Ka ardhur koha të flasim për “disa shqipe”
“Përse e ka mbiemrin Dhërmiu” më pyeti ime bijë kur po i jepja penelat e fundit në kompjuter intervistës me Eda Derhemin, pedagoge në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, me fokus gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Çdokush që ka lexuar shkrimet e E. Derhemit te “Peizazhe të fjalës”, është e pamundur të mos ketë vënë re dashurinë e saj për personalitetin human e krijues të Petro Markos. Lapsusi i sime bije duke ngatërruar Dhërmiun me Derhemin, mbiemër i vjetër tiranas, që e mban dhe një nga rrugët e Tiranës, i vjen më së miri për shtat temperamentit mesdhetar të Edës dhe lidhjes së saj me detin. Por kjo dashuri, nuk i mbivendoset marrëdhënies së saj me Tiranën e vjetër dhe figurat e dashura tiranase, që u kushton një seri shkrimesh te revista “Peizazhe të fjalës”.
Intervista me Edën kaloi nga disa faza. Ajo nisi në pranverë të këtij viti, kur kopshtet e shtëpive amerikane të qytetit të saj kishin filluar të zgjoheshin nga letargjia dimërore, shtegtoi në verën e nxehtë napolitane e atë shqiptare dhe u përmbyll para pak ditësh me rezultatet e zgjedhjeve amerikane dhe atmosferën vjeshtake post-halloween. Duke qenë se Eda është akademike, nuk mund të mos ndalesha dhe te përshtypjet e saj mbi fitoren e Trump dhe jehonën e zgjedhjeve të fundit në rrethet universitare. Me Edën, mund të diskutohet për gjithfarësoj temash, por zgjodha që në pjesën më të madhe të intervistës të ndalemi te arbërishtja e arvanitishtja, një prej fushave kryesore të kërkimeve të saj socio-linguistike. Për shkak se intervista doli shumë e gjatë dhe Eda u zgjerua bujarisht në përgjigjet e saj, vendosëm së bashku, që ta ndajmë në dy pjesë, në mënyrë që të lehtësohet lexuesi. Pjesa e parë e intervistës fokusohet kryesisht te zgjedhjet amerikane dhe mendimin e saj për statusin e arbërishtes dhe arvanitishtes, kurse pjesa e dytë te vazhdimi i debatit për këto “dy shqipe”, për gjuhë të tjera si vllahishtja, vendin e gjuhës shqipe në sistemin arsimor shqiptar, Tiranën historike, etj.
***
Publikimi i kësaj interviste, përkon me rizgjedhjen e presidentit Donald Trump në fronin e Shtëpisë së Bardhë. Çdo të thotë kjo fitore për votuesin anti-Trump?
Duhet pasur parasysh, që votuesit anti-Trump përbëjnë gjysmën e amerikanëve. Nuk bëhet fjalë për një numër të vogël apo një grup elitar. Grupi anti-Trump, është më i njëtrajtshëm në opinionin e tij për këtë president amerikan, sesa grupi që voton për Trump-in. Ata që votojnë kundër Trump-it janë përgjithësisht njerëz, që e konsiderojnë Trump-in një grotesk negativ, si politikan dhe si njeri. Ndër ata që votojnë për të, vetëm një pjesë janë fanatikë dhe adhurues të tipareve të Trump-it si arrogant, bullie, pasanik pa skrupuj, racist e megaloman – kryesisht MAGA-t. Pjesa tjetër janë thjesht njerëz, që u ka ardhur në majë të hundës dobësia e demokratëve, ideologjia e tyre shndritëse, por sipërfaqësore, mostrajtimi i papunësisë dhe i varfërisë, fakti që për katër vjet mbajtën me zor në fuqi një burrë të mirë, por të tejplakur mendërisht, duke dashur t’ua imponojnë amerikanëve edhe për një tjetër 4-vjeçar.
