Federalizëm dhe nacionalizëm në Ballkan - Nacertanije

Postuar në 06 Prill, 2024 01:17

Në numrin e fundit të revistës “Balcanica”, botim i Akademisë serbe të Shkencave, akademiku rus, Andrey Edemskiy prezantohet me punimin: Plani Chivu-Stoica(shtator 1957). Një hap në rrugën drejt “Ballkanit të Hapur”. Titulli është me natyrë provokative, pasi në pamje të parë sugjeron analogji mes një propozimi rumun të vitit 1957 dhe nismës së Ballkanit të Hapur që dëshmuam këto vite e që origjinoi në Beograd.

Në të vërtetë Edemskiy sjell në vëmendje një plan të vjetër të iniciuar nga kreu i dikurshëm i Rumanisë Komuniste, Dezh, për bashkëpunimin ballkanik që do të duhet të përfshinte edhe Turqinë dhe Greqinë, me synim një rajon të çliruar nga armët bërthamore. Sipas dokumenteve të referuara nga arkivat ruse dhe rumune, akademiku vë në dukje se plani u miratua në Moskë dhe ishte kjo e fundit që autorizoi Bukureshtin të niste konsultimet me vendet e Ballkanit për krijimin e organizmave përkatëse të bashkëpunimit duke udhëzuar madje edhe sesi duhej vepruar taktikisht.

Siç rezultoi plani dështoi pas refuzimit të Greqisë dhe sidomos Turqisë nën presionin amerikan, për arsye strategjike. Edemskiy evidenton këtu një apel me natyrë historiografike kur na thotë se “Ballkani i Hapur”, është një ide e vjetër me mbështetjen ruse dhe se çdo nismë e re që synon bashkëpunimin në të vërtetë është e vjetër. Dhe e dështuar mund të shtojmë nëse konsiderojmë se çdo përpjekje në këtë drejtim nuk ka patur sukses.

Historiografia shqiptare ka injoruar thuajse tërësisht debatin intelektual për federalizmin në Ballkan, që ka rrënjë të vjetra dhe që ishte në fillesë aspekti qendror mobilizues në rajon me shtysë zhvillimet e revolucionit francez. Akademia serbe e ka trajtuar në vijimësi këtë temë duke nisur që nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, duke e vendosur atë si pasqyrë korrigjuese dhe krahasuese të projektit nacionalist serb, i paketuar përgjithësisht përmes dokumenteve të ndryshëm ku spikat Programi i Ilia Garashaninit “Nacertanije”, hartuar në vitin 1844.

Edhe për këtë të fundit, pala serbe ka qëndrime të dallueshme nga historiografia e vendeve të tjera, duke hedhur poshtë pretendimet për shovinizëm dhe ekspansionizëm, për të interpretuar se “Nacertanije” si fillim u mistifikua dhe mandej demonizua pas vitit 1945 për shkak të interesit kroat në këtë drejtim. Akademiku që ndoshta më shumë është marrë me këtë është Dushan Batakoviç, që ka elaboruar po ashtu idenë se denoncimin politik dhe historiografik të projektit të shtetit serb e ka ideuar Austro-Hungaria, “gjurmë të propagandës së të cilës gjenden edhe te politika e Jugosllavisë Titiste”. Nga Kroacia në Bosnje dhe Kosovë, propaganda austro-hungareze dhe “misioni qytetërues i saj”, vijon sipas akademikëve serbë të ketë reflekset e veta kudo në Ballkan dhe gjeneron një frymë të madhe antiserbe.

Për t’u rikthyer te Federalizmi ballkanik. Në një punim të vitit 2010, studiuesi Loukianos Hassiotis nga universiteti Aristotelian i Selanikut shkruan se federalisti i parë ballkanik ishte Riga Fereiros, nën ndikimin jakobin. Hassiotis vë në dukje “asocimin e nacionalizmit me federalizmin nën ndikimin e betejës për unifikimin e Italisë dhje sidomos Mazinit” që sugjeroi madje “plane për riorganizimin e territorial të Europës” që do të përfshinte14 grupe kombëtare.

Parakushti për përmbushjen e misionit të kombeve të Europës Juglindore ishte kolapsi i Perëndorisë Otomane dhe asaj Habsburge. Kombet e rajonit do të krijonin më pas dy konfederata, atë Danubiane dhe heleno-sllavone

shkruan Hassiotis që vë në dukje se Shqipëria do të duhet të aderonte tek e dyta.

Me interes këtu është të vëmë në dukje se “një ndër organizatat më të njohura federaliste”, Federata Demokratike e Lindjes, u themelua në vitin 1865 dhe kishte anëtarë dhe bashkëpunëtorë në Athinë, Beograd, Bukuresht, Sofje dhe Konstandinopojë. Jemi vetëm 11 vjet nga “Nacertanije”, çka sjell në vëmendje se epoka në fjalë karakterizohet nga ide të shumta intelektuale dhe politike që do të antagonizojnë vetëm me lindjen e shteteve kombëtare të menaxhuara nga shtete mbinacionale ku spikat Rusia dhe Austro-Hungaria.

Çfarë ka mbetur “jashtë veshit tonë” është fakti se projekte si “Nacertanije”, përpiluar në kohën e një konservatori si Obrenoviç, provokoi skizmë edhe në politikën serbe që erdhi e u nda për mënyrën e organizimit të shtetit jugosllav, lëkundur mes centralizmit dhe federalizmit. Nëse është thënë shpesh se ajo përfaqëson një fazë të shovinizmit serb, do të duhet shtuar se triumfi i politikanëve si Nikolla Pashiç, ka konteskt dhe shpjegim në truallin europian të kohës.

Sigurisht një krahasim mes “Nacertanijes” dhe programit të Rilindjes sonë Kombëtare, nuk ka shumë dallime. Mirëpo në historiografinë tonë nuk dallon asnjë nuancë alternative ideologjike si në rastin e dualizmit nacionalizëm-federealizëm te serbë, veçse po të heqim qasjen e Ismail Qemalit, apo atë të Vangjel Zhapës(në gazeta të financuara prej tij) lënë tërësisht në hije nga akademia jonë. Absolutizimi zyrtar i zgjedhjes nacionaliste ka bërë të vështirë në Shqipëri çdo diskutim mbi bashkëpunimin rajonal, ardhur edhe si pasojë e thjeshtimit të narrativës së fqinjëve në të njëjtën kufizë nacionaliste si narrativa jonë. Megjithatë do të duhet të pranojmë se në galerinë e personaliteteve të Rilindjes është thuajse e pamundur të mos dallohen nuanca. Pellazgjizmi, që sot jehon në mënyrë foklorike, është ndër të tjera një simptomë e një degëzimi të Rilindjes, ndërkohë që lëvizja vllahe me Kongresin e Triestes reflekton një simptomë ballkanizmi.

