Z. Xhufi, në Himarën megjithë Labëri, votuan Fredi Belerin Jo Edin. Gëlltite!

Postuar në 04 Mars, 2024 19:01
Skerdilajd Zaimi

 

Kyriakos Mitsotakis është antishqiptar. Madje atë “nuk e pëlqen sapo e sheh si fytyrë”. Pohime këto të prof.dr. Pëllumb Xhufi në një intervistë me Dritan Hilën. Si një i majtë i vendosur në krahun e drejtë të historisë, z. Xhufi ka vijuar me denoncimin në stilin e “monarkofashistëve grekë”, kur ka vënë në dukje vetëm dy momente pozitive në qëndrimin e Greqisë ndaj Shqipërisë: një në vitet ’20 kur në në Athinë erdhi Teodoros Pangallos që “hoqi të gjitha sillogjet e Vorio-Epirit” dhe së dyti me Syriza-n që u përpoq të zgjidhte mosmarrëveshjet me Shqipërinë, edhe çështjen çame, edhe çështjen e detit.  

Mirëpo sipas z. Xhufi në të dyja rastet “qarqet e djathta greke u shqetësuan dhe vepruan duke i hequr” këta progresistë. Është e vështirë të kuptohet se për cilën psikologji të rënduar një njeri me kredencialet e z. Xhufi bëhet kaq qesharak sepse është kaq i njëanshëm. Nëse Konstandinos Mitsotakis sipas tij “përfaqëson një histori të zymtë të marrëdhënieve shqiptaro-greke”, “cinik dhe që kërkoi ndarjen e Maqedonisë”, atëherë z. Xhufi do të duhet të kishte respektin minimal për shqiptarët që e dëgjojnë dhe të dënonte aktin e kryeministrit Edi Rama që këtij Konstandinit i ngriti një bust në Dropull.

Nga ana tjetër, njeriu duhet të ketë një minimum pjekurie dhe të gëlltisë hidhërimin e të vërtetës, pasi Syriza-n nuk e hoqën qarqet monarko-fashiste greke sepse u shqetësuan për marifetet e Nikos Kotziasit me Ditmir Bushatin në Korçë më 2018-ën, por e hoqën zgjedhjet. Zgjedhjet e pakontestuara nga askush. Zoti Xhufi me siguri që duhet ta dijë – por edhe nëse jo, e di Dritan Hila që ka punuar në Ministrinë e Jashtme – se Bushati u hoq nga detyra nga Edi Rama duke lënë në mes një proces të cilin sot z. Xhufi e vlerëson si shumë të mirë.

Edhe këtu historian ish-zv.ministër duhet të ketë një minimum respekti për ne që e dëgjojmë e që ia kemi lexuar librat, por edhe polemikat me Vjosën e Pindit e të pyesë: pse vallë u pre në mes ai proces? Pse Edi Rama – kryeministri i tij – preferoi të çonte në Hagë edhe atë për të cilën qeveria greke kishte rënë dakord?

Kaq shumë mendon për Shqipërinë ky Edi Rama, saqë z. Xhufi e kërkon përherë anti-shqiptarinë vërdallë? E kryesisht në “Ishujt Jonianë”, sikur andej të jetë duke ardhur murtaja? 

Është ky Kyriakos Mitsotakis – për të cilin arbërori Dritan Hila tha se ngjan si “djalë mamaje” – që autorizoi një ekspozitë në Athinë për këtë piktorin e Tiranës që nuk e begenis kush në botën e artit. Me të gjitha nderimet madje, aq sa arti u poshtërua edhe njëherë për hir të politikës. Dhe sërish ai është antishqiptar! Me sensin karakteristik të histori-tregimit shqiptar që konsiston në parimin se “burra të mirë janë ata që na vijnë pas midesë”, qoftë Xhufi, qoftë ky Hila, nuk vënë në dukje se Kyriako është edhe djali i Marikës, një arvanitase me shumë ndikim në vendimet e burrit të vet. Por jo. Arvanitas i mirë është ai që e sheh botën me syzet e Tiranës.

Nga ana tjetër, z. Xhufi është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe deklarime si këto nuk mund të shkëputen nga kredencialet zyrtare të tij.

Çfarë do të thotë sot “anti-shqiptar? Na duhet ky përkufizim që të kuptojmë edhe kontekstin e politikave të Greqisë ndaj vendit tonë, por edhe për të rivlerësuar bindjen se “Shqipëria vajti e shkoi qëkur e morën shqiptarët”.

A është pro interesit tonë qeveria e tanishme? Varet si e sheh. Opozita thotë që kjo qeveri është kundër interesit kombëtar. Ka të tjerë që thonë ndryshe. Cilin metër përdor këtu z. Xhufi përballë të cilit qëndron një moderator që pohon gati i cmeritur nga qasja e Athinës?

Metrin e pedagogut të një nacionalizme mllefi dhe brenge për hiletë e pakorrigjueshme greke ndaj historisë sonë eprore? Apo metrin e një parapolitike që pritet të sendërgjohet në skenarin e “Nëndorit të Tretë”?

Ka një disnivel të pabesueshëm mes formimit të z. Xhufi dhe lëvrimit të lëndës historiografike prej tij dhe cilësisë së polemikës që zhvillon për tema të aktualitetit në marrëdhenit tona me fqinjët. Një disnivel që më së paku injoron kontekstet dhe kompleksitetin dhe ndërthurjen e historisë.

Cili prej profesorëve të z. Xhufi do t’e lejonte vetes të shprehej kështu?!

