Projekti politik i kryebashkiakut të Tiranës është Berisha

Postuar në 05 Maj, 2023 23:13

Socialistët kanë hequr dorë nga termi ndryshim. I përdorur së tepërmi, termi në fjalë nuk kumton më asgjë me kuptim: nga të vijë ndryshimi në një vend ku nuk ka asnjë ide?

Në vend të kësaj është zgjedhur termi: Përpara! Gjithnjë me idenë se zhvillimi ka nisur dhe nuk duhet të ndalë. Në këtë devizë nuk ka asgjë konkrete, vetëm propagandë. Dhe për ta mbajtur në këmbë atë mjafton kundërshtari politik nën emrat e Berishës dhe Metës. Mirëpo njerëzit do të votojnë më 14 maj edhe për emra konkretë. Nëse sot na thonë se kandidatët e PD-së janë njerëz të Berishës, atëherë kuptohet se zgjedhja është mes ushtarëve të tij dhe atyre të Edi Ramës. I tillë është edhe kryebashkiaku i Tiranës që bën fushatë elektorale me përmbajtje politike. P.sh në një takim me njerëz në Tiranë, kryebashkiaku ndër të tjera është shprehur se: 

Berisha nuk shkon dot deri në Rinas sepse ka një hall të madh. Është ‘non-grata’. Pyetja për demokratët është: Pse halli i Saliut duhet të jetë halli yt? Ilir Meta ka gjithashtu një hall të madh. Ilir Meta sot është spiun i sigurimit, fuksi lagjes, 20-lekëshi që shkonte spiunonte shokët kush shikonte televizionet e huaja, kush shante te radha e qumështit e mishit aty te Lumja, kush ishte te tolloni dhe ankohej. Është bashkuar sigurimsi, fuksi i lagjes, me një ish-komunist të diskretituar dhe janë sot në hall…

Shqipëria ju ka dhënë atyre gjëra që ne të tjerëve nuk na i ka dhënë. I ka bërë presidentë, i ka bërë kryeministra, i ka pasur tërë jetën deputetë. Shqipërisë ata i kanë marrë gjithçka pa i dhënë asgjë…Sot nuk diskutohen dy parti, nuk diskutohen dy logo, nuk diskutohen dy numra, diskutohen dy ide. Një ide që do të na çojë mbrapa dhe thotë i bëjmë luftë Amerikës, t’i hapim luftë 1 milion pemëve, t’i hapim luftë artistëve, dhe ka një forcë tjetër që thotë: Jo, ne e duam Amerikën, e duam Europën, i duam pemët, e duam artin dhe kulturën dhe ne duam që Tirana jonë të ecë vetëm përpara

Vallë të jetë ky njeri kaq antagonist me Berishën?! 

Nga ana tjetër: Çfarë lidhje kanë këto me problemet konkrete të Tiranës?

Si e ka bllokuar Sali Berisha dhe Ilir Meta trafikun në Tiranë, si e kanë shtrenjtuar ata jetesën këtu? 

Si kanë ndikuar Meta dhe Berisha që çmimet në Tiranë të kapin majat dhe si këta të dy kanë ndikuar që zona historike e qytetit të zhbëhet sa hap e mbyll sytë? Cila është përgjegjësia e këtyre të dyve për ndotjen në Tiranë, për ajrin dhe për faktin se uji vazhdon me orar? 

Statusi politik i tyre, në kontekstin e votimeve të 14 majit duhet të lidhet me problemet e përditshme, sepse zgjedhjet një ditë janë, mandej jeta vazhdon njësoj. Njësoj edhe me kryebashkiakun, që nëse fiton sërish, do nisë zakonin që çdo vërejtje apo kundërshtim për çështje të caktuara ta inkuadrojë te patologjitë e pakicave të zhurmshme. 

Fushata politike në Tiranë është një dredhi e dikujt që nuk ka siguri për rezultatin, edhe përballë një kandidati pa peshë si Belind Këlliçi. Sepse nuk ka se çfarë të thotë, nuk përfaqëson më as në suazën e demagogjisë të ardhmen. 

Problemi tjetër me kryebashkiakun është edhe fakti se sillet dhe flet si njeri ordiner. Dhe ka defiçite në ato që thotë sepse shpresa e tij për fitore bazohet në një strategji intuitive: kërkoje votën nga injorantët me gjuhën e tyre. 

Përndryshe kur kryebashkiaku thotë se “Shqipëria u ka dhënë gjithçka Metës dhe Berishës” nuk thotë vërtetën. Ata janë votuar nga një pjesë njerëzish, por ofiqet ua ka dhënë edhe partia e kryebashkiakut.