Funksionimi i idesë jugosllave përfaqëson një etapë suksesi të federalizmit, edhe pse me përfundime tragjike. Ajo ishte një embrion për konfederalizmin ballkanik që gjeti shprehjen e vet të fundit më të spikatur me idenë e Dimitrovit më 1947 dhe që u riciklua së fundmi me Ballkanin e Hapur. Me konstanten e vet: Beogradin epiqendër. Në këtë kuadër mjaftohemi të vëmë në dukje të gjithë këtë lëvizje historike e kemi të vështirë ta kuptojmë sot për shkak të faktit se historia e lëvizjes nacionaliste shqiptare është shkruar vetëm në kontekstin e pushtimit otoman dhe rrezikut sllav. Duke mos konsideruar ekzistencën e ideve të tjera siç ishte ai identitetit ballkanas. Më poshtë po sjellim një përkthim të "Nacertanije" -përkthyer nga serbishtja në anglisht nga Dushan Batakoviç, si një dokument që është lakuar shumë në publicistikën shqiptare, e cila për nga fryma me të cilën është shkruar shpjegon edhe sot psikologjinë e sjelljes serbe në politikën e jashtme përmbledhur në logjikën: Serbia qeveriset prej Nesh, përndryshe nuk na duhet.  

s.zaimi

***

Serbia duhet ta vendosë veten në rangun e vendeve të tjera europiane, duke krijuar një plan për të ardhmen e saj, apo duke krijuar - për ta thënë kështu - një politikë të brendshme afatgjatë, në parimet e së cilës ajo duhet të aderojë vendosmërisht, dhe në përputhje me të cilën duhet të drejtojë veten dhe të vendosë bindshëm në të gjitha çështjet e saj.

Lëvizja dhe agjitacioni ka nisur tashmë mes sllavëve dhe nuk do të pushojë më kurrë në fakt. Serbia duhet ta kuptojë mirë këtë lëvizje krahas rolit apo detyrës që ajo do të ketë në të.

Nëse Serbia peshon mirë atë se çfarë është dhe se çfarë janë popujt përqark saj, ajo do të kuptojë se është shumë e vogël, se nuk duhet të qëndrojë në këtë pozicion dhe se vetëm përmes aleancës me popujt e tjerë fqinj, ajo mundet të përmbushë detyrat për të ardhmen e saj.

Nga kjo vetëdije e ka origjinën plani dhe themeli i politikës serbe, që nuk e kufizon Serbinë në kufijtë e tanishëm, por synon t’i bashkëngjisë asaj të gjithë popujt fqinj. Nëse Serbia nuk e ndjek me dinamizëm këtë politikë/dhe më keq akoma, nëse ajo e refuzon atë, duke mos ia dalë të përgatisë një plan të mirëmenduar për këtë detyrë, ajo do të goditet nga të gjitha anët si një anije e vogël në stuhi dhe të do copëtohet më në fund në ndonjë shkëmb të madh. Ajo çfarë ne dëshirojmë dhe përpiqemi të bëjmë këtu është të kontribuojmë disi dhe të përgatisim planin për politikën serbe që u përgjigjet kërkesave natyrale të tij.

Politika e Serbisë

Perandoria Otomane /duhet/ të shpërbëhet dhe kjo shpërbërje mund të ndodhë vetëm në dy mënyra të mundshme:

  1. Ose do të ndahet, ose
  2. Do të rindërtohet sërish nga banorët kristianë të saj.

Vëzhgime mbi Ndarjen e Perandorisë/(otomane)

Nuk duam të komentojmë gjerësisht, por do ta kufizojmë veten në vëzhgimin e faktit se Austria dhe Rusia duhet të luajnë rolin parësor në këtë ngjarje, pasi ata janë fqinjë dhe fuqi vazhduese të Perandorisë Otomane.

Këto dy fuqi mund të bien dakord lehtësisht dhe të vendosin se kush do të marrë territore dhe rajone të caktuara dhe se ku do të jenë kufijtë e tyre. Austria mundet vetëm të aspirojë të sundojë mbi provincat perëndimore, ndërsa Rusia mund të aspirojë vetëm pushtimin e atyre lindore. Ndaj, nëse/një vijë e drejtë do të hiqej nga Vidini në Selanik, kjo çështje mund të zgjidhet kënaqshëm për të dyja palët.

Kështu, në eventualitetin e ndarjes, të gjithë serbët do të binin në pjesën austriake. Austria dhe Rusia e dinë mjaft mirë se Perandoria Otomane si e tillë nuk do të ketë një të ardhme të gjatë. Ndaj, të dyja shtetet po e shfrytëzojnë këtë mundësi që të zgjerojnë kufijtë e vet sa më shpejt të jetë e mundur. Të dyja po ashtu, punojnë në çdo mënyrë të parandalojnë dhe shmangin shfaqjen e një perandorie tjetër kristiane në vend të Perandorisë Otomane, pasi në atë rast do të zhdukej shpresa e thellë dhe perspektiva e kënaqshme për Rusinë e kapjes dhe mbajtjes së Kostandinopojës, që ka qenë plani i saj më i dashur që nga Pjetri i Madh; dhe Austria do të ishte në atë rast në një rrezik tmerrues të humbjes së Sllavëve të saj Jugorë.

Kështu, Austria, duhet, nën të gjitha rrethanat, të mbetet një armik i shtetit serb. Për serbët pra, marrëveshja dhe mirëkuptimi me Austrinë është një pamundësi politike; pasi kështu ajo do të shtrëngonte vetë litarin rreth qafës.

Vetëm Austria dhe Rusia janë në gjendje të nxisin kolapsin dhe ndarjen e Perandorisë Otomane. Ato po kujdesen për këtë. Për shumë vjet, Rusia ka përgatitur terrenin për atë situatë. Austria nuk mund të bëjë ndryshe sesa ta ndihmojë atë dhe të kërkojë diçka për veten, siç bëri me ndarjen e Polonisë. Natyrisht, të gjitha fuqitë e tjera, nën drejtimin e Francës dhe Anglisë i kundërvihen ekspansionit dhe zgjerimit të Rusisë dhe Austrisë. Ato do të konsideronin me gjasë si rrugë më të përshtatshme parandalimin e një ndarjeje të tillë, shndërrimin e Perandorisë Otomane në një shtet të ri/të pavarur/Kristian që do të plotësonte boshllëkun e lënë nga kolapsi turk, duke ofruar të vetmen rrugë për ruajtjen e ekuilibrit të Europës në të tërën e saj. Nuk mund të pritet rrugë tjetër.

