I Keqi dhe Më e Keqja që ndryshuan Kushtetutën
Nuk ka ditë të fushatës elektorale që përfaqësues të Partisë Socialiste të mos përmendin emrin e Sali Berishës, gogoli i tyre i preferuar. Njëherë 1997, njëherë Gërdeci, pastaj 21 janari. Kusuret nuk mbarojnë.
Sot Drejtuesi Politik i Diasporës, Taulant Balla, në një postim në “Facebook” kujtonte sërish 1997, a thua dikush e ka harruar se çfarë ndodhi. A thua nuk e dinë njerëzit se çfarë bënte në atë vit Skënder Gjinushi, Arben Malaj, e të tjerë me radhë. Interesantja është se mesazhi i drejtohet një brezi që ka qenë i rritur në këtë vit, pra sot përmbi të 40-ta, çka na thotë se votuesit e rinj nuk po duket se luajnë rol në ekuacionin zgjedhor.
Megjithatë lodrës së zakonshme me Berishën si e keqja kryesore ka një dozë të madhe hipokrizie për shkak se janë po këta që flasin sot, është po Edi Rama që menjëherë pas Gërdecit kopsiti ndryshimin e Kushtetutës, ose më saktë atentatin ndaj rendit kushtetues po me Sali Berishën. Pasojat institucionale të sotme burojnë në atë vit kur Edi Rama dhe Berisha ranë dakord për një rend të ri, siç ranë dakord edhe për listat e mbyllura. Të vëmë në dukje këtu se loja ka edhe një aspekt defiçitar; ky sulm mund të mobilizojë një pjesë të elektoratit të djathtë, ndërkohë që sipas shumë burimeve, Berisha do e quajë sukses nëse kap 60 mandate. Ai mbetet në lojë dhe kjo mjafton.
s.zaimi
Add new comment