Makthi i paralizës së gjumit kthehet në horrorin modern

Postuar në 02 Nëntor, 2023 20:07
Alice Vernon*

 

Zgjohesh në mes të natës. Dhoma është e errët, përveç shkëlqimit të dobët të hënës që hyn nga dritarja. Por ka diçka nuk shkon. Një peshë të shtyp gjymtyrët, gërryen thellë në stomakun tënd dhe shtrydh ajrin nga mushkëritë tua. Përpiqesh të lëvizësh, por nuk mundesh - gjithçka që mund të bësh është mbash sytë hapur.

Hija e një qenieje me gjymtyrë të përdredhura lëviz sipër teje. Një kokë të afrohet te fytyra. Dhe ndërsa ky terror paralizues arrin kulmin, përbindëshi tërhiqet dhe ti rifiton kontrollin mbi gjymtyrët tua. Ti zgjohesh. Ishte thjesht një ëndërr. Shyqyr!

Kështu është vuajtja nga ajo që njihet si paraliza e gjumit. Quhet parasomnia dhe karakterizohet nga ndjesia e një peshe dërrmuese të shoqëruar nga halucinacione të një pranie keqdashëse. Tani e dimë se ka një shpjegim shkencor: Paraliza është pjesë e natyrshme e gjumit që shuhet para mëngjesit, por disa prej nesh zgjohen ndërsa ajo është ende në fuqi.

Megjithatë, historia e fenomenit është një histori dyshimi dhe magjie. Ndërsa besëtytnitë tona moderne janë zvogëluar, paraliza e gjumit po ripërtërihet në imagjinatën tonë përmes një tendence në filmat e fundit horror.

​Derisa Rilindja promovoi provat shkencore mbi bestytnitë fetare, zakonisht besohej se gjumi i trazuar shkaktohej nga shtrigat e këqija. Shumë nga emrat e vjetër për paralizën e gjumit përputhen me këtë ide: të qenit "i kalëruar", për shembull, ose të sulmuarit nga një kalë i magjepsur i njohur si "mara", nga ku kemi marrë termin "makth".

Si të tilla, ritualet në dhomën e gjumit kishin të bënin me mbrojtjen kundër shtrigave po aq sa kishin të bënin me mbylljen e dritareve para gjumit. Njerëzit mbanin gjerdane me korale, ose varnin një fosil të njohur si belemnite mbi shtretërit e tyre, për t'i mbrojtur ata nga shtrigat gjatë gjumit. Edhe stallat stoliseshin me hajmali për t’o mbrojtur kuajt që të mos pushtoheshin nga shtrigat që besohej se i përdornin për t’i shkelur “viktimat” e tyre ndërsa flinin.

Kanë kaluar 330 vjet që nga gjyqet famëkeqe të shtrigave në Salem, ku 19 persona u varën me dyshimin se kishin lidhje me Djallin. U ngritën më shumë se 200 akuza dhe dosjet e gjykatës tani janë dixhitalizuar dhe mbahen në bibliotekën e Universitetit të Virxhinias.

Kur shkruaja librin tim, “Tmerret e natës”, iu drejtova këtyre dokumenteve dhe kuptova se në shumë prej akuzave, përshkrimi i takimeve me "shtrigat" përkonte me idetë e përhapura për shkakun e paralizës së gjumit. Në dëshminë e Richard Coman kundër Bridget Bishop-it më 2 qershor 1692, ai e përshkruan të akuzuarën si gruaja që hapte perdet në këmbët e shtratit dhe shtrihej mbi trupin e tij, duke i rënduar në mënyrë të tillë që ai të mos mund të fliste ose të lëvizte. Bishop ishte e para që u ekzekutua.

Megjithatë, gjatë kohës së gjyqeve të shtrigave në Salem, po diskutohej një shpjegim më racional përsa i përket zbulimit shkencor që e lidhte paralizën e gjumit direkt me trupin e atij që ankohej. Bindja se bëhej magji, të paktën ajo që lidhej me gjumin e trazuar, nisi të lëkundej.

Sot duket se interesi për bestytnitë e gjyqit të shtrigave është rikthyer në filmat horror modernë. Kohët e fundit, një sërë protagonistësh përballen me përbindësha dhe demonë, ndërsa ndodhen në atë hapësirën ku janë më të pambrojtur: shtrati. Në filmin e vitit 2014, The Babadook, me regji të Jennifer Kent, Amelia (Essie Davis) gjendet e paralizuar në shtrat dhe shikon me tmerr teksa përbindëshi ecën nëpër tavanin e dhomës së saj të gjumit. Goja e saj është hapur për një britmë pa zë, ndërsa Babadook bie si një merimangë mbi të.

Në mënyrë të ngjashme, në “Nata e fundit në Soho”, protagonistja e Thomasin McKenzie, Eloise, mbërthehet në shtratin e saj nga duart fantazmë të njerëzve të vrarë. Filma të tjerë po e përdorin edhe vetë paralizën e gjumit si përbindësh, të tilla si “The Nightmare”, një dokumentar horror që përshkruan parasomninë dhe filmi i shkurtër i Andy James Taylor, “The Nocnitsa”, në të cilin një grua e re përndiqet nga një prani e errët që ngjitet në shtratin e saj ndërsa ajo vetë e ka të pamundur të lëvizë.

Po bëhet gjithnjë e më popullore - dhe ka disa arsye me të cilat mund të shpjegohet ky trend. Çdo paraqitje e paralizës së gjumit në film ngatërron kufirin midis heroit dhe "shtrigës", kjo e fundit shpesh është produkt i imagjinatës dhe përfaqëson trazira psikologjike.

Me fjalë të tjera, problemet emocionale të protagonistit manifestohen përmes demonëve të tij të paralizës së gjumit. Një faktor tjetër është se ai e sjell përbindëshin e filmave klasikë horror në një hapësirë shumë më personale dhe shtëpiake. Ai paraqet idenë se “të këqijtë” me të cilët përballemi në gjumë në fakt i kemi krijuar vetë.

Ndoshta arsyeja më e përhapur, megjithatë, është se gjumi tani është i mbianalizuar dhe i rrënjosur shumë fort në neuroshkencë dhe te debatet që bëhen për "zakonet" e gjumit dhe "higjienën". Diskutimet kulturore për gjumin janë larguar aq shumë nga ajo përvojat rrëqethëse dhe misterioze, saqë tani janë filmat horror ato që na kujtojnë ndikimin që gjumi i trazuar dikur kishte në imagjinatën tonë.

Gjumi tani shqyrtohet nën një dritë të ashpër klinike, por historitë horror po rindërtojnë gjithnjë e më shumë një sens më historik të asaj që përfaqëson errësira.

*Alice Vernon është pedagoge në shkrimin krijues dhe letërsinë e shekullit XIX në Universitetin Aberystwyth.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.