Shteti serb, që ka tashmë një nisje të mirë, por duhet të përpiqet të zgjerohet dhe të bëhet më i fortë, i ka rrënjët e veta dhe themelin solid në Perandorinë Serbe të shekujve XIII-XIV dhe në historinë e pasur e të lavdishme serbe. /Dihet nga kjo histori/se sunduesit serbë nisën të marrin pozicionin e mbajtur nga Perandoria (Bizantine) Greke dhe thuajse ia dolën t’i japin fund asaj me synim zëvendësimin e Perandorisë Romake të Lindjes që kishte pësuar kolaps, me një Perandori Serbo-Sllave. Perandori Dushani i Madhërishëm kishte adoptuar madje edhe stemën e Perandorisë Greke. Mbërritja në Ballkan e turqve e ndërpreu këtë sipërmarrje dhe parandaloi jetësimin e saj për një kohë të gjatë; por tani, qëkurse fuqia turke është thyer dhe gati shkatërruar, duhet të veprojë i njëjti shpirt, të shpallë të drejtat e veta sërish dhe të vijojë sipërmarrjen e ndërprerë.

Këto themele dhe mure të Perandorisë Serbe duhen pra, pastruar nga të gjitha mbetjet dhe gërmadhat dhe të nxirren në dritë, në mënyrë që të ngrihet një ndërtesë e re mbi këtë bazament solid dhe të qëndrueshëm historik. Një sipërmarrje e tillë do të ketë një rëndësi të paçmueshme dhe prestigj të madh mes të gjitha shteteve dhe qeverive të tyre; pse atëherë ne serbët do të shfaqemi para botës si trashëgimtarë të vërtetë të stërgjyshërve tanë të shquar, duke mos bërë asgjë të re, veçse duke restauruar trashëgiminë e tyre. Ndaj edhe e tashmja jonë nuk do të jetë pa një lidhje me të shkuarën, por do të përbëjnë një të tërë të ndërvarur, integruar dhe të mirësistemuar; kështu që domeni serb, nacionaliteti i tij dhe jeta e shtetit të vet qëndron nën mbrojtjen e të drejtës së shenjtë historike. Aspiratat tona nuk mund të qortohen si diçka e re dhe e pabazuar, si revolucion dhe puç; por të gjithë duhet të pranojnë se ato janë politikisht të domosdoshme, të mbjella në kohë antike dhe të rrënjosura në shtetin dhe jetën kombëtare të popullit serb, rrënjët e të cilit vazhdojnë të lëshojnë degë që lulëzojnë sërish.

Nëse ne e konsiderojmë ringjalljen e Perandorisë Serbe nga ky pikëvështrim, atëherë të tjerë sllavë të jugut do ta kuptojnë lehtësisht këtë ide dhe do ta pranojnë atë me gëzim; pasi ndoshta në asnjë vend tjetër europian nuk është kujtesa e të shkuarës historike kaq e gjallë sa mes Sllavëve të Turqisë, për të cilët ritubimi është intensiv dhe besnik ndaj figurave dhe ngjarjeve të njohura të historisë së tyre. Për këtë arsye, duhet quajtur e sigurt se kjo sipërmarrje do të pranohet menjëherë mes njerëzve, duke bërë të panevojshëm dekada aktiviteti mes tyre, thjesht në mënyrë që ata të përgatiten për të kuptuar dobinë dhe vlerën e një administrate të pavarur.

Serbët ishin të parët mes sllavëve të Turqisë, që luftuan për lirinë e tyre me burimet dhe forcën e vet; ndaj ata kanë të parët të drejtën ta çojnë para këtë sipërmarrje. Edhe tani në shumë vende, dhe në disa qeveri, parashikohet dhe pritet se një e ardhme e madhe është iminente për serbët dhe është ky fakt që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë Europës. Nëse ne e mendojmë Serbinë vetëm si një principatë, çka është qysh tani, dhe nëse kjo principatë nuk do të ishte bërthama e një Perandorie të ardhshme Serbe, atëherë bota nuk do të shqetësohej me Serbinë më shumë sesa bëri me principatat e Moldavisë dhe Vllahisë, ku nuk ka ndonjë parim të jetës së pavarur dhe të cilat quhen thjesht si vasale ruse.

Një shtet i ri serb në Jug do t’i jepte Europës çdo garanci se do të ishte i dallueshëm dhe vital, i aftë të qëndronte mes Austrisë dhe Rusisë. Pozicioni gjeografik i vendit, topografia e tij, bollëku i burimeve natyrore, shpirti luftarak i banorëve të vet, ndjenja e tyre e fortë dhe sublime nacionale, origjina dhe gjuha e njëjtë – të gjitha tregojnë stabilitetin dhe të ardhmen premtuese.

Mbi mënyrat përmes të cilave mund të arrihet qëllimi serb

Kur qëllimi është përcaktuar vendosmërisht dhe ndjekur gjallërisht dhe në mënyrë konstante, atëherë/një qeveri e aftë/ mundet me lehtësi dhe shpejtësi të gjejë mjetet e nevojshme për arritjen e tij/pse populli serb është aq i mirë saqë me të çdo gjë arsyeshëm mund të arrihet.

  1. Mjetet fillestare

Në mënyrë që të përcaktohet se çfarë mund të arrihet dhe sesi duhet proceduar, qeveria duhet të njohë kushtet dhe rrethanat/e njerëzve që jetojnë në provincat përqark. Kjo është prerekuizita e parë për të përcaktuar saktë mjetet. Në përputhje me këtë do të jetë e nevojshme, përmbi të gjitha, të dërgohen pa paragjykime njerëz të përgatitur, besnikë të qeverisë, si hetues të kushteve të atyre tokave dhe njerëzve, dhe këtyre do t’u kërkohet të japin raporte të sakta me shkrim me kthimin e tyre. Është sidomos e domosdoshme të informohemi mbi Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë e Veriut. Në të njëjtën kohë duhet mësuar situata e saktë në Sllavoni, Kroaci dhe Dalmaci dhe sigurisht kjo përfshin njerëzit në Srem, Banat dhe Backa.

Këta agjentë duhet të instruktohen sesi të qarkullojnë dhe kalojnë përmes këtyre territoreve. Ata duhet të jenë të informuar, mes të tjerave, se cilave vende dhe persona duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë. Përveç këtyre udhëzimeve faktuale, atyre duhet t’u jepet një udhëzim i përgjithshëm qw do të përmbante pikat e mëposhtme të cilave do t’u kërkohet të ndjekin:

  1.  Duhet të gjykojnë situatën politike të vendit të caktuar, sidomos rrymat politike; të mbledhin të dhëna që do të mundësojnë miqësim më të mirë me njerëzit, ndjenjat e tyre dhe dëshirat më intime; por përmbi të gjitha, ata duhet të tregojnë se çfarë duhet konsideruar tashmë një dëshirë popullore e shprehur dhe e njohur publikisht.
  2.  Një mbikëqyrje e veçantë u duhet bashkëngjitur kushteve ushtarake të vendit dhe popullit, të tilla si shpirti luftarak, armatimi, përmasa dhe dispozicioni I ushtrisë së rregullt; venddislokimi i arsenalit dhe rezervave ushtarake; vendndodhja e industrive për kërkesat e luftës si ato për ushqimin dhe armatimin; apo se nga vijnë dhe nga hyjnë në vend etj.
  3.  Ata duhet të përpilojnë përshkrimin dhe vlerësimin, si dhe listën e njerëzve më të rëndësishëm dhe me ndikim në vend, pa përjashtuar kundërshtarët potencialë të Serbisë.
  4.  Sjelljet e njerëzve në çdo provincë përkundrejt Serbisë dhe pritmëritë e tyre prej saj duhen vëzhguar, krahas asaj që ata duan prej Serbisë apo kanë frikë prej saj.