Ka edhe që mendojnë, se bursa dhe dollari sillen më mirë nën qeverisjen e Trump-it, duke u rritur fitimet. Nga bisedat dhe reagimet e njerëzve, unë besoj se më pak se gjysma e atyre që votojnë Trump-in kanë respekt për të. Ajo pjesë, thjesht nuk dëshiron të vijnë sërish në pushtet demokratët, që sidomos pas qeverisjes së Obamës (për shumë amerikanë, përfshirë edhe Obamën), janë të dobët, lëvizin për inerci, nuk ia kanë haberin, si jeton amerikani i ulët. Votuesi anti-Trump, është më pak i vetmuar se sa mund të imagjinohet në Europë dhe ende besoj se në SHBA është pjesë e një mazhorance njerëzish, që respektojnë etikën themelore të shoqërisë moderne. Në këto 30 vjet që jetoj në Amerikë, nuk kam parë kurrë kaq shumë njerëz ta shohin si figurë të turpshme presidentin e vet. Por, nga ana tjetër, kjo nuk i ka penguar shumë votues ta votojnë dhe t’ia normalizojnë garën për president dhe fitoren.
Ndërkaq, nuk mund të mohohet, që pas fitores së Trump-it, ka një ndjesi pasigurie dhe frike, që demokracia dhe ligji do degradojnë, ashtu si edhe fjala e lirë, respekti për tjetrin, si themel i komunitetit, gjendja e paqes së brishtë dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare të Amerikës. Admirimi që Trump ka për leadership-in botëror me prirje totalitare dhe fashiste, si edhe për psikopatë të pasur, ngjall frikë ndër njerëz të arsyeshëm. Por u duhet të përballen me hallin, që u ka rënë dhe të jetojnë me të. Sepse, kudo që të duash të arratisesh, Amerikës nuk i fshihesh dot - bota rrotullohet rreth saj. Amerika, e mirë apo e keqe, arrin te ty, kudo që të futesh. Një kolege e imja në universitet kish vënë shenjën e zisë në faqen e saj në facebook, natën që fitoi Trump. Shumë studentë u kthyen në familjet e veta ditën pas zgjedhjeve, për të qenë bashkë e për të gjetur ngushëllim.
Prej shumë njerëzve, konsiderohet një mort i madh. Shpresoj që Amerika, të mos epet. Nuk është se kish ndonjë besim e respekt të veçantë për administratën para Trump-it, që t’i themi gjërat shqip. Ndaj edhe grupe që s’ta merrte mendja, votuan Trump-in. Por, që do të ketë degradim të lirive dhe të drejtave njerëzore, nuk ka asnjë dyshim. Nuk janë hamendje të miat; janë pohime me plot gojën të Trump-it inatçi e hakmarrës. Mendo të lesh të ta drejtojë familjen një fëmijë kapriçoz, i paditur, i vetëkënaqur dhe i dhunshëm. Spostoje imagjinatën tani në situatën, kur ky tip rastësor drejton shtetin më të fuqishëm në botë, në një moment kur bota është në flakë.
Përgjatë mandatit të tij të mëparshëm, si kanë ndikuar politikat e tij arsimore në universitet amerikane?
Kultura kritike nuk pëlqehet as nga patriarkët, as nga autoritaristët në pushtet. Sepse baza e kulturës racionale e kritike është të mos pranojë abuzimin. Trump ka qenë gjithnjë kundër qendrave të dijes, sidomos universiteteve të mëdha shkencore, që nuk e kanë mbështetur kurrë. Parimi i tij nuk është a vlen apo jo për kombin, por a i intereson drejtpërdrejt fuqizimit të pushtetit dhe fitimeve të tij personale. Trump është sikur të ketë lindur në ndonjë ‘katun’ të izoluar shqiptar për nga mendësia/dritëshkurtësia dhe arroganca. Mendon, që ai i di punët më mirë se kushdo dhe ndërhyn me gërshërë drastike, atje ku mund të bëjë dëme afatgjata. Nuk i duhet atij asnjë Departament Edukimi (Ministri Arsimi) si organ rregullues, as qendra shkencore të kalibrit amerikan. Departamentin e Edukimit mendon ta shkrijë krejt, sepse mbron aksesin në dije të shtresave të diskriminuara amerikane, dhe madje do të hapë një universitet krejt online sipas aspiratave të veta. Plani i tij në fakt merret më shumë me ciklin 12-vjeçar, jo me atë universitar e pasuniversitar. Heqja e sigurisë për mësuesit e ciklit 12-vjeçar është një dëm i madh, që Trump mund t’i bëjë këtij cikli, ku mësuesit janë aq të keqpaguar dhe ku nëse hiqet edhe “tenure”, bie kompetiviteti për ato vende pune, si edhe cilësia e mësuesit mesatar.
