shtatëqind emra vendndodhjesh gjeografike me origjinë ruse. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte këtu në Alaskë nga ku ishte origjina e urës legjendare ajrore për furnizimin e avionëve dhe pajisjeve të tjera sipas programit të qira-huadhënies (lend-lease). Ishte një shteg i rrezikshëm dhe me të papritura që shtrihej në zbrazëtirën e madhe të akullt. Megjithatë, pilotët e të dyja vendeve bënë gjithçka për të sjellë më pranë fitoren. Ata rrezikuan jetën dhe dhanë gjithçka për fitoren e përbashkët.

Isha në qytetin e Magadanit, në Rusi, dhe aty ka një përkujtimore që u përkushtohet pilotëve rusë dhe atyre të Shteteve të Bashkuara. Dhe ka dy flamuj, flamuri i Shteteve të Bashkuara dhe flamuri rus. Dhe e di që edhe këtu ka një përkujtimore të tillë. Ka një varrezë ushtarake disa kilometra më larg nga këtu. Pilotë sovietikë janë varrosur atje, të cilët vdiqën gjatë atij misioni të rrezikshëm. U jemi mirënjohës qytetarëve dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara, që janë përkujdesur që ata të vazhdojnë të përkujtohen. Është diçka për të vlerësuar shumë dhe fisnike. Ne do të përkujtojmë gjithmonë shembujt e tjerë historikë kur vendet tona së bashku mposhtën armiq të përbashkët me frymën e miqësisë të focuar në fushëbetejë dhe aleancës, që mbështetën njëri-tjetrin dhe e lehtësuan njëri-tjetrin.

Jam i bindur që kjo trashëgimi do të na ndihmojë të rindërtojmë dhe të nxitë zhvillimin e lidhjeve të përbashkëta dobiprurëse dhe të barabarta, në këtë fazë re, edhe gjatë kushteve më të vështira. Dihet se nuk ka pasur asnjë samit midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për katër vite, dhe kjo është një kohë e gjatë. Këtë herë ka qenë shumë e vështirë për marrëdhënie të dyanshme, dhe le të jemi të sinqertë, kanë rënë në pikat më ulëta që nga Lufta e Ftohtë. Mendoj se kjo nuk sjell dobi as për vendet tona por as edhe për të gjithë botën. Ishte e dukshme që herë apo vonë na u desh ta ndreqnin situatën për t’iu larguar përplasjes dhe për të shkuar drejt dialogut. Dhe në këtë rast, një takim kokë më kokë midis krerëve të shtetit është vonuar së tepërmi. Natyrisht në kushtet e punës serioze dhe të imtësishme, kjo punë u krye, në të përgjithshmen.

Unë dhe Presidenti Tramp (Trump) kemi kontakt shumë të mirë, të drejtpërdrejtë. Kemi folur shumë herë. Kemi folur hapur në telefon. Dhe i Dërguari i Posaçëm i Presidentit, z. Uitkoff (Witkoff) erdhi në Rusi disa herë. Këshilltarët tanë dhe krerë e ministrive të jashtme qëndruan në kontakt gjatë të gjithë kohës. Dhe e dini fare mirë, një nga çështjet qëndrore ishte situata rreth Ukrainës. Ne e shohim përpjekjen e administratës dhe të Presidentit Tramp personalisht që të ndihmojë të lehtësojë zgjidhjen e konfliktit ukrainas. Dhe përpjekja e tij për t’i shkuar çështjes në themel për t’i kuptuar historinë është e çmueshme. Siç e thashë, situata në Ukrainë ka të bëjë me kërcënime themelore të sigurisë sonë. Për më tepër, ne gjithmonë e kemi konsideruar kombin ukrainas, dhe e kam thënë shumë herë, një komb vëllazëror, sado e çuditshme që kjo mund të duket në këto kushte.