Përmes këtyre udhëzimeve, natyrisht duhet të mësohet se çfarë mendon secili agjent sot për politikën e tanishme të Serbisë, si dhe çfarë shpresash mund të nxiten dhe sesi vëmendja dhe vlerësimi i miqve të Serbisë mund të përqendrohet tek ajo.

Pikë së pari të përkufizohen marrëdhëniet me Bullgarinë

Bullgaria është vendi më i afërt sllav me kryeqytetin e lavdishëm të Perandorisë Otomane (Kostandinopoja) dhe pjesa më e madhe e këtij vendi është lehtësisht i arritshëm; shumica e pozicioneve më të rëndësishme ushtarake të turqve  dhe më shumë se gjysma e ushtrisë së tyre janë dislokuar aty. Në asnjë vend tjetër europian nuk ndihen turqit kaq të sigurt dhe zotër sesa këtu; bullgarët janë të privuar nga të gjitha armët; ata kanë mësuar të nënshtrohen dhe punojnë – nënshtrimi dhe devocioni janë bërë natyrë e dytë e tyre. Megjithatë, ky vëzhgim nuk duhet të na privojë nga njohja e vlerës së vërtetë të tyre, apo të na çojë, që është sërish më keq, drejt përçmimit të tyre.

Është një fat i keq që bullgarët, ndonëse janë dega më e madhe e popujve sllavë që jetojnë në Turqi, nuk kanë thuajse fare besim në fuqinë e tyre, dhe se është vetëm stimuli i fuqive të huaja (Rusia) që do t’u jepte guximin të çliroheshin. (Përveç faktit që Rusia do të vepronte vetëm për interesat e veta dhe me siguri do të zëvendësonte zgjedhën turke me një më shtypëse), ajo nuk do të ofronte, siç kemi parë tashmë, në ndihmë direkte ushtarake për bullgarët, pasi Europa është e vetëdijshme për qëllimin e vërtetë të këtyre synimeve gjoja dashamirëse ruse drejt Turqisë; në fakt një luftë e përgjithshme europiane do të ndizej nëse Rusia do të kalonte edhe njëherë Danubin. Për këtë arsye, Rusia vepron përmes të tjerëve për të arritur atë që nuk mundet ta marrë direkt. Princi Mikael ishte në këtë drejtim, instrumenti i saj i pavullnetshëm dhe ajo padyshim do të dëshironte t’i kthehej planit të saj të dikurshëm, të cilin nisi ta zbatonte përmes Princ Mikaelit.

Përderisa qeveria e Princ Aleksandrit (Karagjorgjeviç) nuk ka besimin e Rusisë, pasi nuk ia lejon vetes të përdoret si vegël qorre, Rusia është e detyruar të punojë për të rrëzuar qeverinë aktuale me synim krijimin e një qeverie tjetër, që do t’i mundësonte asaj të arrinte qëllimet e veta.

Të gjitha përpjekjet për të mashtruar Rusinë dhe për ta bindur atë se qeveria e tanishme do të ndjekë planin e saj, janë të destinuara të dështojnë. Rusia, me të parë (për interesin e vet) se në Serbi po zgjohet një shpirt i pavarur, nuk do të besojë ndonjë propozim, pasi/Rusia është shumë e zgjuar për ta lënë veten të kapet në një kurth që u kundërvihet projekteve të saj. Për më tepër, mundet fare mirë të mendohet se çdo përpjekje nga Serbia për të krijuar një aleancë të ngushtë dhe marrëveshje me sllavët e tjerë në Turqi, do të tradhtohej nga Rusia, vetëm nëse ajo informohet për to, te Turqia dhe Austria dhe të tjerë, me synimin e vetëm për të bindur Europën se nuk është Rusia, por Serbia rebele dhe kundërvënëse që po inkurajon revolta të tilla. Por, pavarësisht kësaj, Rusia do të ishte e gëzuar të informohej rreth këtyre marrëveshjeve me synim për të mësuar gjurmën dhe përfshirjen në to, dhe pak nga pak, të marrë kontrollin e tyre për synimet e veta.

Sa më e pavarur bëhet Serbia, aq më pak besim do të ketë Rusia tek ajo dhe nëse Rusia nuk është e aftë/të ndryshojë situatën në Serbi dhe të shkatërrojë politikën e saj të pavarur/atëherë ajo me siguri do të angazhohet për të larguar të gjithë sllavët e Turqisë nga Serbia, për t’i përçarë ata dhe për t’i mbajtur  në mosmarrëveshje që të mund të hyjë në marrëveshje me secilën degë sllavike më vete. Nëse pra, Serbia nuk provon të jetë më aktive dhe sipërmarrëse sesa Rusia, ajo do të mundet dhe lihet pas nga kjo e fundit.

Në këtë sipërmarrje, ne duhet të ruhemi nga iluzionet. Rusia nuk do të përulet kurrë para Serbisë, dhe nëse ajo sheh se Serbia nuk do t’i shërbejë asaj me devotshmëri dhe në mënyrë të pakushtëzuar, atëherë ajo do të refuzojë krenarisht dhe me përbuzje çdo kushtëzim. Edhe këshilla e mençur e vetë diplomatëve të saj – njerëz si baroni Lieven (I Dërguari rus) – është refuzuar vendosmërisht pikërisht pse ata sugjerojnë vetëm lëshime të përkohshme; ndaj është e mundshme që të besohet se ajo do të shfaqet më e përulur ndaj të huajve sesa ndaj vetë shërbyesve të vet besnikë? Më në fund, nëse Rusia nuk gjen në Serbi dikë që do t’u shërbente dëshirave të saj në mënyrë të pakushtëzuar, atëherë ajo nuk do të hezitojë të bëjë aleancë dhe të punojë me ata që do të kishin dëshirë t’i shërbenin vetëm nën disa kushte/pasi përmbi të gjitha ajo nuk mund të heqë dorë nga Serbia përfundimisht/;por për aq kohë sa ajo gjen në Serbi njerëz do t’i bindeshin dhe shërbenin asaj pa kushte, ajo do të preferonte serbë të tillë në vend të patriotëve të vërtetë.

