Berisha: Ekonomia po zhvillohet, ne do rritim rrogat dhe pensionet

Postuar në 08 Maj, 2013 15:32

 

Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë ka thënë se me të nisur fushat do të futë në fuqi urdhrin që e gjithë administrata publike gjatë fushatës elektorale mos përdorë mjetet publike, më tej ai ka thënë se kreu i opozitës do jetë më i qetë pas këtij vendimi.

“Z.Sekretar i Përgjithshëm ora e fushatës elektorale po afron, duhet të sjellësh urdhrin e kryeministrit që ndalon për të gjithë punonjësit e administratës, duke filluar nga kryeministri që të përdorë mjetet publike në fushatë elektorale, ky është rregulli standard që e kemi vendosur ne. Unë e kuptoj që rivali im që vrapon për të gjetur një gropë në rrugë dhe për të faktuar se nuk janë ndërtuar rrugë, por nga ana tjetër shpall se kryeministrit po udhëton me helikopter, kur më sheh sa në një kënd në një tjetër, atëherë unë do shpall vendimin e prerë, se asnjë qeveritar vendor, asnjë zyrtar i administratës nuk do përdorë mjetet publike për fushatë elektorale. Partitë të marrin përsipër që ditën e tyre të fushatës zyrtare, sidomos udhëhequr dhe nga fakti se qeveria disponon më shumë mjete për shkak të funksioneve zyrtare dhe ato nuk do përdoren për fushatë elektorale”- deklaroi Berisha.

Gjithashtu Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të radhës nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe situatën ekonomike, ku Berisha duke iu referuar mediave ekonomike botërore tha se eksportet janë rritur me 17% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa inflacioni ka regjistruar rënie.

“Sot mediat ekonomike botërore  thanë për Shqipërinë se eksportet janë rritur me 17% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa inflacioni ka regjistruar rënie. Treguesit tërësor janë qartësisht më mirë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe me një perspektivë progresive të tyre, çka tregon se reformat kanë qenë dhe janë mbrojtëse. Seria e dytë që u ndërmorën gjatë muajve të fundit nuk kanë dhënë ende efekt, përkundrazi sjell pakësim në buxhet, megjithatë i garantoj pensionistët dhe punonjësit e administratës se nuk do ketë ndryshim  në qëndrimin tonë për të mbajtur premtimet tona për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Është një politikë konstante e kësaj qeverie, do ndodhë çdo vit për sa kohë qytetarët shqiptarët do votojnë PD-në dhe qeverinë e saj. Ne qëndrojmë pas zotimeve tona”, tha më tej Kryeministri.

Kreu i qeverisë ka ndarë me ministrat e kabinetit të tij, por dhe me publikun e gjerë lajmin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën Iniciativa për Transparencën e Industrive Nxjerrëse (EITI), e cila kryesohet  nga Clare Short.

“Kam dhe një lajm tjetër pozitiv për Shqipërinë. Presidentja e Iniciativës për Transparencën e Industrive Nxjerrëse ka vendosur ti njohë Shqipërisë anëtarësi të plotë  në këtë organizatë, sikundër parashtron një sërë kërkesash për zbatim në të ardhmen. Organizata bazohet në disa principe themelore, si transparenca financiare, bashkëpunimi me komunitetin, respektimi dhe mbrojtja e mjedisit. Kjo organizatë që u krijua në Kombet e Bashkuara ndihmon vendet anëtare sikundër kërkon respektimin e disa kushteve dhe kritereve që janë standardet më të mira të shfrytëzimit të mineraleve, naftës dhe gazit. Anëtarësimi në këtë organizatë mbahet vetëm duke mbajtur standardet e transparences” përfundoi Berisha.

Kkabineti qeveritar në mbledhjen e sotme me akt normativ ka dekretuar kredinë e marrë nga Emiratet e Bashkuara Arabe për nisjen e punimeve të bulevardit të ri të kryeqytetit dhe rehabilitimin e lumit të Lanës. Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij e konsideroi ndërtimin e këtij projekti si zhvillimin më të rëndësishëm të 8-9 viteve të fundit për Tiranën dhe qytetarët e saj.

“Për efekte të veprimtarisë së parlamentit me akt normativ u dekretua kredia e Emirateve të Bashkuara Arabe prej 64 mln dollarë me interes të butë, të leverdishëm shumë, për Tiranën e këtij shekulli, bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës. Përdorëm aktin normativ për kohën shumë të ngushtë që kemi. Falënderoj Presidentin, Kryeministrin dhe Qeverinë e Emirateve të Bashkuara për gatishmërinë dhe shpejtësinë që proceduan për dhënien e kredisë. Me të do ndërtohet gjysma e bulevardit që pret të ndërtohet që nga themelimi i Tiranës moderne, pasi ka ekzistuar në projektet e saj. Lumi i Tiranës, një lum që është përdorur për çdo gjë tjetër, por jo për interesat e qytetarëve do shndërrohet në një nga zonat më kreative. Së shpejti fillon lëvizja e shtyllave të tensionit për tu hapur rrugë fillimit të punimeve, do jetë pak më i gjerë se ekzistuesi, me një sipërfaqe jeshile, ndërtesa moderne dhe lumi do ketë sistemim të shkëlqyer. Lumi me një shpenzim minimal, me një digë që do të ndërtohet mund të krijojë një liqen që e bën në çdo kohë të lundrueshëm për varkat e vogla. E shndërron atë edhe në një zonë me përdorime të shumëllojtë. Këto 64 mln dollarë janë të gjitha të përkushtuara për bulevardin e ri dhe sistemimin e lumit të Tiranës, çka përbën zhvillimin më të rëndësishëm në 8-9 vitet e fundit”, tha ai.

 

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.