Ne kemi të njëjtat rrënjë dhe gjithçka që po ndodh është tragjedi për ne dhe një plagë e tmerrshme. Prandaj vendi është me të vërtetë i interesuar për t’i dhënë fund kësaj gjëje. Në të njëjtën kohë jemi të bindur që për ta bërë zgjidhjen të qëndrueshme dhe afatgjatë duhet të eliminojmë të gjitha rrënjët kryesore, shkaqet kryesore të atij konflikti. Dhe e kemi thënë shumë herë, të merren në konsideratë të gjitha shqetësimet e ligjshme të Rusisë dhe për të rivendosur një ekulibër të drejtë sigurie në Evropë dhe në të gjithë botën. Dhe pajtohem me Presidentin Tramp, siç e tha sot, që natyrisht edhe siguria e Ukrainës duhet të sigurohet. Natyrisht ne jemi të përgatitur për të punuar për këtë gjë. Do të doja të shpresoja që marrëveshja që arritëm së bashku do të na ndihmonte për të na çuar më afër këtij qëllimi do të hapte rrugën drejt paqes në Ukrainë. Ne presim që Kievi dhe kryeqytetet evropiane ta perceptojnë këtë në mënyrë konstruktive dhe që nuk do t’u vënë shkopin në rrota punimeve. Nuk do të bëjnë ndonjë përpjekje për të bërë ndonjë marrëveshje nën rrogoz për të drejtuar provokime për të hedhur në erë progresin e sapolindur.

Me që ra fjala, kur administrata e re erdhi në pushtet, tregtia dypalëshe nisi të rritej. Është ende shumë simbolike. Megjithatë kemi një rritje 20%. Siç e thashë kemi shumë dimensione për punë të përbashkët. Është e qartë që investimet  e Shtetetve të Bashkuara dhe ruse dhe bashkëpunimi i bizneseve kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mundi të ofrojnë njëra-tjetrës kaq shumë në tregti, në sektorin digjital, në teknologjinë e avancuar dhe në eksplorimin e hapësirës. Ne e shohim edhe bashkëpunimin për Artikun shumë të mundshëm. Edhe kontaktet tona ndërkombëtare, për shembull midis lindjes së largët të Rusisë dhe të bregut perëndimor të Shteteve të Bashkuara.

Mbi të gjitha është shumë e rëndësishme për vendet tona të ecin përpara, t’i rikthehen bashkëpunimit. Është simbolike që jo shumë karg nga këtu, në kufirin midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara ndodhet e ashtuquajtura Linja e Ndërkombëtare e Ndryshimit të Datës. Mendoj se aty praktikisht me një hap kalon nga e djeshmja në të nesërmen. Dhe shpresojmë t’ia arrijmë kësaj, në sferën politike.

Dëshiroj të falenderoj Presidentin Tramp për punën tonë të përbashkët, për tonin dashamirës dhe besnik të bisedës tonë. Është shumë e rëndësishme që të dyja palët të priren drejt rezultateve dhe e shohim që Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka të qartë se çfarë do të donte të arrinte. Ai me të vërtetë e ka për zemër begatinë e kombit të tij por edhe është i ndërgjegjshëm që edhe Rusia ka interesat e saja kombëtare. Pres që marrëveshjet e sotme (15 Korrik 2025) të jenë pikënisja jo vetëm për zgjidhjen e çështjes ukrainase por edhe që do të na ndihmojë të rikthejë marrëdhënie pragmatike dhe me mendësi biznesi midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në fund dua të shtoj edhe një gjë. Do të doja t’ju kujtoja se në 2022-shin, gjatë kontaktit të fundit me administratën e kaluar u përpoqa ta bindja kolegun e mëparshëm amerikan që situata nuk duhej të çohej deri në pikën e moskthimit kur të arrinte në kundështi. Dhe e thashë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë atëherë se ishte një gabim i madh. Sot kur Presidenti Tramp thotë se po të ishte president atëherë nuk do të kishte luftë, jam shumë i sigurt se ashtu do të ishte. Mund ta konfirmoj. Mendoj se mbi të gjitha, unë dhe Presidenti Tramp kemi ndërtuar një kontakt shumë të mirë me mendësi biznesi dhe të besueshëm. Dhe kemi çdo arsye për të besuar se duke ecur në këtë rrugë, ne mund të arrijmë, sa më shpejt aq më mirë, në fundin e konfliktit në Ukrainë.

Falemnderit.