Rusia nuk do të lejojë që një shtet i tillë i vogël si Serbia të vendosë kushte; ajo kërkon bindje të pakushtëzuar ndaj këshillave të saj si të jenë urdhra dhe ata që duan të zbatojnë vullnetin e saj duhet t’i nënshtrohen asaj tërësisht. Është e vërtetë që disa herë ajo shfaqet se i pranon të gjithë që dakordësohen t’i shërbejnë, por ajo nuk i angazhon ata në asgjë, nëse disa prej tyre nuk kanë besimin e saj, kështu që një sjellje e tillë e zhbën çdo mundësi për ta mashtruar.

Nëse Serbia dëshiron të dalë nga pozicioni i vet aktual i varësisë dhe të bëhet një shtet i vërtetë, ajo duhet të angazhohet në rrugën e saj drejt pavarësisë, të marrë pushtetin politik të Turqisë duke e shkatërruar pak e nga pak, pasi edhe Rusia po ashtu kërkon të dobësojë pushtetin politik të Perandorisë Otomane. Megjithatë, pavarësisht kësaj korrespondence mes dy politikave, ajo nuk ndjek detyrimisht atë se synimet dhe qëllimet e të dyjave janë të njëjta, apo se politikat e tyre duhet të jenë në harmoni.

Shkurt/Serbia duhet të angazhohet të shkatërrojë, por vetëm gur pas guri, ndërtesën e shtetit otoman, duke ruajtur të mirat materiale të saj, për të ngritur mbi themelet solide të Perandorisë së vjetër Serbe, një shtet të ri të madh serb. Edhe tani, ndërkohë që Serbia është ende nën sundimin turk, puna për përgatitjen dhe modifikimin duhet çuar para, për shkak se një sipërmarrje e tillë nuk mund të ndërmerret dhe përfundohet në momentin e fundit. Ne kemi folur këtu me hollësi rreth natyrës së politikave ruse dhe serbe, saktësisht për shkak se Bullgaria është vendi në të cilin ndikimi rus dhe serb do të vijnë fillimisht dhe kryesisht në kontakt.

Ne kemi diskutuar dhe demonstruar këtu pse politika serbe nuk është e aftë të dakordësohet me atë ruse; megjithatë duhet thënë se Serbia nuk mund të arrijë synimin e vet më lehtë sesa përmes një marrëveshjeje me Rusinë; por kjo mund të ndodhë vetëm kur Rusia do të binte dakord të pranonte tërësisht dhe absolutisht kushtet e Serbisë, përmes së cilave synimi i të sipërpërmendurës, që është e ardhmja e saj në një kuptim të gjerë, do të sigurohej. Një aleancë mes Serbisë dhe Rusisë do të ishte në të vërtetë, më e natyrshmja, por konkluzioni i saj do të varej nga vetë Rusia, ndërkohë që Serbia do të duhej t’i priste me krahë hapur, por vetëm kur të jetë e qartë se propozimet ruse janë të sinqerta dhe me zemër të hapur; kjo mund të ndodhë vetëm kur Rusia të braktisë politikën e saj të tanishme, që është kur ajo të vendosë se një aleancë me Serbinë, pak rëndësi ka sa e vogël është ajo, është më e natyrshme sesa ajo me Austrinë, për shkak të së cilës ajo mban Sllavët e Perëndimit. Ndonëse nuk kam shpresë se Rusia do të jetë ndonjëherë e sinqertë ndaj Serbisë, është megjithatë e nevojshme të përmendet këtu se çfarë përfitimi do të sillte një gjë e tillë për Serbinë, që duhet të përfitonte menjëherë prej kësaj, pasi pavarësisht asaj çfarë është thënë kundër Rusisë, nuk vjen prej urrejtjes, por nga nevoja në të cilën na ka futur me detyrim Rusia me shumë prej veprimet e saj.

Edhe disa fjalë për Bullgarinë dhe do të vijojmë më tej. Nëse ne e kemi mësuar mirë disponimin shpirtëror të njerëzve në Bullgari, dhe nëse respekti ynë për mënyrat e saj patriotike nuk është shumë i ulët, atëherë ne duhet të konkludojmë se një përpjekje e madhe për çlirimin e saj nga zgjedha turke është ende larg. Dhe sërish, këtu janë drejtuar kryesisht aspiratat ruse, për shkak se ky vend ndodhet menjëherë para portave të Kostandinopojës dhe në rrugën drejt saj; por Bullgaria ka të njëjtën vendndodhje dhe rëndësi për Serbinë sa ç’ka për Rusinë. Nëse, edhe për pak vjet, Rusia vijon të veprojë në Bullgari në mënyrën siç ka vepruar deri më tani, dhe nëse Serbia e lejon atë të veprojë pa bërë asgjë vetë, atëherë Rusia do të arrijë në të vërtetë një sukses të tillë saqë ndikimi serb në Bullgari do të jetë i padobishëm. Le të jetë ky një paralajmërim dhe shenjë për Serbinë, dhe të mos harrojë ajo kurrë se mund të pritet një miqësi politike vetëm nëse kemi treguar tashmë dhe provuar dashurinë tonë për miqtë. Serbia duhet të bëjë diçka për Bullgarinë për shkak se dashuria dhe ndihma duhet të jenë reciproke.

Pasi kemi treguar shkurtimisht sjelljen tonë ndaj Bullgarisë së sotme dhe rëndësinë e madhe të saj për Serbinë, dhe pas disa fjalëve rreth ndikimit rus që dominon aty, ne do të vijojmë të japim një kuadër të disa mjeteve fillestare për vendosjen e ndikimit serb.

  1.  Bullgarët nuk kanë institucione arsimore dhe pedagogjike, ndaj Serbia duhet të hapë shkollat e veta për bullgarët dhe t’u ofrojë bursa disa prej të rinjve bullgarë që studiojnë në Serbi.
  2.  Kleri bullgar është kryesisht grek dhe jo i kombësisë bullgare; prandaj do të ishte e dëshirueshme dhe e dobishme nëse një numër të rinjsh bullgarë të trajnoheshin në teologji në Serbi dhe më pas të ktheheshin si priftërinj te populli dhe atdheu i tyre.
  3.  Librat fetarë dhe liturgjikë bullgarë, krahas veprave të tjera bullgare, duhet të shtypen në Serbi; kjo mënyrë e rëndësishme është përdorur prej kohësh në Serbi dhe Serbia duhet të përpiqet ta tejkalojë atë në këtë aspekt.
  4.  Njerëz të respektuar e të besuar duhet të dërgohen të udhëtojnë në Bullgari dhe duhet ta kthejnë vëmendjen e popullit bullgar nga Serbia, duke zgjuar tek ai ndjenjën e miqësisë drejt Serbisë dhe qeverisë serbe, si dhe shpresat se Serbia do të ndihmojë me të vërtetë në çlirimin dhe mirëqenien e tyre.

