Skandali me borxhet ndaj CEZ

Postuar në 18 Dhjetor, 2012 02:54

Në tetor Parlamenti miratoi një akt normativ, përmes të cilit qeveria i hoqi pushtetit vendor 1.3 miliardë lekë grante, për ta detyruar atë të paguajë borxhet ndaj CEZ.

Me gjithë kundërshtimin e fortë që shkaktoi kjo masë, qeveria tha se bashkitë dhe komunat e kanë detyrim ligjor të shlyejnë faturat e energjisë për ujësjellësat.

Për shkak se edhe CEZ kishte borxhe ndaj KESH, qeveria premtoi se në finale paratë që po i merreshin pushtetit vendor do të përfundonin në llogaritë e KESH, përmes një skeme të paracaktuar, ku fondet do të derdheshin fillimisht në llogaritë e CEZ në një nga bankat ku KESH mund

 

të kërkonte bllokimin e tyre.

Kjo pikë madje ka qenë e vendosur edhe në memon e brendshme që ministri i Financave nxorri në lidhje me këtë çështje. Por memoja nuk u zbatua dhe paratë nuk shkuan asnjëherë në llogaritë e KESH.

Deri tani qeveria ka shlyer rreth 700 milionë lekë CEZ-it nga fondi 1.3 miliardë, por Top Channel zotëron informacione të sigurta se në arkën e KESH nuk përfundoi asnjë qindarkë. Paratë shkuan diku tjetër.

Dy ditë më parë Top Channel publikoi kontratat që kompania CEZ ka lidhur me disa kompani private për mbledhjen e borxhit. Dokumentat tregojnë se për çdo borxh që CEZ arkëton nga buxhetorët dhe jobuxhetorët, ku përfshihen edhe ujësjellësat, këto kompani përfitojnë 28 deri në 50 për qind të shumës.

Një skandal financiar, që ka kaluar gati gjysmën e parave që qeveria i hoqi me dhunë bashkive dhe komunave, në llogaritë e kompanive seksere në rolin e përmbaruesit privat, përkundrejt asnjë shërbimi publik. I vetmi shërbim i tyre është se lidhjet me pushtetin u lejojnë të diktojnë vendime në qeveri.

Transaksioni ka funksionuar sipas një skeme të mirëpërcaktuar, ku paratë në fillim janë derdhur në degët e thesarit nëpër rrethe, janë arkëtuar në llogaritë e CEZ dhe kjo e fundit një pjesë të tyre ja u ka kaluar kompanive seksere sipas marrëveshjeve që kishte me to.

Ndërkaq, qindra punonjës në bashkitë dhe komunat e vendit kanë disa muaj që nuk marrin pagat, ndërsa shumë prej njësive vendore kanë cënuar edhe shërbimet publike më të domosdoshme për qytetarët nga shkurtimi i grantit.

 

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.