Falemnderit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp

Faleminderit shumë zoti President. Ishte shumë e thellë dhe do të them se besoj se patëm një takim shumë të frytshëm. Pati shumë, shumë pika për të cilat ramë dakord, në pjesën më të madhe. Kishte disa pika të mëdha për të cilat ende nuk kemi arritur atje ku duhet, por bëmë ca përparim. Pra, nuk ka marrëveshje deri sa të ketë marrëveshje. Do të telefonoj NATO-n pak më vonë. Do të telefonoj personat e ndryshëm, të cilët mendoj se janë të duhurit. Dhe sigurisht do të telefonoj Presidentin Zelenski (Zelensky) dhe do t’i tregoj për takimin e sotëm. Pra, në fund varet nga ata, do t’u duhet të bien dakord me çfarë Marko (Marco Rubio) dhe Stivi (Steve Witkoff) dhe disa nga personat shumë të përgatitur të Administratës “Tramp” të cilë kanë ardhur këtu, Skoti (Scott Bessent), Xhon Ratklifi (John Ratcliffe), shumë faleminderit.

Por kemi... disa nga drejtuesit tanë kanë bërë një punë fenomenale. Gjithashtu kemi disa përfaques shumë të rëndësishëm rusë të biznesit këtu. Dhe mendoj, e dini, të gjithë duan të kenë marrëdhënie me ne. Jemi bërë vendi më i nxehtë në mbarë botën në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Dhe ne mezi presim, mezi presim të bëjmë marrëveshje. Ne do të përpiqemi ta mbyllim këtë. Me të vërtetë që kemi bërë shumë progres sot.

Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie fantastike me Presidentin Putin, me Vladimirin. Patëm shumë... shumë takime të forta, takime të mira. Na ndërhynë me mashtrimin “Rusia, Rusia, Rusia” (ose “fajin e ka Rusia”) që e bëri pak më të vështirë për t’u marrë vesh. Por ai e kuptoi. Mendoj se ai ka parë gjëra të tilla gjatë rrugëtimit të karrierës së tij. I ka parë të gjitha. Por na u desh ta duronim mashtrimin “Rusia, Rusia, Rusia”. Ai e dinte që ishte mashtrim. Unë e dija që ishte mashtrim. Por çfarë u tha ishte shumë kriminale. Por e bëri të vështirë për ne, si vend, të bënim marrëveshje në kuadër të biznesit dhe për të gjitha gjërat me të cilat do të doja të merresha. Por do të kemi një mundësi të mirë kur kjo të ketë marrë fund.

Pra, për ta thënë sa më shpejt, do të nis të bëj disa telefonata dhe do t’u them se çfarë ndodhi. Por ne patëm një takim shumë të frytshëm dhe për shumë pika u ra dakord. Ka vetëm shumë pak të cilat kanë mbetur. Disa nuk janë shumë të rëndësishme. Njëra ndoshta është më e rëndësishmja. Por kemi një mundësi shumë të mirë për t’ia arritur. Nuk ia arritëm, por kemi një mundësi shumë të mirë për t’ia arritur.

Do të doja të falenderoja Presidentin Putin dhe të gjithë ekipin e tij, fytyrat e të cilëve, i njoh në shumë raste, në të kundërt, përveç të atyreve fytyrat e të cilëve i shoh gjithë kohën në gazeta. Jeni pothuajse aq të famshëm sa shefi. Por... në veçanti ky këtu... Por kemi pasur disa takime të mira ndër vite, apo jo? Takime të mira të frytshme gjatë viteve. Dhe shpresoj t’i kemi në të ardhmen. Por le ta bëjmë atë më të frytshmin tani. Do të ndalojmë me të vërtetë vrasjen e pesë, gjashtë, shtatë mijë... e mijëra njerëzve që vriten çdo javë. Dhe Presidenti Putin do po aq sa unë ta shohë të ndodhë kjo gjë.

Pra, edhe njëherë zoti President do të doja të falenderoja shumë dhe do të flasim me ju shumë shpejt dhe ndoshta do t’ju shoh përsëri shumë shpejt.

Faleminderit shumë Vladimir.

Presidenti Putin [flet anglisht]

Herës tjetër në Moskë.

Presidenti Tramp

Oh kjo qenka interesante. Jojojo se do të ha ca kritika. Por e shoh të mundur të ndodhë.

Falemnderit shumë Vladimir

Thank you!

Dhe falemnderit të gjithëve. Falemnderit!

Presidenti Putin [flet anglisht]

Faleminderit shumë!

- Materiali u përkthye nga anglishtja nga Ilir Sinanaj

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.