Vuvuzelat e nacionalizmit folklorik

Postuar në 11 Korrik, 2015 16:25

Qëkurse “Digitalb” mori në dorëzim kombëtaren shqiptare të futbollit, pra u bë sponsor zyrtar i saj, një sërë veprimesh nisën të bien në sy. Veprimet që krijojnë përshtypjen jo vetëm të një imponimi publicitar agresiv, por edhe të një axhende që pak ka të bëjë me një kombëtare futbolli. Në parantezë të gjithë duhet të kuptojnë se kombëtarja e çdo sporti, sa kohë rreshtohet në heshtje para himnit dhe simboleve kombëtare-shtetërore, përfaqëson jo vetëm tifozët dhe sponsorët, por të gjithë shqiptarët e Shqipërisë. Të cilët nuk aderojnë domosdoshmërisht në axhendat politiko-nacional-folklorike që u shiten përmes kombëtares, nga e cila presin nivel të lartë sportiv. Si fillim ra në sy fanella me mbishkrimin “Digitalb”, që krijoi polemika. Polemika që mbetën pa përgjigje, sa kohë askush nga FShF-ja apo qeveria nuk e hapi gojën. Pastaj vazhdoi me këngën e kombëtares, me një tekst nacionalist dhe me simbole që tejkalojnë kufijtë e angazhimit sportiv që një kombëtare futbolli ka. Tekst që nuk dihet se çfarë mesazhe sportive përcjell. Së fundmi, sponsori i kombëtares, paralajmëron se ditën e hënë do shfaqë një dokumentar: “Autochthonous”. Imazh promocional është fytyra e Ismail Morinës, personi që u përfol si autor i lëshimit të dronit mbi stadiumin e Beogradit në ndeshjen me Serbinë, më 14 tetor 2014. Baneri “Autochthonous” shoqëruar me figurat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit në një hartë që përfshin territore që nuk i përkasin Shqipërisë, është parë që pas ndeshjes edhe në studion e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk lë rast pa u përshtatur me humorin e ditës, por edhe në murin kryesor të kryeministrisë, me rastin e urimeve për Vitin e Ri. Të paktën Berisha tregohet më i sinqertë, në ndryshim nga aktet prej skuthi të kryeministrit aktual. Për t’u rikthyer te dokumentari: nuk ka asgjë të keqe që një tv privat, apo platformë, të realizojë dokumentarin që do, por tingëllon e papërshtatshme që sponsori të bëjë një dokumentar që i bën jehonë ngjarjeve dhe simbolikave që ngjallin polemika. Ato mund të identifikojnë një grup tifozësh, por jo të gjithë shqiptarët. Por vallë ai i lejohet një sponsori që të veprojë si tifoz? Nëse është kështu, atëherë do ishte mirë që edhe ndeshjet e kombëtares të na jepeshin pa pagesën indirekte që është vendosur së fundmi. Nga ana tjetër, në vendimin e fundit të CAS, Shqiëprisë iu la gjoba 100 mijë euro për dronin. Ndaj kjo “giallo” që po na shet tani sponsori, nuk është asgjë më shumë sesa marketing. Marketing që merr për bazë “logjikën” e “vox pop” dhe kërkon të shfaqet para tifozëve, që janë edhe klientë, ose ish-klientë këto kohët e fundit, me një krekosje dëshpërimi(së fundmi platforma “Tring” fitoi të drejtat e transmetimit të Champions League, një fitore kjo në treg). Në çdo rast, festa u takon shqiptarëve, por askush nuk mund të caktojë simbolet e përfaqësimit të tyre. Politika e ka këtë zakon. Por për atë kemi paguar të gjithë shumë për një kontratë që mbetet verbale. Me sponsorin ka kontratë konkrete dhe paguhet në lekë. Ndaj pak më shumë seriozitet është minimumi për “një kompani lider”. Sidomos kur paratë i japin të gjithë.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.