Pikëllim facebooku

Postuar në 04 Korrik, 2015 11:41

Një situatë e përzishme ka mbushur rrjetet sociale. Qaramane, e trishtë e disi qesharake. Komentues të përhershëm dhe të tjerë që shkruajnë më rrallë po publikojnë shënime të njëpasnjëshme rreth tragjedisë më të fundit të shqiptarëve me të huajt. Dy turistë çekë gjetën vdekjen në një zonë të thellë të veriut të vendit dhe  politikanë por dhe njerëz të tjetër publikë nga Tirana, prej shtëpive të tyre komode apo në ndonjë rast dhe nga zyrat me ajër të kondicionuar,  lëshuan nga pak rreshta në facebook. “M'vjen kaq turp për barbarinë e djeshme (të përsëritur)... Kaq shume turp! Derra! Shtazë!” shkruan Ledi Shamku në statusin e saj. Ndërsa në statusin e gjatë të Emiliano Aleksit, këshilltar i Ilir Metës, do të shkëpusja vetëm dy rreshta: “Të gjithë kemi faj për vdekjen e Michal Svatos, Anna Kosinova. Na fal Michal dhe Anna! që nuk ditëm t’ju mbronim, që nuk ditëm t’ju prisnim si miq”. “Pika mikpritjes sonë hipokrite dhe e gënjeshtërt...”, shkruan Artan Fuga në fund të statusit të tij që duket më afër realitetit.

Të gjithë e kanë kthyer tytën e armës nga vetja, si në rastin e një “vetëvrasjeje” kolektive: e kanë me shqiptarët që vrasin miqtë.  Kërkojnë kthimin e dënimit me vdekje, një qiri për çekët e vrarë, madje të sotmen e kanë shpallur ditë zije. “Unë jam Çifti i Turisteve Çeke të vrarë në pabesi nga ty moj shkërdhata Shqipëri!”, shkruan një “dikush”, deri diku edhe i njohur. Por në fakt a nuk vriten çdo ditë shqiptarët kështu? A nuk ka përditë vrasje të pakuptimta për inate të vogla hundëderrash? A nuk ka grabitje, rrahje nga policia, dhunë dhe plagosje anembanë vendit? Natyrisht që po. Nuk ka qirinj për ta, as ditë zije, as thirrje për kthim të dënimit me vdekje. Pse asnjë se vë ujët në zjarr? Pse asnjë se ka me “shkërdhatën Shqipëri”?

Ky vajtimi moral kombëtar, kjo hipokrizi, sidomos nga politika si shkaktarja kryesore që e ka sjellë vendin deri këtu, është pak të thuash se të sjell zorrët në grykë. E si për të zënë sytë ndaj krimit që “na ka hyrë në gjak” e që e shohim vetëm kur ndonjë jabanxhi shkon për dhjamë qeni, gjenden edhe ca fabula trollësh: ka një dorë këtu. Konspiracion i madh. Dymijë vjet konspiracion. Një dorë që hodhi vajin në Dhërmi për të prishur turizmin e shkëlqyer në bregdet, ka një “mallkim çekësh” që po këputen radhë për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Edhe kur pa... në vigjilje të vizitës së kancelares Merkel. Po kështu kishte një dorë edhe kur sportistët tanë u kapën me dopping. Edhe sikur, kjo “dorë” do ta kishte të lehtë në një vend ku jeta po shkon sa një thes miell. Më saktë, thjesht sa do na “jepte një dorë” në atë që po dimë ta bëjmë lirshëm thuajse përditë. Kështu si ka ardhur puna, mbase biem dakord që të caktojmë si komb vetëm “Të Tretat” për t’u kujtuar. Se aq edhe zgjat...

 

l.veizi

Comments

Submitted by Ani (not verified) on

Ka nje dore grup njerezish injorante qe kerkojne lelun e shpejte dhe pa e ngritur prapanicen te punojne. Nje dore ku femra duhet te beje gjithcka, motra te ngrihet ne mengjes e te beje gjithcka gatibper mbreterit e shtepise e te shpejtoje te martohet pa e zene 16-ta se ndryshe eshte e perdale e ngelet ne shtepi. Ka nje dore populli viktimizues qe pretendon se meqe na ka vuajtur shume ne komunizem tani na meriton shume dhe duhet ta marre me te drejte. Popull qe shkaterroi Dhermk, Sarande, Tirane e cdo cep te Shqiperise duke i marre nga nje cope asaj e duke u shqyer me njeri tjetrin si kafshe kush e kush te marre kafshaten me te madhe. Nje popull qe plas e vdes nese sheh komshiun/vellane me mire se veten. Nje popull qe rrit femijen me pikepyetjen "U be biri filanit me mire se ty, a s'te vjen turp?"
Nje popull qe vret cdo dite femije, endrra e shpresa duke u kapur aq fort pas injorances. Duhet te lexohen gjithmone dhe anet e tjera por boll me duke u mubduar te gjejme pergjigjien te politika e jashtme dhe e brendshme. Shoqeria shqiptare vjen ende nga nje familje jo e shendetshme. Dhe qe aty duhet te fillojme e te analizojme. Qe aty fillon deshtimi yne.
E sigurisht duhet ngritur ky ze, por jo nga meshkujt, ata jane rehat, por nga femrat. Dhe ku status nuk eshte aspak me qellim feminizues por kjo eshte situata jone.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.