Mbi Politikën e Serbisë drejt Bosnjës, Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë së Veriut

Kur ne marrim në konsideratë të afërt topografinë dhe pozicionin gjeografik të këtyre vendeve, së bashku me traditat ushtarake të banorëve të tyre, mentalitetin dhe mënyrat e të menduarit, ne do të vijmë lehtësisht në përfundimin se kjo është pjesa e Turqisë mbi të cilën Serbia mund të ushtrojë ndikimin e saj më të madh. Vendosmëria e vazhdueshme dhe organizimi i këtij ndikimi na duket të jetë detyra kryesore e politikës serbe në Turqi për momentin (1844).

  1.  Kur dy popuj fqinj duan të mbyllin një aleancë të afërt dhe konfidenciale, kufijtë e tyre duhet të hapen sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që komunikimi i pandërprerë të lehtësohet dhe stimulohet. Por Serbia duket se po e ndan veten nga bashkëkombësit e saj në Turqi si me një Mur Kinez, duke hapur pika komunikimi në kaq pak vende sa ka shtëpi në qytetet e mëdha, që kanë më shumë dyer sesa në mbarë Principatën e Serbisë. Ndaj, pa reduktuar rojën kufitare, ne duhet të rrisim numrin e pikave të kontaktit, hyrëse dhe dalëse, përgjatë kufirit serb me Bosnjën. Dhe pse jo edhe me Bullgarinë? Sistemi i krijuar i ndarjes duhet të ketë qenë i qëllimshëm në atë kohë; por mbajtja më tej e tij, do të ishte njësoj si ta qëlloje Serbinë dhe ta izoloje atë, që është në kundërshtim të plotë me të ardhmen dhe përparimin e saj.
  2.  Ne duhet të veprojmë në një mënyrë të tillë që dy popujt, Ortodoksët dhe Katolikët, të mund të arrijnë mirëkuptim reciprok dhe një marrëveshje rreth politikës së tyre kombëtare, pasi vetëm atëherë mundet kjo politikë të zbatohet me sukses. Është detyrë e Serbisë t’u propozojë të dyja palëve të popujve që banojnë aty, pikat bazë të kësaj politike, sepse ajo është në gjendje të veprojë në këtë sipërmarrje dhe e detyruar ta bëjë këtë gjë, për shkak të viteve përvojë dhe të drejtave diplomatike të njohura. Një nga pikat kryesore është: parimi i lirisë së plotë fetare. Ky parim do të kënaqë të gjithë kristianët, dhe kushedi, me kohë mund të bëhet i pranueshëm për disa myslimanë po ashtu. Por ligji më i rëndësishëm dhe themelor i shtetit duhet të përcaktohet si më poshtë: se principata duhet të institucionalizohet si e trashëgueshme. Pa këtë parim që është vetë mishërimi i unitetit shtetëror, një bashkim i vazhdueshëm afatgjatë mes Serbisë dhe fqinjëve të saj është i paimagjinueshëm. Nëse boshnjakët nuk e pranojnë këtë zgjidhje, pasoja e pashmangshme do të ishte fragmentarizimi i hapësirës serbe në principata të vogla provinciale nën familje sunduese të ndara që padyshim do të binin shpejt nën ndikimin e huaj, sepse rivaliteti dhe zilia do të lindte mes tyre. Këto familje nuk do t’i sakrifikonin kurrë interesat e tyre për familjet e tjera, edhe nëse avancimi i të gjithë këtyre njerëzve do të varej nga një sakrificë e tillë. Nga këto pika bazike, vjen se nëse do të bëhet një përpjekje për të zbatuar ndonjë ndryshim në Bosnje, përpara këtij bashkimi të përgjithshëm të tokave serbe, ai do të zbatohej vetëm në një mënyrë të tillë sa të shërbejë si një përgatitje për unifikimin e përgjithshëm të të gjithë serbëve dhe provincave të tyre në një të tërë; dhe kjo do të jetë e vetmja rrugë në cilën synimet dhe interesat e përbashkëta të të gjithë serbëve do të mund të realizohen. Ndaj, unë këtu theksoj Serbinë thjesht për shkak se vetëm ajo është në gjendje ta përgatisë atë ndryshim, dhe duke qenë e detyruar të punojë vazhdimisht mbi të deri kur të vijë koha për ta përmbushur këtë plan, Serbia do të vazhdojë të përpiqet që kjo kohë të vijë. Kështu, kushdo i interesuar për mirëqenien e këtij populli nuk duhet të propozojë një principatë të trashëgueshme të boshnjakëve. Në atë rast/figurat më të rëndësishme duhet të zgjidhen mes gjithë njerëzve, dhe jo përjetë, por vetëm për një kohë të caktuar gjatë së cilës ata do të veprojnë si një lloj këshilli. Edhe me një autoritet të tillë të ndarë dhe provincial, rruga do të ishte e hapur për përparim; do të ishte atëherë një çështje e lehtë për Serbinë të vinte në bashkim me Bosnjën, që do të ishte i mundshëm dhe i realizueshëm. Parimi i tretë i kësaj politike është ai i unitetit të kombësive, përfaqësuesi diplomatik i të cilëve do të duhet të jetë qeveria e Principatës së Serbisë. Kurdoherë që vlefshmëria e këtij parimi është në pikëpyetje, është qeveria tek e cila boshnjakët dhe sllavët e tjerë do të duhet të kërkojnë mbrojtje dhe çdo ndihmë. Serbia në këtë kuadër, duhet të kuptojë se ajo është mbrojtësja natyrore e të gjithë sllavëve në Turqi dhe se sllavët e tjerë do t’ia japin asaj këtë të drejtë kur ajo të marrë mbi vete detyrën e të bërit dhe folurit në emër të tyre. dhe të pafat se ajo mendon vetëm për vete, pa pyetur për shqetësimet dhe përparimin e të tjerëve, por duke qëndruar indiferente, atëherë ata me siguri do ta ndjekin një shembull të tillë dhe nuk do ta dëgjojnë atë; kështu harmonia dhe uniteti do të zëvendësohen nga mosbesimi, zilia dhe fatkeqësia.
  3.  Jo vetëm që të gjitha ligjet themelore, Kushtetuta dhe të gjitha institucionet kryesore të Principatës së Serbisë do të duhet të promovohen mes njerëzve në Bosnje/Hercegovinë/, por një numër i caktuar boshnjakësh duhet të pranohen në burokracinë serbe për t’u trajnuar për profesionin e politikanit dhe financierit, për ligjin dhe arsimin publik, në mënyrë që këta zyrtarë të mund t’i aplikojnë në vendin e tyre ato çfarë kanë mësuar në Serbi. Këtu duhet pasur veçanërisht në vëmendje që këta të rinj duhet të mbikëqyren në mënyrë të posaçme dhe duhen arsimuar në një mënyrë të këtillë që puna e tyre të jetë tërësisht e frymëzuar nga ideja shelbuese e një unifikimi të përgjithshëm dhe përparimi të madh. Ky detyrim është e pamundur të theksohet sa duhet.
