Lajmi më jetëgjatë në Shqipëri: Ujë me orar

Postuar në 26 Korrik, 2015 05:21

Ndërmarrja “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” njofton qytetarët se kufizimet në furnizimin me ujë të pijshëm, po ndodhin për shkak të thatësirës së madhe. “Prurjet në ujëmbledhës kanë rënë”, njofton UKT që shton se konsumi është rritur. Kufizimet janë në disa zona të Tiranës dhe mund të imagjinohet lehtë se çfarë do të thotë të mos kesh ujë në shtëpi në këto kohë. UKT njofton se kufizimet nuk kanë lidhje me remontin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, pra me furnizimin me energji të sistemit. Në çdo rast është irrituese të vijohet ende në 2015-ën me arsyetime të tilla: është thatësirë, presim ujin. Ka shumë shu, përmbytet qyteti. Po kështu, argumenti se ka shumë konsum do marrë relativisht në konsideratë, pasi pas datës 15 korrik nga Tirana janë larguar jo pak qytetarë që kanë shkuar për pushime. Po kështu, ngjan i çuditshëm ky argumenti i thatësirës, po të kemi parasysh se pak ditë më parë u njoftua një tender i Korporatës Energjetike Shqiptare për blerje energjie. Lajmi vinte në dukje “anormalitetin” e tenderit pasi “niveli i hidrocentralit të Fierzës është në kuotën 289 metra, një kuotë më se optimale për sezonin”. Ndoshta janë dy sektorë që nuk mund të krahasohen, por gjithsesi thatësira nuk ka seis të godasë vetëm Tiranën. Paaftësia në menaxhim ndoshta. U lindëm, u rritëm dhe do vdesim ndoshta në një vend që na përcolli me ujë me orar në shtëpi. Dhe kjo edhe kur si komb ruanim si të shenjtë zakonin e larjes vetëm një herë në javë. Pra edhe kur nuk e “shpërdoronim” fare ujin.
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.