Pa biletë në shfaqje

Postuar në 04 Prill, 2023 00:23

Në një diskutim në “Të Paekspozuarit” në MCN Tv, deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka zbardhur disa prej situatave gati skandaloze të funskionimit të përtisë së drejtuar me prokurë nga Alibeaj. 

Për kandidatët, Sula ka deklaruar se Alibeaj dhe kryesia me 3 anëtarë ka zhbërë vendimin e Grupit Parlamentar, çka sipas tij do të kërkojë zgjidhje pas 14 majit me nisma që sipas tij kalojnë detyrimisht nga zgjedhjet. Sula ka shtuar madje se kandidati për në Vaun e Dejës është miratuar vetëm me firmën e Alibeajt, ndonëse kryesia dhe Grupi Parlamentar ka qenë kundër. 

Pse përbën skandal një gjë e tillë? Sepse mënyra e veprimit dhe vendimit të kujton shkarkimin e Sali Berishës me vendim personal, apo më saktë me deklaratë personale të Lulzim Bashës nën tutorialitetin e të tjerëve. Çka passolli këtë që shohim sot duke vendosur një standard negativ dhe subversiv për atë që quhet demokraci. 

Teza e trajtuar se Alibeaj ka vendosur kandidatë aty ku i leverdis PS-së për të çarë votat e të djathtës për të qëndruar mandej jashtë zgjedhjeve në tërësi për t’i lënë faturë dështimi Berishës shënon një tjetër konteskt intrige që konsideron një investim politik nga shumë aktorë që kanë si synim pastrimin e opozitës nga vetëm dy përsona. Thjesht me një truk mediatik dhe procedurial. 

Momenti është përcaktues për opozitën në tërësi, por edhe shumicën. Problemi me zgjedhjet e kërkuara nga Sula dhe eventualisht nga një grup brenda PD-së për ekipin drejtues përfaqëson vetëm një opsion për trajtimin e krizës në radhët e saj. Pasi po bëhet e qartë se në atë parti, asgjë nuk ndodh më, pa aksionet e Ilir Metës. Me të cilin në fakt po merret më së shumti edhe pushteti. Me parët e gruas së tij, me akuzat dhe sulmet, si pasojë e dosjes së inceneratorit të Tiranës për të cilin kreu i SPAK shpalli dështimin pse nuk i dihen pronarët. Pra, si do të rikonstituohet PD-ja pa miratimin e Berishës dhe Metës që janë bashkë tashmë në lundrimin e fundit të tyre politik? 

Ky është një problem me shumë të panjohura, pasi po bëhet e qartë se inceneratori i Tiranës, nëse ecën në rrugën penale të insistuar nga PL-ja do të çojë në kryqëzim Erjon Veliajn, i cili me aq sa njihet mirë, do të kërkojë ujdinë. Nuk dihet sigurisht se sa shanse ka Belind Këlliçi, por ai në këtë betejë po ndihmohet nga skandali i inceneratorit, problemet e kullave dhe propozimi i transportit falas që kapi në befasi palën kundërshtare. Të imagjinojmë për një moment rezultatin në këshillin bashkiak; një kontroll i atyshëm nga opozita e neutralizon Bashkinë si shfaqje personale të Erjon Veliajt dhe në atë moment koniunktura ka ndryshuar. 

Të gjithë këto elementë politikë që ndërveprojnë paraprakisht rikapitalizojnë opozitën jo në vlerën e saj elektorale, por në metodën e re politike të aksionit që konsiston në një sukses: maksimalizimin e presionit pavarësisht një kandidati të dobët. Dyshja Berisha-Meta po investohen për një sukses deri në pikën sa do të riformulojnë atë kur t’u duhet, mjafton që ai të jetë i mjaftueshëm për të kushtëzuar shumën. Dhe në atë pikë, asgjë nga këto që thotë Sula nuk ka vlerë. Do të ketë vlerë vetëm axhenda e Berishës dhe Metës që mund ta zyrtarizojnë kurorën edhe formalisht. E vetmja vlerë e deklaratës së Sulës është fakti se përkundrejt Bashës dhe Alibeajt, edhe për mentalitet politi përveç forcës dhe ndikikit, Berisha mbetet alternativë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.