Po flasim për politikë dhe në këtë fushë askush nuk ka autoritetin përfundimtar. Megjithë respektin, por në rastin e çështje “Beleri” nuk ka kurrfarë anti-shqiptarie të Athinës, por ka një incident të stisur nga një njeri i vetëm në Tiranë. Lodrat e të cilit nuk mund të kalojnë për interes kombëtar vetëm pse kështu shfryhen dufet e vjetra ndaj Greqisë dhe grekëve. Kemi një incident elektoral dhe penal, nga këta që i kemi dëshmuar për 30 vjet, me dallimin se Beleri ka një avokat më të mirë se të tjerët. Kjo është evidente, qoftë edhe pse askush nuk vë më në diskutim VOTËN e atyre njerëzve aty. Që e njohin Belerin me dhëmbë e dhëmballë. Më mirë se Xhufi dhe të tjerë që po duan ta trajtojnë këtë çështje me standardin e sherreve alla shqiptare për një mur banjoje që zgjasin 30 vjet dhe vriten si vëllazëri.

Zoti Xhufi: Në Himarën megjithë Labëri brenda, votuan Fredin jo Edin! Gëlltite!

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Me mbi 100 kanale TV qe kane shqiptaret, cdo mbremje shohin te njejtet surreter dhe degjojne te njejtin tingull.
Po nuk qene milioneret e portokallise si Mal Mamaki , Bes Kallaqi e Gaz Paja; do te jene Burka i Rudina Xhunges ( sepse keshtu njihet) Derrtani i hilese, A Cani, Medusa Grida Suma, A Curri dhe Soji i Kolombo Xhufit qe akoma trillon dhe i beson rrenave qe ka shkruar pergjat komunizmit.

Dhe te mos leme pa permendur "ajken" e shqiptarise te rraces pelazgjike A Cakon qe eshte atasheh i Alieneve ne token e Arberit, Sazan Gurin me kafken e tij te rraces ariane -Vieneze qe, per cudi leshte e verdhe i kane rene e na ka marre pamjen e murgjeve budist, tamam Dalai Lama. Gonin e Dalipajve qe malin Kilimanxharo na e shqiptarizoi dhe kerkon te varroset atje kur te vdesi, njesoj si Ivan Kastreota ne manastirin serb te Athos. Apo brumbulli E Kocaqi qe si stermbes e zotes Athina proklamon se nuk ka patur komb grek....... ka vetem shiptar.

Enkel Demi etj etj. Para dy muajve ky i fundit kishte marre ne studio djalin e Narodomn Sihanukut, Sazen.
Sazja thoshte se cdo gje greke eshte shqiptare.... Skizofrenia arriti Deri aty sa Sazja tha se Feta Cheese eshte shqiptare, e shpikem ne. Si? Ja, nje fete buke, nje fete djathe! (Sazja).
Enkeli: pra edhe ishulli Kos eshte shqiptar,!
Sazja: patjeter.
Enkeli: kush u shpik me pare kosi apo emri i ishullit.....
Muhabeti degjeneroi ne injorance.

Prandaj brezi i ri pi kanabis, me mire te thithin tym se sa te degjojne e shikoj idiotesira.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Kete rradhe e paske qare fare. po fare. Me kenaqe me karakterizimet qe u ke bere atyre sharlataneve te marre.

Submitted by Dori (not verified) on

Citoj: "ka nje disnivel te pabesueshem mes formimit te z.Xhufi... dhe cilesise se polemikes qe ai zhvillon". Eshte nje dukuri qe me ka pas coroditur jo pak dikur, porqe jam mesuar me te, sepse e kam kuptuar paternin e saj. Kjo ndodh me jo pak profesioniste, pavaresisht fushes se studimit, shume te pregatitur dhe te zote ne profesionin e tyre, porqe per shkak te ndonje bindjeje a besimi, thone a bejne te tilla budallalleqe qe te ben te besh pyetjen: po ky si e thote kete gje?!
Eshte kjo arsyeja qe me ka bere te dal ne perfundimin qe, bindja apo besimi, i cfaredo natyre qofte ai, eshte nje vetekufizim qe intelektuali i ve vetes; keshtu sado i pergatitur profesionalisht te jete ai, sado i talentuar, madje edhe gjeni ne qofte, nese ka bindje, cdo gje qe thote cdo gje qe shkruan, e pershtat me kete kornize ku e ka futur veten me vullnetin e tij; me kalimin e kohes, kjo behet aq e rendomte, sa edhe me gjeniu prej kesaj kategorie, nuk e kupton kete snap intelektual qe ka pesuar mendja e tij.

Submitted by Albanian (not verified) on

Une ju pershendes te gjithe nqs se perceptoni veten patriote te Albanianeve ne Ballkan ...Merreni Filozofet qe nga Platoni deri sot edhe pastaj jepni nje mendim ide si individ ne emer te se drejtes se fjales.Problemi apo Dilema e Shqiptare eshte se "Ata- Ne" e marrin akoma si mase per thene e drejte apo gabim Enverizmin gje qe nuk shkon nuk njihet ne bote si mase peshorje apo dallimi krahasimi ...edhe Zoti Xhufi sade qe jep fakte neper emisione(Respekt)ne fund te fundit i ben reklame Hoxhizmit .Sot jemi keqe se ishim te papergatitur per sistemin e demokracise por krahasime perqasje Monizmin Enverist kurre.Mbase kemi fat edhe shpetojme nga doktrina Russo Serbe?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.