Problemi në rrafshin universitar, është se universitetet “publike” amerikane vetëm pjesërisht mbahen nga paratë e studentëve, dhe një pjesë e mirë e bazës financiare u vjen nga “shteti” ku janë të vendosur (jo konfederata) e nga donacionet e mëdha private (endowments). Me riardhjen e Trump-it në pushtet, edhe në shtetet e veçanta merr fuqi e djathta dhe sidomos mendësitë trampiste të mosbesimit në shkencë. Universitetet vuajnë shkurtime kolosale, bie puna shkencore, rriten pakënaqësitë dhe ulet përkushtimi njerëzor, sepse priten fonde jetike. Shkencat sociale dhe humanitetet, që nuk lidhen direkt me prodhimin dhe kapitalin, vuajnë më shumë. Universiteti e ndjen dhe e reflekton brenda dy semestresh klimën pro apo kundër dijes së administratës. Administratat universitare sakaq kanë nisur përgatitjet për dimrat e ashpër që priten. Në këto raste e pësojnë më keq universitetet e vogla. Unë për fat punoj e jetoj në një qendër universitare gjigante. Por, të gjithë jemi të shqetësuar.
Një pjesë e madhe e shqiptarëve të Amerikës kanë treguar haptas mbështetjen e tyre ndaj Donald Trump. Si e shpjegoni këtë prirje identifikuese të diasporës shqiptare?
Nuk e di sa është prirje, sepse pro-trampistët përgjithësisht janë më të zhurmshëm dhe japin iluzionin e shumicës. Nuk besoj të ketë të dhëna, që mbështesin se shqiptarët janë kryesisht me Trump-in. Ka plot që janë, ashtu sikundër edhe grupe të tjera emigrante. Por, edhe sikur të ishin shumicë, unë nuk do të çuditesha. Vijmë nga një kulturë që adhuron “të fortin” në sjellje dhe pasuri, pavarësisht karakterit apo logjikës së tij të para-bërjes. Ne i përulemi pushtetit, pa e marrë në pyetje dhe kemi deficit të theksuar në kulturë demokratike. Më ka bërë gjithnjë përshtypje një lloj admirimi irracional masiv ndaj gjermanëve, qoftë edhe nazistë, në Shqipëri. Po ashtu, janë irracionale prirje tonat paralele, si kapja me thonj pas vlerave tona “shqiptare” të para 6 mijë vjetëve, që për çdo grup të kulturuar do të ishin qesharake, si dhe vlera e të qenit “i lashtë” ose ngulmimi që të gjejmë aristokracinë tonë paramesjetare me gjak blu, që pastaj, me siguri, ende na rrjedh në dej. Është provincializëm dhe injorancë e pastër kjo lloj nevoje.
Adhurimi i shqiptarëve në përgjithësi për Amerikën nuk ka baza njohjeje, por është i verbër dhe disi spiritual, bazuar në një dëshirë latente (edhe besim), që ky i fuqishmi të na marrë nën sqetull e të na mbrojë. Trump është mishërim i këtij lloj venerimi fatkeq. Në kushtet kur kemi kulturë shumë të kufizuar dhe shkollim të keq, mungesa e një tradite vetërespekti dhe distancimi nga pushteti i tjetrit, na shtyp pavarësinë dhe arritjen e idesë më objektive.
