OKB: Rreth 300 milionë njerëz vuajtën urinë në 2023

Postuar në 25 Prill, 2024 12:15

Gati 282 milionë njerëz në 59 vende u përballën me urinë akute në vitin 2023. Rripi i Gazës është territori me numrin më të madh të njerëzve që kanë vuajtur nga uria vitin e kaluar, sipas një raporti të OKB-së.

Raporti konstaton se në vitin 2023 numri i njerëzve që përballen me urinë akute u rrit me 24 milionë krahasuar me vitin 2022 për shkak të përkeqësimit të fortë të sigurisë ushqimore, veçanërisht në Rripin e Gazës dhe Sudan.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, tha se "në një botë bollëku, fëmijët po vdesin nga uria" dhe bëri thirrje për një përgjigje të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar.

Konfliktet që kanë shpërthyer në 12 muajt e fundit kanë çuar në një situatë katastrofike globale”, tha Guterres.

Kryeekonomisti i Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Máximo Torero, tha se 705,000 njerëz në pesë vende janë në fazën e pestë, niveli më i lartë në shkallën e urisë të përcaktuar nga ekspertët ndërkombëtarë.

Më shumë se 80 për qind e njerëzve që përballen me urinë, 577 000 prej tyre, janë në Rripin e Gazës. Sipas tij, mijëra njerëz po përballen me urinë katastrofike në Sudanin e Jugut, Burkina Faso, Somali dhe Mali.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, rreth 1.1 milion njerëz në Rripin e Gazës dhe 79 000 në Sudanin e Jugut do të përballen me urinë ekstreme deri në korrik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.