"Ti do të më burgosësh..."

Postuar në 05 Tetor, 2012 03:32

"Sapo i çova këtë mesazh Sali Berishës: Kryeministër, jam Erjon Braçe! U bë e disata herë që ju personalisht merreni me mua dhe për fat të keq aludoni për lidhje kriminale të miat. Keni 8 vjet që hetoni në mënyrë të ligjshme, por më shumë të paligjshme për mua, deri në urdhërimin e hapjes së tre palë arkivave, nga ato të Sigurimit të Shtetit, deri tek ato të Policisë Kriminale e më gjerë, nga koha e komunizmit deri në ditët e tua. S’ke gjetur gjë. Unë vetë i jam drejtuar Prokurorisë për akuzat e tua dhe tani disponoj vendime të Prokurorisë, si dhe shkreza të zyrtarëve të policisë që ti kontrollon, që referojnë pastërti absolute për mua. Po e përsëris, të zyrtarëve të tu. Meqë tani s’jam më 23 vjeç, moshë kur hyra në Kuvend përmes rrahjes barbare të njerëzve të tu, por 41 vjeç, duke kaluar përmes një sërë veprimesh kriminale të pushtetit tënd ndaj meje, ka ardhur koha që ta ndalësh këtë fushatë të ndyrë! Atë që the e mora për kërcënim të hapur ndaj jetës sime dhe familjes sime. Ti do të më burgosësh! Bëje. Unë këtu do jem. Por mos shpif më. Është turp të shpifësh. Unë kurrë nuk kam thënë që kam dokumente sekrete. Kam thënë me plot gojën që kam dokumente tregtare dhe urdhëra publike. Asnjë, po asnjë fare nga ato që kam publikuar, nuk ka sigël të tillë Asnjë. Deklarimi yt kundër këtij fakti është i rëndë. Ti ose s’di gjë, ose po fallsifikon për të kërcënuar jetën time. Por, më e rënda është që ti që deri sot po heshtje, tani po mbron veprime abusive, deri kriminale të ministrit të Mbrojtjes. Është zgjedhja jote. Mua përballë me ke dhe nuk iki e nuk hesht. Vetëm po më vrave do më ndalësh së thëni të vërtetën. Kaq“.

Deputeti socialist, Erion Braçe, pas deklaratës së djeshme të k/ministrit Berisha kundër tij, duke thënë se do të mbajë përgjegjësi për denoncimet ndaj Imamit, është shprehur se ndjehet i kërcënuar. Braçe thotë se Berisha kërkon që ta arrestojë. Menjëherë pas konferencës së djeshme për shtyp të Berishës, i ka dërguar atij mesazhin e mësipërm, sipas faqes së tij në FB. - A.N.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.