Zë në gojë në fund, edhe një farë racizmi e homofobie që karakterizon komunitetin tonë. Shqiptari emigrant në Amerikë (por edhe ai që ngeli në Shqipëri dhe nuk emigroi) nuk i ka bërë kurrë barabartë me veten hesapet me racën dhe gjininë. Zezaku dhe homoseksuali vazhdojnë të kenë efekte të forta negative ndër shqipfolës. Ku ka kandidat presidencial më të përshtatshëm se Trump që t’ua ushqejë frikërat e dëshirat supremaciste shqiptarëve?! Po ashtu, nuk janë vetëm emigrantët shqiptarë që nuk solidarizohen me të tjerë emigrantë. Ka plot edhe nga kombësi të tjera, që urrejnë e bëjnë fajtorë për gjendjen e vet emigrantët e grupeve të tjera, sidomos ata me ngjyrë apo ende shumë të varfër, si masat e emigrantëve që hyjnë nga kufijtë jugorë të SHBA-ve.
Ngulmimi për tolerancë dhe empati, mendoj, janë dy shtyllat themelore mbi të cilat duhet ndërtuar teksti shkollor, sidomos i cikleve të ulëta në Shqipëri, që brezat që vijnë të mos jenë si ne. Jo që të shpëtojë bota nga fobitë tona, se nuk kemi aq efekt, por që të shpëtojmë ne nga vetja jonë munduese
Sa thashë më lart, ekziston krahas respektit krejt të justifikuar të shqiptarëve që kanë emigruar nëpër botë (edhe në SHBA) ndaj vetes në këtë fazë jetese, për dinjitetin që kanë fituar duke bërë punë të ndershme e duke hyrë me hap normal në klasën e mesme të vendeve ku janë ngulitur, për shkollimin normal të fëmijëve. Kjo lloj mirënjohjeje dhe krenarie e atij që rigjen dinjitetin në moshë të rritur nëpërmjet punës së sigurtë në vend të huaj, është nga arritjet më të mëdha të shqiptarëve si grup diaspore sot, dhe vlen shumë, me gjithë të këqijat, që trashëgojmë si kulturë grupi.
Përgjatë karrierës suaj universitare, jeni angazhuar për një periudhë të gjatë me arbërishten dhe më pak me arvanitishten. Cilat janë tiparet, që e klasifikojnë arbërishten dhe arvanitishten në kategorinë e gjuhëve të rrezikuara?
Arbërishtja dhe arvanitishtja janë tërësi variantesh të ndryshme, që kanë jetuar në shekuj në një distancë relative dhe izolimi prej shqipes së trungut. Për aq kohë sa jetesa e izoluar brenda komunitetit ishte normë, këto gjuhë mbijetuan pa shumë probleme në komunitete të mëdha. Por, pas Luftës së Dytë Botërore, Europa ndryshoi shpejt. Urbanizimi, komunikimi i përshpejtuar dhe lëvizshmëria e lartë, e thyen gradualisht vitalitetin gjuhësor të këtyre fshatrave (sot qyteza) me banorë që nisën të shpërndaheshin, sepse vendi i vet nuk i mbante më. Situatat e arbërishtes dhe arvanitashtes përkah rrezikimit të mbetjes gjallë, janë të ndryshme, siç janë shumë të ndryshme ekologjitë sociale të dy gjuhëve. Gjithsesi, provat se të dy grupet gjuhësore janë të rrezikuara, janë të dukshme. Dikur gjuha flitej masivisht në komunitet, tashmë flitet nga pak folës, në rastin më të mirë, jo më shumë se çereku i grupit komunitar po të jemi optimistë, që është rasti i fshatrave më vitalë, si Piana degli Albanesi për arbërishten.
