Rrugëtimi 40 vjeçar i Michel Setboun në Shqipëri

Kur u ndesha për herë të parë me fotografinë e fotografit francez Michel Setboun në vitin 2009, nuk mund ta imagjinoja atëherë, që gjashtë vite më vonë, do i shkruaja në lidhje me idenë e zhvillimit të një ekspozite lokale në fshatin Derviçan të Dropullit. Ajo çka më tërhoqi fillimisht vëmendjen nga galeria e pafundme e fotografive të tij mbi Shqipërinë, ishte numri i madh i fotografive nga fshati Derviçan dhe imazhet e shumta nga dasma tradicionale e çiftit llia dhe Elektra Rajdho. Fotografitë e dasmës së tyre ishin të një bukurie të jashtëzakonshme, dëshmi e një epoke në kapërcyell të dy sistemeve. Përveç të porsamartuarve, ajo që kishte vlerë të madhe artistike dhe dokumentuese, ishte shpura e dasmorëve, sazexhinjtë, fëmijët, vallëzuesit dhe grupi i burrave e i grave të moshura që qëndronin veçmas, dhe që i shëmbellenin një kori antik. Por, krahas fotografive në fjalë, galeria e Setboun përmbante një numër të rëndësishëm fotografish nga kishat e rrënuara të Dropullit. Këto ishin shkëndijat e para rreth konceptimit të ekspozitës së Derviçanit, e cila u zhvillua në gusht të vitit 2016, me titullin “Kronikë në Dropull”. Ekspozita, e cila u kurua nga piktori me banim në Athinë, Toni Milaqi, përbëhej prej 40 fotografish, ku veçonin edhe disa pamje bardhë e zi nga qyteti i Gjirokastrës i fillimviteve ‘80, gjatë ardhjes së parë të fotografit në Shqipëri.
Pavarësisht mbështetjes minimale nga Ministria e Kulturës shqiptare, e cila nuk mbulonte projekte që kishin si aktivitet kryesor ekspozita artistike, falë përpjekjesh titanike, arritëm të mbledhim fondet e domosdoshme nga burime të tjera jo-institucionale. Ekspozita u çel me vetë praninë e fotografit dhe pati një jehonë të gjerë në mediat lokale, por edhe në disa nga gazetat kryesore të vendit. Fill pas mbarimit të ekspozitës së parë, bashkë me kuratorin dhe vetë fotografin, menduam për zhvillimin e një ekspozite madhore të Setboun në Tiranë, dhe gjithë përpjekjet tona u përqëndruan në kontaktimin e personave dhe institucioneve, që do mundësonin sendërtimin e saj. Pas një beteje dyvjeçare, i vetmi institucion që përqafoi idenë e ekspozitës në Tiranë, ishte Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje (COD), e cila ndërmori kurimin dhe realizimin tërësor të këtij projekti.
Ekspozita e dytë, “Fillimi. Mbarimi”, me kuratorë Genti Gjikolën dhe autoren e shkrimit, u çel në korrik të 2018-ës në mjediset e COD-it dhe përbëhej prej 100 fotografive, ku prezantohej gjithë rrugëtimi fotografik i Setboun në Shqipëri, nga viti 1981, dhe deri në fillimet e para të viteve ‘90. Tematika e ekspozitës lidhej me jetën e shqiptarëve gjatë dy periudhave, paradat komuniste, sloganet politike, gruan shqiptare, nxënësit e shkollave, eksodin, anijet e tejmbushura, vizitën e Nënë Terezës, ndërtesat fetare, që ishin shndërruar në kullota kafshësh, kapanone fjetjeje e gjithfarësoj veprimtarish të tjera, ringjalljen e fesë, qendrat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, dasmat në Shqipëri, ardhjen e demokracisë, dhe shumë aspekte të tjera të përditshmërisë shqiptare.
Në të njëjtën periudhë, Kryeministri Edi Rama do i propozojë Setboun idenë e rigjetjes së personave të fotografuar dikur prej tij, projekt i cili u realizua përgjatë periudhës nëntor 2018 - prill 2019. Përgjatë nëntorit të 2018-ës, arritëm të rizbulonim 17 njerëz nga e shkuara, duke ndjekur itenerarin Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Dropull, Sarandë, Vlorë, Berat, Kuçovë, Lushnjë, Kavajë, Durrës, Tiranë. Ky kërkim nuk ishte aspak i lehtë, sidomos në rastet kur nuk kishim asnjë informacion paraprak për personin e fotografisë, përveç vendndodhjes së dikurshme. Në rastin e Derviçanit, për shkak të lidhjeve të afërta, ishte më e lehtë të kontaktonim me njerëzit e fotografive, por pavarësisht këtij lehtësimi, kishte dhe befasira të mrekullueshme, si njeriu i autokinemasë.
