Spekullime se kriptografi Peter Todd është krijuesi i BitCoin

Postuar në 10 Tetor, 2024 19:04

Një dokumentar i HBO arrin në përfundimin se krijuesi i BitCoin është kriptografi Peter Todd. Pas monedhës së parë elektronike është thënë deri tani se është Satoshi Nakamoto, një pseudonim ky për një apo disa individë që kanë ideuar dhe krijuar bazën e të dhënave blockchain.

Cullen Hoback, regjisor i vlerësuar me çmime, në dokumentarin e HBO, pretendon se ka gjetur prova që lidhin Peter Todd me kriptomonedhën e parë. Hoback pretendon se ka arritur te emri i Todd pasi ka kryqëzuar informacione të vjetra dhe të reja. Në dokumentar, ai përball me provat Todd dhe Adam Back, themeluesin e Blockstream.

Aty, Peter Todd pranon: "Epo, po, unë jam Satoshi Nakamoto". Megjithatë, kjo deklaratë nuk është ashtu siç duket në sipërfaqe.

Todd njihet për shprehjen "Unë jam Satoshi", një mënyrë kjo për të mbështetur privatësinë e krijuesit të BitCoin. Por në një email në CoinDesk, përpara se dokumentari të publikohej në HBO, ai shprehet: ”Sigurisht që nuk jam unë Satoshi”. Edhe gjatë dokumentarit sqaron se deklarata përfundimtare e Todd nuk e bën atë Nakamoto.

Megjithatë, logjika e Hoback nuk është e pabazë. Todd ka qenë anëtar i shquar i komunitetit të Bitcoin për një kohë të gjatë. Ai dihet se ka komunikuar me Nakamoton dhe ka qenë një zhvillues kryesor i kriptomonedhës.

Partneri themelues i Castle Island Ventures, Nic Carter, i cili e njeh Todin që nga viti 2017, tha: “Ai është një nga bitcoinerët më të rëndësishëm, nga pikëpamja teknike. Në përgjithësi, njerëzit i konsiderojnë pikëpamjet e tij për Bitcoin si shumë të rëndësishme.

Megjithatë, ata që kundërshtojnë teorinë e Hoback, sjellin si argument moshën e tij, duke thënë se Todd ishte shumë i ri për të qenë Nakamoto. Megjithatë, Hoback iu përgjigj një postimi X, “Piteri ishte 23 vjeç në atë kohë… Shumica e kriptografëve i bëjnë përparimet e tyre të mëdha kur janë më të rinj. Babai i tij është ekonomist.”

Hoback përdor një postim të vjetër të forumit në internet në dokumentar për të vërtetuar teorinë e tij. Në forum, Nakamoto ka bërë një postim duke detajuar se si funksionojnë transaksionet në Bitcoin dhe Todd është përgjigjur në vazhdim të postimit. Hoback pretendon se Todd e ka përdorur aksidentalisht llogarinë e tij për t'iu përgjigjur postimit.

Dokumentari nuk jep një përgjigje përfundimtare, por ngre një hipotezë. Dhe nëse Peter Todd është me të vërtetë Nakamoto, zbulimi do t'i japë fund një misteri dhjetëvjeçar në lidhje me identitetin e krijuesit të Bitcoin.

Bitcoin është kthyer në një aset me vlerë 1.2 trilion dollarë (Wall Street ka parashikuar se mund të shkojë shumë më lart) gjatë 15 viteve të fundit – duke e bërë burrin, gruan ose grupin e njohur vetëm si Satoshi Nakamoto të vlejë pothuajse 70 miliardë dollarë nëse ende ka kontrollin e 1.1 milion bitcoin që besohet se janë nëpër portofolët elektronikë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.