Në rastin e arvanitishtes numri i folësve është shumë më i paktë se kaq, se ndalesa totale e përdorimit të gjuhës ka dekada që është kryer dhe shumica e katundeve janë braktisur. Pak 60-vjeçarë e njohin, dhe kjo se u rritën me gjyshet e brezit të shkuar, që vdiqën duke folur arvanitishten dhe nuk e folën kurrë rrjedhshëm greqishten. Folësit e vërtetë janë më të vjetër në moshë. Por, në rastin e Italisë, pra të arbërishtes, gjuha dominante (ajo e rrethinave dhe e kombit, ku jetojnë këto pakica gjuhësore), jo vetëm që në segmente të gjera folësish, madje edhe katunde të tëra, ka zëvendësuar tërësisht gjuhën e mëmës (apo gjuhën tradicionale të katundit), por e ka spostuar atë si përqindje përdorimi edhe brenda folësit, që ende e përdor përditshëm gjuhën e mëmës.
Në sociolinguistikë kjo dukuri specifikohet terminologjikisht si ngarkesë funksionale vs. transparencë funksionale në përdorimin e gjuhës, që tkurret. Në rastin e dy gjuhëve në fjalë, ato po i ndiejnë fort të dyja këto dukuri. Pra, jo vetëm që ka fshatra të tërë dhe grupe të mëdha brenda një fshati që nuk e flasin më gjuhën, por edhe ata që e flasin, e flasin më rrallë dhe në situata të veçanta, kryesisht në shtëpi, me njerëz të caktuar dhe vetëm për muhabete të një tipi të izoluar.
Ky tipar i përzierjes së gjuhëve dhe përdorimit rrallë e më rrallë të gjuhës, që është e rrezikuar të vdesë, çon në mos-perceptim real të aftësive folëse nga vetë folësi. E kështu shpesh kemi rritje artificiale të numrit të folësve, që normalisht numërohen nëpërmjet dëshmive, që ata vetë japin nëse e flasin ose jo gjuhën. Duke qenë me bazë vetëperceptimi, numërimi i atyre që flasin arbërisht shfaqet si i lartë, sepse arbëreshët e Italisë, duke qenë krenarë për gjuhën dhe shqiptarinë e vet, dëshmojnë pa të keq që e flasin atë, edhe pse mund të kenë një bazë totale 50 fjalëshe a më pak, që shfaqen kryesisht në shprehje të ngulitura. Ndërsa folësit e arvanitishtes dëshmojnë që nuk e flasin arvanitishten, edhe sikur ta flasin më mirë se një arbëresh arbërishten. Kjo, sepse sjelljet/qëndrimet gjuhësore të këtyre të fundit (language attitudes) nuk janë pozitive si ato të arbëreshëve, ndaj distancimi është i natyrshëm. Pra edhe për arvanitishten përftojmë një numër joreal folësish.
Dukuria themelore që çon në vdekje të gjuhës është ndërprerja e transmetimit të saj brezor, pra tek të rinjtë. Kjo ka ndodhur në rastin e arvanitishtes shumë më fort se në atë të arbërishtes. Por edhe arbërishtja drejt atyre viseve e shtyn anijen, edhe pse në kushte të ndryshme. Mospërdorim gjuhësor, lëvizje masive drejt qendrash të mëdha, përzierje e popullsive folëse edhe në qendra të vogla, martesat e përziera, ndikimi i fortë i mediave në situata shumëgjuhësore, por aspak simetrike në prestigj, janë disa nga arsyet jo vetëm të mospërdorimit dhe ndërprerjes së transmetimit nga brezi në brez, por edhe të rrëgjimit gramatikor e leksikor në çdo domen e formë përdorimi. Në një studim timin të vitit 2023, merrem me tronditjen e fortë të kategorisë së rasës (edhe kallëzores së shquar njëjës) në moshat e reja në Piana degli Albanesi.
Arbërishtja duhet të konsiderohet gjuhë më vete apo variant i shqipes? E njëjta gjë vlen dhe për arvanitishten?
