Sitcomi Itali-Shqipëri. Imigrantët kthehen prapë në Itali

Postuar në 11 Nëntor, 2024 18:54

Vjen së fundmi një njoftim ekzemplar:

Shtatë emigrantët të cilët mbërritën të premten në Shëngjin dhe u vendosën në Kampin e Gjadrit do të kthehen në Itali. Seksioni i Emigracionit në Gjykatën e Romës, e ka referuar çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, duke pezulluar masën e vlefshmërisë së ndalimit. Vendimi është marrë këtë të hënë dhe në përfundimin e afateve të vlefshmërisë, shtatë të huajt do të duhet të largohen nga Kampi i Gjadrit. Teksti i dispozitës së Seksionit XVIII të Imigracionit të Gjykatës së Romës "e referon çështjen në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, në përputhje me nenin 267 TFEU" dhe "pezullon aktgjykimin aktual të vlefshmërisë pa cenuar efektet e ndalimit të përkohshëm të urdhëruar nga administrata me ligj”.

Referenca, konkretisht, është te neni 6 i dekretit 142/2015 dhe te neni i Protokollit të Shqipërisë. Në këtë mënyrë duhet pritur vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për pyetjet paraprake të propozuara edhe në lidhje me dekretin e fundit të shteteve të quajtura “vende të sigurta”. Edhe grupi i parë i emigrantëve të cilët mbërritën më 16 tetor qëndruan vetëm tri ditë në Shqipëri, pasi Gjykata e Romës detyroi Italinë të kthejë mbrapsht kontigjentin e azilkërkuesve.

Për të zgjidhur ngërçin, më 21 tetor kryeministrja Giorgia Meloni nxori një dekret ku përditësonte listën e vendeve të sigurta, por sërish çështja nuk ka marrë zgjidhje, deri në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Në këto kushte kampi i Gjadrit do të mbetet sërish bosh për një afat të pacaktuar

Vështirë të gjendet një gjë më qesharake sesa kjo shtëtitje e 16 imigrantëve me anije të posaçme. Nuk ka film apo roman të përshkruajë këtë nastradiniadë shqiptaro-italiane. Të imagjinosh që Shqipëria ka kohë që propagandon se po i jep një dorë Italisë në luftën kundër imigracionit dhe deri tani për një kamp të ndërtuar rrëmujshëm, kanë ardhur 16 imigrantë që kanë qëndruar gjithësej gjashtë ditë. Si mundet të shkojë çdo gjë kaq rrumpallë sa herë vë dorë ky Shakaxhiu i Përparimit?! Duhet bërë një sitcom në anije që të paktën të jusitifikohet gjithë kjo djersë e çuar dëm. Me gjasë kanë kushtuar më shumë karburanti dhe vendimet e gjykatës sesa vetë problemi i imigracionit që të duket sikur parathotë që në Shqipëri nuk do të vijë kush.

Kjo anije që lëviz, shkon e vjen me një ngarkesë kaq të lirë, pa kuptim, pa sens, ankorohu, çankorohu nuk ka të dytë për nga budallallëku, Michel Foucault sjell si shembull Anijen e të Marrëve në Mesjetë – Narrenschiff – e vemtja e vërtetë mes “anijeve romanceske apo satirike” ai Anija e Princërve dhe Betejave të Fisnikërisë, Anija e Damave të Vritytshme, Anija e Shëndetit.

Ka patur një anije që transportonte ngarkesën e vet; të çmendur që i çonte nga një qytet në tjetrin. Të marrët atëherë rronin si endacakë. Qytetet i përzinin nga rrethet e tyre; i linin të bridhnin larg, nëpër fusha, kur nuk i ishin besuar një grupi tregtarësh apo pelegrinësh...Shpesh i linin në mëshirë të lundërtarëve. Në Frankfurt më 1399 disa marinarë i ngarkuan të largonin nga qyteti një të marrë që bridhte lakuriq...Ndonjëherë marinarët i zbrisnin në tokë këta pasagjerë të bezdisshëm pa aaritur aty ku u ishte premtuar...

Nuk ka asnjë dallim sot, po të heqim faktin se të çmendurit nuk janë këta që vërdallosen në det në anije të ushtrisë, por shtetarët e dy vendeve që të kujtojnë ca avdallë të rëndësishëm të një kohe të rrjedhur.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.