“Edhe unë jam kurvë”

Postuar në 14 Mars, 2024 21:29

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale ka hapur debat në Iran. Videoja e marrë nga një kamera vëzhgimi në një spital në Qom, një nga qytetet më fetare të Iranit, tregon një grua e cila revoltohet ,e një burrë i cili ka nxjerrë telefonin dhe po i bën foto. Gruas i ka rënë shamia dhe mban në krahë një fëmijë.

 “Më jep telefonin tënd, më lër të shoh foton, fshije”, i thotë ajo. Disa gra të tjera, disa të veshura me hixhab islamik dhe disa jo, i vijnë në ndihmë dhe njëra prej tyre merr telefonin e burrit për ta kontrolluar.

Incidenti është më shumë sesa banal, sipas shumë komentuesve në rrjetet sociale. Në to flitet për një aplikacion të siguruar nga qeveria për të raportuar gratë që nuk mbajnë hixhabin.

Aplikacioni, i njohur si "Nazer" ("vëzhgues / informator" në persisht), u jepet informatorëve të verifikuar nga qeveria për t'i lejuar ata të raportojnë shkeljet e hixhabit tek autoritetet. Gratë që raportohen marrin vërejtje përmes mesazheve me tekst dhe në disa raste mund t’u konfiskohet edhe mjeti.

Në rrjet, përdoruesit pro regjimit e akuzojnë nënën në video për 'sjellje kurvërie'.

Ndërsa kryeprokurori i Qomit, Hasan Gahrib, shpalli mbështetjen për burrin në video.

Në rrjet ka nisur të qarkullojë hashtagu “Edhe unë jam kurvë”, me të cilin gratë iraniane mbështesin gruan në video.

Pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgimin e policisë morale të Iranit në shtator 2022 dhe protestave masive që pasuan, Republika Islamike ndryshoi strategjinë e saj. Patrullat në rrugë nga policia e moralit u ndaluan dhe regjimi u kërkoi qytetarëve iranianë të ndërhynin për të ndihmuar në raportimin e grave pa hixhab në publik.

Regjimi krijoi faqe interneti, këshilla dhe një aplikacion për telefonat inteligjentë që i lejonin qytetarët të raportonin lehtësisht gratë pa hixhab në polici. Qytetarët që shkarkojnë aplikacionin Nazer duhet të regjistrohen, të miratohen dhe t'i nënshtrohen një trajnimi të shkurtër. Raportet e tyre më pas përdoren për të gjobitur ose, në disa raste, për të arrestuar gratë e raportuara.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.