Këpusha...(ndoshta) një alegori për sjelljen e tanishme të "opozitës" PD-LSI

Postuar në 12 Dhjetor, 2018 12:29

Në librat e Uexkullit(Jakob Johann Baron von Uexküll - biolog gjerman 1864-1944) gjenden ngjanjëherë përshkrime ilustruese që synojnë të japin idenë sesi do të dukej një segment i botës njerëzore i parë me syrin(dhe nga pikëpamja) e iriqit të detit, mizës apo qenit. Eksperiencë kjo mjaft e vyer, si pasojë e ndjesisë së tëhuajësimit  që ngacmon te lexuesi, i cili detyrohet t’i shohë vendet më të njohura me një sy krejt tjetër, jo-njerëzor. Por ky tëhuajësim tronditës s’ka qenë kurrë më i fortë sesa në rastin e përshkrimit të mprehtë dhe pothuaj mizor, të mjedisit të Ixodes ricinus, e njohur më shumë me emrin e zakonshëm këpusha dhe i cili është padyshim një nga majat e antihumanizmit modern…

Hapja ka pothuaj tonet e një idili romantik:

Banorët pranë peizazheve natyrore, me siguri që gjatë shëtitjeve të tyre bashkë me qenin, nëpër pyje dhe gëmusha, u ka rënë rasti të njihen me një kafshëzë të vockël, që rri e strukur në majat e degëve, duke pritur aty kalimin e presë së vet, kafshë a njeri qoftë, gati për ta lëshuar veten të bjerë mbi të e të nginjet me gjakun e saj. E etur, s’është më shumë se nja dy milimetra, por pas gostisë arrin deri në përmasat e një kokrre bizele.(…) Kur sapo del nga veza kafsha nuk e ka marrë ende formën e plotë: i mungojnë dy këmbë dhe organet gjenitale. Por që nga ky stad është tashmë e aftë të sulmojë kafshët me gjak të ftohtë, si për shembull zhapikun, të cilit i zë pritë në majën e ndonjë fije bari. Pas një cikli metamorfozash dhe formimit të organeve që i mungonin, nis t’i kushtohet e tëra gjuetisë së kafshëve me gjak të ngrohtë. Femra, pasi pllenohet, kacavirret me ndihmën e tetë këmbëve të saj deri në majën e degës së një gëmushe, në mënyrë që prej aty, nga lartësia  e duhur dhe në çastin e duhur, të mund ta lëshojë veten për të rënë në njërin nga gjitarët që kalojnë pari, ose t’i ngjitet pas fërkimit ndonjë kafshe më të madhe…

Le të përpiqemi tani të përfytyrojmë, sipas udhëzimeve dhe informacioneve të Uexkullit, këpushën e varur në majën e degës, gjatë një dite të bukur vere, nën vezullimin e dritës së diellit dhe të zhytur në një lumë ngjyrash e aromash nga lulet e fushës, gumëzhimat e bletëve dhe insekteve të tjera, kënga e zogjve etj. Mirëpo, kot e kemi. Në këtë pikë idili prej kohësh ka marrë fund, ngase nga të gjitha këto që thamë, këpusha nuk arrin të perceptojë absolutisht asgjë.

Ky lloj kafshe është pa sy dhe vendin e pusisë e gjen vetëm në sajë të lëkurës, e cila është e ndjeshme ndaj dritës. Kaçaku ynë i rrugëve dhe shtigjeve është krejtësisht i verbër dhe shurdh dhe afrimin e presë e ndjen vetëm me anë të nuhatjes. Era e acidit butirik që del nga mëshikëzat dhjamore të lëkurës së çdo gjitari vepron mbi të si ngacmim që e njofton të braktisë vendin dhe të lëshohet qorrazi në drejtim të presë. Nëse fati i mirë bën që të bjerë në diçka të ngrohtë(gjë që e percepton me anën e një organi që bëhet i ndjeshëm në një temperaturë të caktuar), kjo do të thotë se objektivi është përmbushur, se ka arritur te kafsha me gjak të ngrohtë; që nga ai çast i duhet të përdorë vetëm ndjesinë e prekjes për të gjetur vendin që ka sa më pak qime dhe për ta zhytur kokën në lëkurën e saj. Aty mund të thithë ngadalë ca shkulma gjaku të ngrohtë” .

Natyrshëm do të mendonim në këtë çast se këpushës i pëlqen të paktën shija e gjakut, ose ka ndonjë organ të veçantë që i lejon ta ndjejë dhe dallojë atë. Por ja që s’është kështu. Uexkull-i na vë në dijeni se eksperimente të ndryshme të bëra në laborator me ndihmën e membranave artificiale të mbushura me lloj-lloj lëngjesh të ngrohta, kanë treguar se këpushës i mungon çdo ndjesi shijeje dhe thith me babëzi çfarëdo lloj lëngu që ka temperaturën e duhur, domethënë 37 gradë e që përkon me atë të gjakut të gjitarëve. Sido që të jetë, gostia e përgjakur e këpushës është njëkohësisht edhe darka e saj e mbrame, sepse s’i mbetet më gjë të bëjë veçse të bjerë në tokë, të pjellë aty vezë dhe të ngordhë…

Shënim: Pjesëza më sipër e sjellë me disa shkurtime është shkëputur nga libri “Çelnaja, njeriu, kafsha, politika”, me autor Giorgio Agamben, filozof bashkëkohor italian. Libri është përkthyer shqip në vitin 2005 nga shtëpia botuese “Zenit Editions”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.