Lobimi miliona dollarësh pas suksesit të Ozempic

Postuar në 12 Korrik, 2023 18:23

Forma të ndryshme të lobimit të industrisë farmaceutike dhe asaj ushqimore kanë përcaktuar shpesh se sa do të ishte më pas shkalla e përdorimit të produkteve që ato prodhojnë. Vitin e fundit, suksesi i medikamentit "Ozempic", sidomos në tregun amerikan, ka habitur një pjesë të madhe të njerëzve, duke bërë në të njëjtën kohë që shumë të tjerë ta shihnin me dyshim.

Praktikisht, "Ozempic" është një medikament i destinuar për individë që vuajnë nga diabeti i tipit 2 dhe përdoret për menaxhimin afatgjatë të peshës trupore. I miratuar nga FDA në dozën 1 miligram, "Ozempic" u vu shumë shpejt në funksion të stilit hollivudian të jetesës. I përdorur në dozën 2.4 miligram, për më shumë rezultat, ai u bë “ilaçi magjik” i Elon Musk dhe Kim Kardashian për të mbajtur trupin në peshën ideale. Për shkak të aksesit të lehtë (kushton 1300 dollarë dhe nuk mbulohet nga sigurimet shëndetësore), Musk, Kardashian dhe shumë të tjerë e kanë përdorur rregullisht, ndërsa mediat e kanë servirur si shpëtim për ata që duan të bien në peshë.

Por përtej reklamës së VIP-ave, pas suksesit të "Ozempic" fshihet një hile tipike e industrisë farmaceutike. Novo Disk, kompania daneze që e ka prodhuar, nuk është kursyer me ata që kanë në dorë sa dhe si do të përdoret një medikament: mjekët.

Marketingu me mjekët i ka kushtuar kompanisë të paktën 11 milionë dollarë. Sipas të dhënave federale të SHBA nga Qendrat për Shërbimet e Medicare dhe Medicaid, të cilave u referohet Il Fatto Alimentare, shuma e mësipërme është shpenzuar vetëm për ushqime dhe udhëtime; mbi 12 mijë mjekë u ftuan në seminare gjatë të cilave u shpjegohej si funksionon e gjithë klasa e molekulave të agonistëve GLP-1, nga të cilat Ozempic është aktualisht më i suksesshmi.

Duke pasur parasysh precedentët dhe studimet e shumta të kryera, kjo praktikë konsiderohet një formë e kushtëzimit indirekt, veçanërisht nëse kryhet në një mënyrë kaq agresive dhe në një masë kaq të qartë disproporcionale.

Faqja Stat, e cila monitoron konfliktet e interesave të kompanive farmaceutike dhe gazetarët e së cilës shpesh kanë kryer hetime që kanë demaskuar praktika të këqija të llojeve të ndryshme, intervistoi Joseph Ross, një mjek dhe ekspert për këto tema në Universitetin Yale.

Kur një mjek ha jashtë me përfaqësuesit e kompanisë më shpesh sesa ha në shtëpi, kjo sugjeron se  është tepruar.

Novo Nordisk nuk ka paguar vetëm ushqimin. Udhëtime në Londër, Paris, Honolulu dhe Orlando për mjekët, në mënyrë që të njihen me risitë e agonistëve GLP-1 i ka kushtuar kompanisë dy milionë dollarë vetëm në vitin 2022.

Të dhënat bëhen publike në një moment jo fort të mirë për Ozempic. Së bashku me të, edhe dy medikamente të tjera të ngjashme, Wegovy and Saxenda, po hetohen nga Bashkimi Europian për efekte anësore, si mendimet veëtvrasëse. Ndërsa Novo Nordisk e mohon lidhjen e ilaçit me mendimet vetëvrasëse, disa studime kanë sugjeruar se një e tillë është reale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.