  4.  Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet tërheqjes së njerëzve të besimit katolik roman nga ndikimi austriak dhe duhet përpunuar qasja e tyre drejt Serbisë. Ky synim mund të arrihet më mirë përmes françeskanëve aty; më i rëndësishmi mes tyre duhet kooptuar përmes idesë së unionit të Bosnjes dhe Serbisë. Për ta arritur këtë, duhet urdhëruar botimi i disa librave lutjesh dhe himnoreve në Beograd; po ashtu i librave liturgjikë për kristianët ortodoksë dhe antologji të poemave popullore që do të botohen paralelisht në alfabete cirilike dhe latine; si hap i tretë duhet botuar një histori e shkurtër dhe përmbledhëse e Bosnjës, në të cilën nuk duhet të lihen jashtë emrat dhe lavdia e disa boshnjakëve që u konvertuan në besimin mysliman. Nuk ka nevojë të sqarohet se kjo histori duhet të shkruhet në frymën e kombësisë sllave dhe e gjithë në frymën e unitetit kombëtar të serbëve dhe boshnjakëve. Përmes botimit të një vepre të tillë dhe të tjerave të ngjashme, si dhe përmes veprimeve të tjera të domosdoshme që duhen përcaktuar dhe mbikëqyrur mirë, Bosnja do të çlirohej nga ndikimi i Austrisë dhe do të anojë më shumë nga Serbia. Në këtë mënyrë, Kroacia dhe Dalmacia do të porosisin libra që nuk mund të botohen në Austri dhe kjo do të rezultonte natyrisht në një marrëdhënie më të afërt të këtyre tokave me Bosnjën dhe Serbinë. Vëmendje e veçantë i duhet kushtuar kësaj sipërmarrjeje duke ia besuar shkrimin e historisë së mësipërme një personi të aftë dhe thellësisht mendjemprehtë.
  5.  E gjithë tregtia e jashtme e Serbisë është në kontrollin e Austrisë. Kjo është një fatkeqësi, pasojat e sakta të së cilës do t’ua lë ekspertëve financiarë t’i përcaktojnë, ndërkohë që do të citoj ato fakte që i shtohen rëndësisë së këtij plani. Tregtia direkte me shtete të huaja përmes Zemunit do të jetë përherë një çështje shqetësuese. Për rrjedhojë, Serbia duhet të sigurojë një rrugë të re tregtare që do ta lidhte atë me detin dhe t’i ofronte asaj një port. Për momentin, e vetmja rrugë e mundshme është ajo që çon përmes Shkodrës në Ulqin. Këtu, tregtari serb me produktet e tij natyrale, do të njihte marinarin dalmat dhe tregtarët si bashkëkombës të tij, por gjithashtu edhe si njerëz të zgjuar dhe të aftë që do ta ndihmonin ndershmërisht dhe efektivisht duke blerë mallra të huaja.  Ndaj është e nevojshme të krijohet një agjenci tregtare serbe aty për të mbrojtur shitjen e produkteve serbe dhe blerjen e mallrave angleze dhe franceze. Për këtë punë, qeveria do të duhej të hidhte hapin e parë duke siguruar dhe caktuar një agjent tregtar në Ulqin që do të udhëzonte tregtarët serbë, se ku duhet ta kenë vëmendjen. Ky agjent, duke hyrë në kontakt me tregtarët e vendit tonë, do të duhet të hulumtojë imtësisht një mënyrë për të orientuar tregtinë tonë drejt rrugëve të favorshme jashtë vendit dhe sapo qeveria të ketë siguruar përfitimin e tyre, mund ta publikojë këtë informacion në gazeta, duke u treguar tregtarëve tanë zonat me perspektivë fitimprurëse. Sikur edhe pak tregtarë të kenë sukses në drejtimin e biznesit si fillim, të tjerë do ta ndjekin shpejt shembullin e tyre dhe pak nga pak, kjo rrugë tregtie do të hapet pa u dashur që qeveria të angazhohet përgjithmonë; pasi tregtarët të hapin rrugë për vete, duke i lënë agjentët e qeverisë vetëm me detyrën e sigurisë së tregtarëve nga çdo lloj shtypjeje. Nga sa më sipër, do të rezultonte se çmimi i produkteve serbe të eksportuara nga jugu do të rritej në veri, ndërsa çmimi i produkteve të futura në Serbi nga veriu do të binte për shkak të konkurrencës së produkteve nga jugu. Me një fjalë, serbi do të shiste kështu shtrenjtë dhe do të blinte lirë. Kjo masë do të kishte një rëndësi po kaq të madhe politike, pasi agjenti i ri serb do ta gjente veten mes një popullsie serbe, situatë e cila do të çonte në një ndikim më të madh të Serbisë mbi shqiptarët e Veriut dhe Malin e Zi dhe këto janë popullsi që kanë aktualisht çelësin e portave të Bosnjës, Hercegovinës dhe detit Adriatik. Ndaj duhet të sigurohet se instituimi dhe krijimi i një agjencie të tillë serbe aty do të kuptohet nga këto popullsi si një akt politik i një rëndësie të paçmueshme nga ana e Serbisë, kështu që një afrim më i madh i njerëzve të këtyre provincave me Serbinë do të jetë një çështje e lehtë. Jo vetëm që Franca dhe Anglia nuk do t’i kundërviheshin kësaj, por ato madje do ta mbështesnin atë, sikundër edhe Porta nuk do ta kundërshtonte për shkak i vetmi port i saj do të zhvillohej po ashtu.
  6.  Arritja e një ndikimi më të madh mbi boshnjakët ortodoksë nuk do të ishte një detyrë e vështirë për Serbinë. Megjithatë, duhet të shihet me më shumë kujdes nëse boshnjakët do të duam të fitojmë edhe boshnjakët katolikë. Në krye të tyre janë françeskanët ndaj është e këshillueshme nëse, përveç botimit të librave të sipërcituar, një nga këta fretër të caktohej në Liceun e Beogradit si profesor i latinishtes apo ndonjë shkence tjetër. Ky profesor do të shërbente si ndërmjetës mes Serbisë dhe katolikëve të Bosnjës, pasi një hap i tillë do të gjeti ynë i parë sigurues dhe një provë tolerance. Nëse ky françeskan do të krijonte një kishë katolike për katolikët që banojnë aty, atëherë ndikimi austriak për ngritjen e saj, që do të ndërtohet herët apo vonë, do të evitohej. Kisha mund të vendoset nën mbrojtjen e konsullit francez që është rezident në Bosnje. Kjo do t’i jepte qeverisë franceze arsye dhe rast të merrte pjesë në këtë çështje dhe do ta çlironte në të njëjtën kohë Serbinë nga rreziku i pasjes në Beograd të një kishe katolike që do ishte nën ndikimin e Austrisë.
  7.  Karagjorgji ishte një lider ushtarak me dhunti natyrale me përvojë të madhe; ai nuk ishte në gjendje të parashikonte rëndësinë dominuese ushtarake që Mali i Zi ka për Serbinë, dhe që do ta ketë përgjithnjë sapo të ngrihet çështja e shkëputjes së Bosnje Hercegovinës nga Turqia dhe bashkimi i saj me Serbinë. Fushata e këtij vojvode në Sjenica dhe Novi Pazar mbahet mend ende nga gjithë serbët, ndaj nuk është e nevojshme që ne të mbështesim argumente të reja për propozimin e mëposhtëm: le të ndjekë Serbia shembullin e Rusisë në Malin e Zi dhe t’i japë Mitropolitit të Malit të Zi (Petar II Petroviç-Njegoshit) ndihma financiare vjetore – në këtë mënyrë, për një çmim të vogël, Serbia do të ketë miqësinë e një vendi që mund të ngrejë të paktën një ushtri prej 10 000 ushtarësh malësorë.