Fotografia e dikurshme e autokinemasë nga qyteti i Gjirokastrës, me figurën e shoferit ku dukeshin vetëm flokët dhe një dorë, do të ishte e pamundur të identifikohej prej banorëve dhe kalimtarëve të ndryshëm. Por, një shkëndijë nga fëmijëria ime, kur shkoja në Derviçan gjatë pushimeve verore, ishte ajo që na ndihmoi ta rigjenim pas kaq vitesh. Jorgo Ikonomi, një nga “autokinematë” e paktë të asaj kohe në Shqipëri, i cili pavarësisht origjinës së tij nga Pogoni i Gjirokastrës, ishte rritur dhe shkolluar në Tiranë, do të ndiqte rrugëtimin e kundërt: nga kryeqyteti do të zhvendosej në Gjirokastër për të shpërndarë filmat e asaj kohe në gjithë zonën e Jugut.
Çdo personazh që takuam, kishte veçantësinë e tij, historinë e tij personale, e denjë të frymëzojë çdo regjisor apo shkrimtar librash. Personazhi më kinematografik në periudhën e parë të udhëtimit ishte një person i gjetur krejt rastësisht në Plug të Lushnjës. Hutimi i çasteve të para kur ndeshi veten e tij, u pasua nga refuzimi i imazhit të tij të dikurshëm. Këmbëngulte që nuk ishte ai, derisa mohimi i fillimit u tret nga një buzëqeshje e ndrojtur. Gjatë komunizmit punonte si kasap, ndërsa në vitet e demokracisë si taksixhi, dhe ky ndërrim profesioni, përveç fizikut të tij të transformuar, shfaqej edhe në ngadalësinë e të folurit dhe mungesës së tempit e nervit të dikurshëm.
Udhëtimi i dytë, u realizua në prill të 2019-ës, por këtë herë nga Tirana drejt Veriut të Shqipërisë. Në këtë udhëtim, Shkodra kishte një rëndësi të veçantë, pasi pjesa më e madhe e fotografive nga Veriu i Shqipërisë i përkisnin qytetit të Shkodrës dhe rrethinave të saj. Takimet më dramatike ishin ato me familjarët e tre martirëve të Shkodrës, Arben Brocit, Besnik Cekës dhe Bujar Bishanakut, të cilët porsa panë fotografitë nga ceremonia e varrimit të vëllezërve të tyre, filluan të tregojnë me dhimbje për momentet e kobshme të lajmit të vdekjes. Por, çasti më interesant në rrethin e Shkodrës, ishte ai i takimit me Anën dhe Frederikun, motër e vëlla, që në fotografitë e hershme nga dasma e Anës, shfaqen duke qarë me ngashërima. Frederiku vazhdonte të banonte në fshatin Rragam dhe Ana në një fshat të afërt, në Juban. Ne udhëtuam në të dyja fshatrat, dhe i fotografuam siç janë sot, rreth 30 vite më pas. Fotografia e motrës me vëllain që qan në ditën e dasmës së saj, është ndër fotografitë më të njohura të Setboun, simbol i dhimbjes së nuses shqiptare kur largohet nga vatra prindërore dhe tragjizmit të riteve të asaj kohe. Udhëtimi në veri të Shqipërisë u mbyll me rigjetjen e 7 personazheve nga rrethi i Shkodrës, ndërsa në Fushkrujë, Krujë, Laç, Shëngjin, Lezhë, Kukës, Burrel, ishte e pamundur rigjetja e njerëzve të fotografuar gjatë viteve’ 80 e fillim të ‘90-ve.
Gjithë shtegtimi fotografik i Setboun u mbyll me zbulimin e 25 personazheve, ku një vend të veçantë në ekspozitë dhe në albumin përkatës, zë fotografia e skulptorit dhe pedagogut Arben Bajos, i cili ndërroi jetë si pasojë e Covid-it në gusht të 2020-ës. Bajo i fotografuar si student në fund të viteve ‘80 në Akademinë e Arteve dhe Bajo si pedagog i skulpturës rrethuar nga studentët e tij në prill të 2019-ës.
Ekspozita “40 vjet histori në vendin e shqiponjave”, u ndërtua mbi pranëvënien e botës fizike dhe shpirtërore të këtyre njerëzve, të shtegtimit të tyre në kohë, të përvojave të tyre njerëzore, të ciklit jetë-vdekje. Por krahas portreteve njerëzore, fotografi ka rrokur edhe një numër të konsiderueshëm objektesh, vendesh, qytetetesh e peizazhesh, duke dhënë një sintezë të së vjetrës me të renë, të bashkëekzistencës harmonike ose kontradiktore të elementëve të ndryshëm arkitekturorë, socialë, kulturorë e politikë.

Add new comment