Rama takon kryeministren e Danimarkës

Postuar në 09 Maj, 2013 03:32

Mbretëria e Danimarkës ishte ndalesa e radhës e Edi Ramës, në një tur europian që ka nisur me Austrinë për të fituar mbështetjen e qeverive europiane. 

Në Kopenhagen Rama u prit nga kryeministrja Helle Thorning-Schmidt, me të cilën diskutoi rreth integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zgjedhjet e 23 qershorit. 

“Patëm një takim shumë të mirë me liderin e opozitës Edi Rama, në të cilin diskutuam për situatën në Shqipëri dhe sigurisht diskutuam për çështjet integruese të Shqipërisë. Kur diskutohet mbi këtë temë gjithnjë diskutohet për zbatimin e ligjit, demokracinë dhe lideri i opozitës më dha një pamje të qartë të brendshme të situatës në Shqipëri pak muaj para zgjedhjeve”, deklaroi zonja Schmidt. 

Siç njofton departamenti i komunikimit në PS, Rama gjatë takimit ka deklaruar se, integrimi nuk mund të vijë në mënyrë mekanike thjesht duke miratuar ligje të cilat më pas postohen drejt Brukselit, por duke kryer reformat e duhura, duke zbatuar legjislacionin dhe duke i dhënë qeverisjes standardet demokratike evropiane. 

“Ishte një takim i shkëlqyer mes miqsh dhe partnerësh brenda familjes së socialistëve europianë dhe ishte një mundësi shumë e mirë për të dhënë një pamje të situatës në Shqipëri në prag të zgjedhjeve. 

Njëkohësisht, për të krijuar një ide të parë dhe të përgjithshme për Programin tonë të Rilindjes, në funksion të një bashkëpunimi me Danimarkën, që ne duam ta shtrijmë më tutje dhe ta forcojmë për të përfituar sa më shumë nga eksperienca, nga dijet dhe nga mbështetja që i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë dhe popullit shqiptar”, deklaroi Rama nga ana e tij.

 

 

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.