NATO zgjeron bazën ushtarake në Rumani

Postuar në 20 Mars, 2024 12:05

NATO po zgjeron bazën e saj ushtarake në Konstancë, port strategjik në Detin e Zi, brenda kufijve të Rumanisë. Mediat rumune shkruajnë se puna tashmë ka nisur në bazën ajrore “Mihail Kogalniceanu”, ku kompleksi i ri ushtarak do të mbulojë një sipërfaqe prej 2800 hektarësh. Rreth dhjetë mijë ushtarë të NATO-s dhe familjet e tyre do të mund të jetojnë atje përgjithmonë.

Projekti do të ndërtohet me një kosto prej 2.5 miliardë euro për shtetin rumun dhe do t'i ngjajë një qyteti, me shkolla dhe spitale. Baza do të bëhet plotësisht funksionale në vitin 2040.

Aktualisht ka nisur puna me ndërtimin e rrugëve hyrëse dhe rrjeteve elektrike.

Me zgjerimin e kësaj baze, NATO forcon krahun e saj lindor, në një zonë jo shumë larg nga bregu ukrainas i Detit të Zi.

Dorin Popesku, ekspert gjeopolitik, është shprehur në Televizionin Rumun se baza ushtarake e NATO-s në Mihail Kogălniceanu do të bëhet "struktura më e rëndësishme e përhershme ushtarake e NATO-s në afërsi të konfliktit në Ukrainë".

Sipas tij, zgjerimi i bazës së NATO-s në Konstancë rrit nivelin e sigurisë në krahun lindor, por edhe në zonën e Detit të Zi. Rumania ka një hapësirë detare prej 30 mijë kilometrash katrorë në Detin e Zi.

Anëtare e NATO-s prej 20 vjetësh, Rumania i ka forcuar së fundmi kapacitetet e mbrojtjes dhe parandalimit. Nëntorin e kaluar, Qendra Evropiane e Trajnimit të Pilotëve për F-16 u inaugurua në Rumani, në bazën e 86-të ajrore në Feteşti.

Rumania po kontribuon në bazën ajrore dhe objektet e trajnimit, ndërsa Forca Ajrore Mbretërore e Holandës po kontribuon me avionë F-16. Të trajnuarit janë ish-pilotë ushtarakë rumunë të MIG-21 Lancer dhe instruktorët janë ish-pilotë të F-16.

Qendra e trajnimit në Rumani trajnon edhe ushtarë nga vende të tjera të NATO-s dhe Ukraina.

Aktualisht, më shumë se 5000 ushtarë nga vendet e NATO-s si Franca, Polonia, Spanja dhe SHBA janë të vendosur në Rumani.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.