Tre kandidatë për kryeministër të Serbisë

Postuar në 11 Mars, 2024 16:32

Lëvizjet e fundit të Presidentit Vuçiç për të spostuar Ana Brnabiç si kryeministre duke i dhënë postin e kryetares së Parlamentit, po lexohen si ndryshime që lidhen me krizën politike në Serbi.

Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiç, flet për lëvizje që synojnë të ruajnë ekuilibrat brenda partisë në pushtet.

Nuk ka ende një argument real për këtë. Nuk e di. Mund të them vetëm këndvështrim personal. Mendoj se është shenjë e mosbesimit që ka Vuçiç. Ndoshta nuk besonte më tek Brnabiç, e cila nga askushi, u bë një nga bashkëpunëtoret më efektive të Vuçiç dhe tashmë sërish askushi. Megjithatë Brnabiç ishte imazhi politik i Vuçiç. Një arsye tjetër mund të jetë edhe dështimi për të caktuar në krye të Parlamentit, Ivica Daçiç, dhe po çon Brnabiç. Për shumë gjëra tashmë, Vuçiç duhet të negociojë me socialistët, në mënyrë që të ruajë mazhorancën.

Por kush do të jetë kryeministri i ri i Serbisë?

E vështirë shumë. Emri i parë i përfolur është ministri i Mbrojtjes, Milosh Vuçeviç. Por ai s’ka mundur të drejtojë si duhet dikasterin e vet e jo më qeverinë. Pastaj është folur për Marko Gjuriç, një kartë e fortë e Vuçiçit në politikën e jashtme.

Unë do të isha më shumë për një tjetër kandidate, e pakpërfolur. Bëhet fjalë për Ministren e Energjisë dhe Minierave, Dubravka Đedović. Nuk është figurë politike, ka ardhur në kabinet qeveritar pa karrierë politike. Është specialiste, e aftë. Por me të gjitha gjasat, cilado fytyrë të ulet në karrige, kryeministër do të jetë Vuçiç, President do të jetë Vuçiç, shef i Forcave të Armatosura do të jetë Vuçiç. Mos prisni ndonjë gjë ndryshe

Por si e sheh Janjiç, tërheqjen e Vuçiç duke pranuar zgjedhjet në Beograd dhe akuzat e tij se perëndimi po i bën presion?

Mendoj se Vuçiç ka nuhatur situatën. Pranon të bëjë sërish zgjedhje në Beograd sepse e di që mund të fitojë. Ka të gjitha mjetet legale dhe ilegale, përdor gjithë buxhetin, administratën, presionet, për të manipuluar zgjedhjet. E sigurtë është që një garanci e ka përderisa po shkon në zgjedhje. Sa i përket presionit perëndimor, Vuçiç pretendon që perëndimi po bën luftë hibride ndaj tij, por kjo në realitet nuk ekziston. Është retorikë e tij. Presion ndjen vetëm kur ke borxhe, pasiguri apo nuk ke garanci në karrierën politike, por Vuçiçit, si Amerika dhe Bashkimi Europian, po i kërkojnë 'eja bashkëpunojmë, bashkohu me ne, ulemi të dialogojmë'

Për Janjiç, kriza në Serbi mund të spostohet në një konflikt në Kosovë në 2 vitet e ardhshme. Ai nuk sheh mundësi për dialog brenda këtij viti, duke fajësuar të dyja palët.

Situata politike në Serbi është shkurtimisht, moment i ri i thellimit të krizës politike dhe institucionale. Ka nisur shumë vite më parë, por lidershipi aktual politik sigurisht është përgjegjës për këtë pasiguri sociale. Ju paralajmëroj, se kjo krizë do të përhapet brenda 2 viteve në konflikte sigurisht në Serbi, por ndoshta dhe në Kosovë apo Republikën Srpska. Madje Kosova është nyja më e nxehtë. Nga informacionet që unë kam, ka përpjekje të mëdha për të rifillura dialogun. S’ka vullnet si nga Vuçiç dhe nga Kurti. Të dy kanë zgjedhje përpara, mendoj që 2024 është viti i konflikteve, jo dialogut.

Sipas analistit, rajoni duhet të jetë më shumë i shqetësuar për krizën e sigurisë që për të është e sigurt që do të vijë, me një Banjskë të Re në Kosovë ose me një incident të armatosur në Republikën Srpska.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.