Well, well, well. Gjuhëtarët sot përdorin termin “variant gjuhësor”, pikërisht për t’i shpëtuar presioneve të binomit gjuhë/dialekt, që është një kundërvënie më shumë politike sesa gjuhësore. A janë, pra, dialekte të shqipes apo gjuhë më vete arbërishtja, arvanitishtja, gegnishtja etj.? Ka metoda matematike që synojnë të masin largësinë mes dy varianteve të konsideruara si të pandara ende, për të kuptuar nëse ato janë mjaftueshëm larg, që të mund të konsiderohen dy gjuhë të ndryshme. Por metoda sociolingistike është ajo më e pranuara, sepse edhe më afër variabëlave njerëzorë. Por edhe shkalla e kuptueshmërisë së ndërsjelltë mes dy varianteve nuk është gjithnjë aq efikase për t’i vendosur gjërat qartë, sepse kuptueshmëria është e shkallëzuar sipas kushteve, shumë shpesh asimetrike (domethënë folës të njërit variant e kuptojnë tjetrin, por jo anasjelltas) dhe ndryshon shpesh me kohë.
Rrallë herë kuptueshmëria është njëlloj nga të dy palët, si në rastin e sllovakishtes dhe çekishtes. Shumica e situatave janë asimetrike: shqipfolësi tosk kupton arvanitasin më mirë se ky toskun shqiptar; danezi kupton suedezin, por jo ky danezin. Këtu nuk po përmend se kuptueshmëria në regjistra, stile dhe në forma të ndryshme (si e shkruar apo e folur), janë po ashtu shumë të ndryshme. Një tjetër faktor kokëfortë është a do njëri folës të kuptohet apo të kuptojë tjetrin. Ky tipar harrohet shpesh, por, me kohë, bëhet përcaktues për distancimin apo afrimin e gjuhëve.
Ka plot gjuhë sot, që synojnë t’i largohen njëra-tjetrës nëpërmjet distancimit artificial në përzgjedhje leksiku apo tiparesh gramatikore, vetëm që të mos jenë si tjetra: ndodh me hindi dhe urdu, por edhe me gjuhët e ish-Jugosllavisë që bënin pjesë nën kupolën e ngjeshur e të sforcuar të serbokroatishtes. Së fundi, përmend rolin e institucioneve: qeverive dhe ligjeve për gjuhët, akademive të ndryshme, që kanë në dorë proceset e kodifikimit të gjuhëve të shkruara, emërtimit të gjuhëve, kontrollit të përhapjes, implementimit të statusit dhe pranimit të tyre, njollosjen apo mbivlerësimin e një varianti të zgjedhur, quajtjen e tij gjuhë apo dialekt. Jo-profesionistët i perceptojnë dialektet si afër, ndërsa gjuhët si larg njëra-tjetërës.
Këto ideologji gjuhësore që jetojnë ndër njerëz, influencojnë afërsinë dhe largësinë mes gjuhëve, si edhe perceptimin e tyre. Se, në fund të fundit, sido që ka një bazë objektive, është pandërprerë edhe çështje subjektive perceptimi dhe ndërhyrjesh politike
Konkretisht: për mua, siç e kam shkruar edhe më parë, ka ardhur koha të flasim për “shumë shqipe” si gjuhë. UNESCO ka kohë që i ka konsideruar arbërishten dhe arvanitishten si gjuhë më vete, por jo bazuar në ndonjë ekspertizë. Ka qenë më shumë për t’i pavarësuar këto variante, për t’u dhënë rëndësi dhe për të lejuar financime të mundshme për ruajtjen e tyre nga vdekja. Pra kjo është gjendja thënë shkurt e skematikisht: I) Arvanitishtja kuptohet më mirë prej shqiptarëve të shtetit-komb Shqipëri, sesa shqipja prej arvanitëve, që ende e njohin gjuhën e vet të vjetër. E njëjta gjë paralele ndodh për arbërishten. II) Në të dy rastet, folës të toskërishtes i kuptojnë më mirë të dyja gjuhët, se ata të gegnishtes. Kjo lidhet thjesht me gjenealogjinë e varianteve dhe distancat objektive mes tyre. III) Në gjendjen e sotme, arvanitishtja është shumë më e kuptueshme/më afër shqipes toske, sesa arbërishtja. IV) Me mësimin e veshit ndaj ndryshimeve që kanë profile të përsëritura fonetike dhe gramatikore (që kanë modele ose gjedhe), rritet kuptueshmëria në të dy drejtimet.
Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Kalabri apo Siçili, mbas pak muajsh ambientimi, nisin dhe kuptojnë lirshëm arbërisht. Ndikon edhe fakti se ndërkaq mësojnë edhe italisht apo siçilisht, gjuhë që janë kapërthyer me trupin e arbërishtes, më shumë se greqishtja me arvanitishten. Po ashtu, arbëreshët që lexojnë e flasin shqip, shpejt kuptojnë çdo lloj idiosinkrasie të shqipfolësve. Por, këtu kemi të bëjmë me mësimin e një gjuhe tjetër, që pa dyshim jep fryte, sa më i madh të jetë ekspozimi, dhe që ndodh më kollaj mes gjuhësh të lidhura. V) Fakti që arbëreshët janë bazuar shumë tek shqipja letrare, në ato raste kur kanë prodhuar tekste shkollore për të mësuar gjuhën e vet, apo përkthime masive (si Komedia Hyjnore), tregon se ata bëjnë çmos të mos distancojnë arbërishten nga shqipja. Nuk ka asnjë përpjekje për afrim, madje as thjesht për ruajtje apo kultivim të gjuhës, prej arvanitëve. Kjo është një çështje për të cilën kam shkruar shpesh dhe lidhet fort me vetëperceptimin identitar dhe etnik të grupeve.
Ideja e pranuar nga shkenca botërisht (paksa lehtazi) se dialektet e shqipes janë ndërsjelltas të kuptueshme (mutually intelligible) është një ekzagjerim i justifikueshëm. Unë personalisht kam qenë gjithnjë, që shqipet e ndryshme të mbajnë të njëjtin version të gjuhës letrare të përbashkët, por ta hapin dhe pasurojnë atë në përdorim, duke lejuar një porozitet të shëndetshëm. Arsyet e mia janë thjesht pragmatike: jemi popullsi e vogël dhe me shtet të varfër. Kemi kulturë shkrimi e këndimi të ulët dhe njohje shumë të kufizuara gjuhësore në përdorim. Na bën mirë njëfarë njësimi në rrafshe formale, ose më mirë, mosnjësimi na pengon zhvillimin.
Ndërsa sa i takon arbërishtes dhe arvanitishtes, do isha për trajtim si gjuhë më vete të lidhura me shqipen, por që për çdo rivitalizim të mundshëm duhet të mbajnë lidhje me trungun letrar mbarëkombëtar si një bazë praktike funksionale, siç dëftehet nga arbërishtja aq funksionale e folur prej arbëreshësh, që njohin mirë letrarishten shqipe
Më duket objektivisht dhe subjektivisht zgjidhja më e drejtë, edhe pse lidhja psikologjike që grupi folës ka me gjuhën amë, sado të ketë ndryshuar ajo, mbetet në teori një faktor. Arbëreshët e kanë mbajtur dhe ushqyer nga rilindja e deri sot e kësaj dite lidhjen me shqipen, edhe pse ky ka qenë një akt simbolik, pa ndikime praktike në gjuhën masive të arbëreshëve. Ky faktor bazë në gjykimin nëse kemi të bëjmë me një apo dy gjuhë, paraqitet i kundërt për arvanitët. Lidhja simbolike nuk është kërkuar e as ushqyer. Nuk ekziston. Por, siç thashë, unë mbetem e mendimit, që arbërishtja dhe arvanitishtja të konsiderohen njëjtazi si gjuhë më vete, ndërsa ato që sot i marrim (by default) si “dialekte” të jenë si pjesë e shqipes. Kjo s’do të thotë aspak, që kosovarishtja është më afër me letrarishten, sesa arvanitishtja. Situata kërkon fleksibilitet dhe hapje kulturore drejt progresit dhe jo drejt ndasive. Edhe shumë pragmatizëm, që të mos degradojë më keq përdorimi i gjuhës. Puna duhet menduar pa fanatizëm dhe, sidomos, jashtë kllapave kombëtariste e helmeve parrokialiste.