Është votuar ndonjëherë ky njeri pa sigurimet e PS-së? 

Kanalizimi në këtë hulli i diskutimeve në fushatë në fakt tradhëton mungesën e premtimeve dhe ideve, duke tentuar të zhurmojë qëndrimet e kandidatit përballë. Përherë me shpresën se emri i dyshes Meta-Berisha jep momentumin e një konfirmimi. Po nuk është kjo që pret një qytet nga menaxheri i vet dhe pse tentohet të dilet nga ky kuadër, kjo jep të kuptojë se mosbesimi e ka bërë votën të palexueshme. 

s.zaimi

Comments

Submitted by dori (not verified) on

"... nje kandidati pa peshe si Belind Kelliqi..." - qe te besh nje pohim te tille, duhet te kesh parasysh kunderpeshen. Cila eshte kunderpesha e Kelliqit? Besoj se zoti Zaimi mendon ndonje te se ashtuquajtures "zone gri". Per mendimin tim, keta te "zones gri" jane qytetaret me te papergjegjshem; nje militante politik , i djathte a i majte qofte, eshte me qytetar, ne kuptimin me e gjere te fjales, se keta gjak-ujet. Nga ana tjeter, nuk thuhet nje e vertete, sepse konsiderohet tabu nga te gjitha palet: epersia e te majteve ne Tirane, sepse per 45 vite diktature komuniste (toske), kryeqyeti pati nje dyndje te panderprere qytetaresh nga toskeria, te gjithe keta mbeshtesdhe besnike te regjimit; shume pake, jashtezakonisht shume pake nga gegeria. Tiranasit autoktone, megjithe respektin, ose pa te krejt fare, pse jo, nuk kane asnje peshe; keta jane qenie amorfo-apolitike; Zani Caushi i Vlores , pat thene dicka per keta te Shqiperise se mesme. Keshtu, sfida e te djathtes ne Tirane eshte te terheqe kete mase shallvaresh qe bie era gjize e raki, per te mundur te majtet.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ca thu mo Dori. Duket sikur nuk vika ne pushtet e djathta pa gjak. Ne fakt ceshtja eshte me e thjeshte. Sali Berisha eshte ulur kembekryq dhe nuk e len te djathten te ngrihet. Ka qene aty edhe kur "drejtonte Luli". Dhe eshte e vertete qe rrin aty vetem per hallet e veta. Sepse nuk u merzit fare kur humbi votimet dhe ti thoshte Lulit dil matane (mos me thuaj se nuk e bente dot) ne 2021 por vetem kur ju preken interesat e veta.

Submitted by dori (not verified) on

Nuk thuhet per te djathten se vjen, apo jo, ne pushtet me gjak. Kjo shprehje eshte ekskluzive per te majten; eshte shpikur per te dhe perdoret vetem ne kete kuptim. Edhe qe Berisha "eshte ulur dhe se len te djathten te ngrihet" eshte perdorur qe ne fillimvitet '90. Namik Hoti pat thene dicka te ngjashme per Berishen,qe eshte e bere e famshme: maloku po i hypi kalit, nuk i zbret me... nderkohe diktatori fusharak, nga nje qytet-djep i kultures per 45 vite isht emaj kalit, e nuk zbriti qe andej derisa vdiq! E ta mendosh qe kur thoshin keshtu per Saliun, i kishte a si kishte 2 vjet ne pushtet.
Pikerisht se druheshin se mos Berisha, pas humbjes se 25 prillit 2021, do te mund te ndiqte rrugen e kontestimit dhe protestave, u shpall nongrata; kjo eshte nje e vertete qe te gjithe ata qe duan ta dine e dine.
Elektorati socialist eshte me i madh se ai demokrat; keshtu ka qene perhere. Keshtu qe ne nisje ka njesilloj pabarazie. Elektorai, i ashtuquajtur gri, eshte ne perberje te majte dhe te djathte; keshtu, kur u ngrehet te votojne nje pjese te tyre, perseri do te votojne sipas preferencave politike, ata qe jane te djathte te djathten dhe anasjellas; ata qe mund ta japin voten ashtu sic mendohet teorikisht se e japin grigjot, jane te paket, shume te paket. Energjia e jashtezakonshme e Berishes ka bere qe kjo e djathte me e vogel numerikisht te vije dy here ne pushtet, pa llogaritur ate te vitit 1992. Eshte kjo arsyeja, se pse te gjithe i jane sulur si lukuni qejsh te egjer atij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.