Turp? Nuk ka turp më në Shqipëri!

Është turp për këdo që ju shikon. Merret masa e përjashtimit për Flamur Nokën nga seanca plenare pasi po zaptoni Foltoren
Kështu është shprehur apo citohe të jetë shprehur kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, pas një sherri në Parlament mes disa deputetëve të dy PD-ve që janë aty.
Në sherr kanë qenë Flamur Noka, Gazmend Bardhi, Luan Baçi dhe Enkelejd Alibeaj. Për ata që nuk e dinë, këta janë deputetë. Kanë edhe imunitet.
Tani sherri në Parlamentin e Shqipërisë është diçka normale. Në një mjedis ku ka hyrë kushdo, nuk ka pse të na çudisë që aty rrihen, shahen, përmirren me njëri-tjetrin dhe në fund bëjnë sikur janë ligjvënës, ndërkohë që vetëm ngrenë dhe ulin dorën.
Ndaj kjo e turpit për të cilën bën thirrje zonja Nikolla ngjan disi pa vend. Nuk është ende e qartë se përse ndodh kjo: jep vota, të tregon besnik, të sjell ndonjë përfitim?
Sepse, politika sot, ose ky zaptimi I vendeve ku merren vendime për pasurimin e njërit apo të tjetrit, është një teatër, të cilin një njeri normal qameti e sheh me frikën se mos i bën ndonjë të pabërë dhe në rastin më të mirë si sekuencë e kalimit të pamjeve në lokalet e Tiranës ku tv-ta janë të stacionuara në atë seli.
Shiheni videon, dëgjojeni dhe mundet t’i japim të gjithë një përgjigje zonjës Nikolla: nuk ka vend për turp.
Ata që janë aty dhe livadhisin si opozitë dhe shumicë janë për paratë e veta, për pronat dhe pasurinë e vet, jo për të ruajtur ndonjë imazh se e sheh qytetari atje në zonën elektorale.
Falmur Noka është po aq aksidental në një farë mënyre në politikë, po aq sa Lindita Nikolla, pse si njëri ashtu edhe tjetri, janë aty për tekat, apo interesat e kryetarëve përkatës.
Sikundër është Alibeaj një aksident tjetër dhe që mbahet me serumin e tjetërkujt në atë karrige.
Ku hyn turpi këtu? Si mundet të thuash një kllouni politik, të kesh turp!?
Në politikë ka aktualisht 3 njerëz që janë vetë: Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha. Këta edhe mund të kenë turp në sensin se mund të mos jenë në gjendje të mbajnë angazhimet që kanë marrë, jo turp në kontekstin e ndonjë kodi moral. Të tjerët janë petë byreku. Me gjithë respektin që duhet të kemi për rolin e kujtdo në këtë botë që është asgjë më shumë sesa një film që përsëritet pa ndalim për spektatorë të ndryshëm.
s.zaimi
Add new comment