Në çfarë mënyre mund të konservohet arbërishtja dhe si mund të kontribuojë shqipja në rivitalizimin e arbërishtes?
Në fakt, shqipja, duke u futur nëpër katundet arbëreshe bashkë me folësit e saj, e ka dhënë sakaq një farë ndihmese në këtë proces. Ka plot katunde arbëreshe, ku kanë hyrë fjalë shqip që kishin humbur në arbërisht ose ekzistonin, marrë nga gjuhë të tjera. Kjo është e vërtetë edhe për fshatrat arvanitë. Rastet e rralla të përdorimit të gjuhës nuk ndodhin mes arvanitësh me njëri-tjetrin, por kur këta flasin me emigrantë shqiptarë të sapombërritur. Më lart, duke ngulmuar për një letrarishte poroze, që thith material të gjallë nga të gjitha variantet e shqipes, lashë pa përmendur, që një letrarishte e tillë do të ndihmonte anasjelltas edhe stabilizimin në përdorim të të gjitha varianteve të shqipes. Kuptohet që ngelet gjithnjë edhe mundësia e një policentrizmi variantesh letrare. Kjo është zgjidhje e mire, sidomos për popullsi me çarje relative identitare, që ndjekin linja politike, etnike apo fetare të ndryshme. Unë mendoj se te ne, më shumë do ta dëmtonte se do ta ndihmonte progresin dhe përdorimin funksional të gjuhës. Por, mbetet një mundësi.
Shteti shqiptar mund të ndihmojë dhe diç po bëhet sakaq. Ndërhyrja e administratës shpesh fut në valle politizimin e punëve, ndihmon korrupsionin në lëvizjen e parave drejt poleve që legjitimohen institucionalisht, por koha e gjatë në të cilën kam punuar me gjuhët e rrezikuara më ka mësuar, se pa ndërhyrje dhe impakt institucional, nuk vjen dot ndryshimi dhe asnjë institucion s’ka impaktin e fuqishëm të një shteti.
Për mua ka dy shtylla themelore që duhen mbajtur si qendrore në këtë ndihmë: lidhja me komunitetet folëse dhe lidhja me punën shkencore në çdo hap zhvillimi. Ndarja nga komuniteti i gjallë dhe zgjidhjet profane e folklorike në procesin e rivitalizimit, do çonin në vdekjen përfundimtare të gjuhëve në fjalë. Ndërsa praktikisht, në botën ku jetojmë sot, hapi i parë për rivitalizim, nëse ky është i dëshirueshëm, nis me shkollimin në atë gjuhë. Por nëse komuniteti folës nuk do, as shqipja as shteti s’kanë pse fusin hundët gjëkundi. Aty ngelet pastaj vetëm vlera e dokumentimit shkencor e të plotë të gjuhës.
Po shteti italian si mund të ndihmojë në mbrojtjen e arbërishtes?
Shteti italian, pas dhjetorit 1999 me Ligjin 482 për mbrojtjen e gjuhës dhe kulturës së pakicave historike në territorin e vet (vetëm të 12 prej tyre), bën një farë pune ndërkaq. Por të mos harrojmë, se edhe ai nuk është një shtet i fuqishëm dhe gjendja e Italisë paraqitet e pasigurtë në dekadat pas 1980-s. Ndihmesat që ai jep, lëkunden poshtë e lart. Por, tradicionalisht, kanë pasur më shumë të drejta dhe ndihmë shtetërore pakicat gjuhësore në Italianë veriore, (ku shteti italian është shtyrë e bërë përgjegjës prej shtetesh të fuqishme kufitarë, si Franca apo Austria) sesa në pjesë të tjera të Italisë. Pra shteti amë dhe shteti ku janë nguluar, mbeten që të dy pjesë e ekuacionit.
Vijon…

Add new comment