Së fundmi, ne mund ta shohim se shtyrja e kësaj ndihme deri në minutën e fundit nuk do të prodhojë rezultatin e shpresuar, pasi Rusia do jetë në mënyrë të justifikueshme e aftë të vërë gishtin mbi një prej ndihmave të saj vjetore dhe në këtë mënyrëtë baltosë dhe ngrejë dyshime mbi propozimin e ri të Serbisë si diçka e bërë nga nevoja; dhe malazezët do të thoshin: serbët nuk ndihmuan kur ne kishim nevojë, që është prova për ne se ata nuk janë miqtë tanë, por duan të na përdorin njëherë.

Sremi, Backa dhe Banati

Në pamje të parë mund të mendohet se Serbia duhet të jenë në termat më miqësorë me këto zona, qëkurse në origjinë, gjuhë, religjion, ligje dhe zakone ata janë të njëjtë me serbët e Serbisë. Nëse nuk është ky rasti, atëherë faji bie, të paktën pjesërisht, mbi vetë Serbinë. Pasi ajo nuk është përpjekur sa duhet të fitojë miqësinë e këtyre serbëve. Por duhet shpresuar se pavarësisht të gjithë ndikimit armiqësor të Austrisë, kjo sjellje e papërshtatshme do të ndryshojë me kohën dhe do të përmirësohet ndjeshëm sapo Principata e Serbisë do ta provojë veten si të mirorganizuar, të fuqishme, të drejtë dhe një shtet të iluminuar. Sot, nëse jo gjë tjetër, të paktën duhet bërë një përpjekje miqësimi me figurat më të rëndësishme në këto provinca dhe hapja i një gazete të rëndësishme aty e cila mund, sipas Kushtetutës Hungareze, të veprojë në dobi të interesit të çështjes serbe dhe e cila duhet të editohet nga një njeri shumë i sinqertë si p.sh z. Haxhiç apo dikush i atij kalibri.

Mbi Aleancën me sllavët çekë

Në lidhje me këta sllavë nuk do të themi shumë kësaj radhe, jo vetëm pse ata nuk bien në objektin e këtij plani, por gjithashtu sepse për shumëkënd do të dukej së pari jopraktike. Ndaj, duke kaluar shkurtimisht dhe duke i lënë përfitimet e një aleance të tillë të derivojnë nga vetë realizimi i këtij plani, ne e kufizojmë veten vetëm në rekomandimin se duhet të nisim ta bëjmë të vetëdijshme Serbinë për sllavët e Bohemisë, Moravisë dhe Sllovakisë dhe ta bëjmë këtë me shumë kujdes dhe mençuri që të mos ngremë dyshimet e Austrisë.

Comments

Submitted by Dori (not verified) on

Fillimisht, respekt per z.Zaimi dhe Respublica per keto perkthime, qe shume rralle i gjen ne mediat e tjera online. Gjera te tilla kerkojne pune dhe mund.
Sa i perket shkrimit, me ngacmoi injorimi qe historianet dhe politikanet shqiptar u kane bere ideve te ndryshme te federalizmit ballkanik. Ketu duhet te saktesoj, qe Edi Rama, eshte i pari ne historine e Shqiperise, qe e ka thyer kete tabu; dhe kete ne menyren me brutale dhe te shemtuar te mundshme.
Arsyeja kryesore, besoj, se pse jane injoruar keto ide federaliste nga shqiptaret, ka te beje me poziten faktike te Shqiperise dhe shqiptareve ne pergjithesi ne rajon dhe perballe fqinjeve te tyre. Kjo pozite, per shkak te arsyeve qe i dime te gjithe, ishte inferiore. Shqiptaret ishin me te humburit nga shperberja e Perendorise Osmane. Fqinjet tane te drejteperdrejte, Greqia dhe Serbia shtuan territoret e tyre, meseshumti me territore shqiptaresh. Cdo ide, sado e zbutur apo embelsuar me terma internacionaliste, bashkepunimi mes kombesh e te tjera brockulla te tjera kesisoji, e hedhur nga politikane apo intelektuale serbe e greke, kishte te bente me dominimin e fqinjit te tyre "barbar" shqiptar; jo me kot, edhe tek perkthimi me lart, flitet per Bosnje, Kosove dhe... Shqiperi te Veriut... sepse Shqiperia e Jugut duhej te qenkej domen i grekeve!
Keshtu, cdo ide, pavaresisht nga kush eshte hedhur dhe pavaresisht sesa i sinqerte dhe i ndershem (po marrim rastin me te mire) te kete qene ky, porqe eshte i kombesise greke apo serbe, eshte automatikisht e papranueshme per shqiptaret; pikerisht pse mbeshtet mbi premisen e dominimit serbo-grek te shqiptareve.
Cdo bashkepunim, ka si kusht sine qua non, barazine e atyre qe duan ta bejne nje gje te tille. Shqiptaret, qe me shembjen e Perandorise Osmane, kane qene ne pozita inferiore ndaj fqinjeve te tyre. Sidoqofte, ne situaten ku jemi, eshte e pamundur te flitet per ide te tilla si federalizmi; urrejtja nderetnike ne Ballkan eshte kaq e madhe. Kjo do te vazhdoje ende per nje kohe shum shume te gjate.
Shembulli me i qarte per kete eshte ish-Jugosllavia. Nisi si nje enderr, a te pakten keshtu e paten perceptuar shume naive dhe idiote, dhe perfundoi ne nje makth makaber. Eshte e habitshme, sesi ka ende intelektuale qe, pavaresisht etnise, e vajtojne renien e saj! Vete fundi i saj i tmerrshem, eshte prova se ajo nuk ishte nje enderr, por nje makth.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.