Putin flet për tradhti nga brenda: Nuk lejojmë thikat pas shpine si në Revolucionin Rus

Postuar në 24 Qershor, 2023 13:22

Presidenti rus thotë se nuk do të lejojë që vendi të rrëshqasë në një konflikt civil, ndërkohë që po lufton për të ardhmen. Në një fjalim urgjent të mbajtur sot në Moskë, ai akuzoi shefin e Wagner për nxitjen e një konflikti të armatosur civil.

“U bëj thirrje qytetarëve të Rusisë, personelit të forcave të armatosura, forcave të rendit dhe shërbimeve të sigurisë, luftëtarëve dhe komandantëve që aktualisht luftojnë në pozicionet e tyre, duke zmbrapsur sulmet e armikut në mënyrë heroike. Kam folur me komandantët në të gjitha drejtimet mbrëmë. U bëj thirrje edhe atyre që u tërhoqën në mënyrë mashtruese në aventurën kriminale, të shtyrë drejt një krimi të rëndë të një rebelimi të armatosur. Sot Rusia po lufton ashpër për të ardhmen e saj, duke zmbrapsur agresionin e neo-nazistëve. E drejtuar kundër nesh është e gjithë makina ushtarake, ekonomike dhe informative e Perëndimit. Ne luftojmë për jetën dhe sigurinë e njerëzve tanë; për sovranitetin dhe pavarësinë tonë; për të drejtën për të mbetur Rusi, një shtet me një histori mijëravjeçare. Kjo betejë, ku po vendoset fati i popullit tonë, kërkon që të gjitha forcat tona të jenë të bashkuara; na duhet unitet, konsolidim dhe përgjegjësi. Çdo gjë që na dobëson duhet të lihet mënjanë, çdo dallim që mund të përdoret nga armiqtë tanë për të na dëmtuar nga brenda”, tha Putin.

Presidenti rus përsëriti akuzën për tradhti ndaj atdheut nga ana e grupit Wagner, duke kujtuar Revolucionin Rus.

Veprimet që përçajnë unitetin tonë janë një tradhti ndaj popullit tonë, ndaj vëllezërve tanë në luftë që luftojnë tani në vijën e parë të frontit. Është një thikë në shpinë të vendit dhe popullit tonë. Ishte një goditje e tillë që iu dha Rusisë në vitin 1917 kur vendi po luftonte në Luftën e Parë Botërore, por fitorja iu vodh. Intrigat, grindjet dhe politikat pas shpine të ushtrisë dhe popullit rezultuan të ishin katastrofa më e madhe, shkatërrimi i ushtrisë dhe shtetit, humbja e territoreve të mëdha, me pasojë një tragjedi dhe një luftë civile. Rusët vrisnin rusët, vëllezërit vrisnin vëllezër. Përfitues të kësaj ishin fuqi të huaja që ndanë vendin dhe e copëtuan atë. Nuk do ta lejojmë të ndodhë më. Ne do ta mbrojmë popullin dhe shtetin tonë nga çdo kërcënim, përfshirë edhe tradhtinë e brendshme. Ajo me të cilën ne po përballemi është pikërisht një tradhti.

Putin tha se çdo tradhtar do të ndëshkohet dhe paralajmëroi rusët të mos u bashkohen.  

Çdo rebelim i brendshëm është një kërcënim vdekjeprurës për shtetin tonë, për ne si komb. Është një goditje kundër Rusisë, kundër popullit tonë. Dhe veprimet tona për të mbrojtur atdheun nga një kërcënim i tillë do të jenë brutale. Kushdo që me vetëdije ndoqi rrugën e tradhtisë, që përgatiti kryengritjen e armatosur, shkoi në rrugën e shantazhit dhe aksioneve terroriste, do të ndëshkohet në mënyrë të pashmangshme. Ata do të përgjigjen përpara ligjit dhe popullit tonë. Ata që organizuan dhe përgatitën kryengritjen ushtarake, që kthyen armët kundër bashkëluftëtarëve të tyre, e kanë tradhtuar Rusinë dhe për këtë do të mbajnë përgjegjësi. Dhe ata që po tërhiqen në krim, po ju bëj thirrje që të mos e bëjnë këtë gabim vendimtar, tragjik, të papërsëritshëm.

Ndërkohë Yevgeny Prigozhin, kreu i kontraktorit ushtarak rus Wagner Group, i hedh poshtë akuzat për "tradhti". Trupat e tij kaluan nga Ukraina në qytetin kufitar rus të Rostov-on-Don, duke u zotuar të luftojnë këdo që përpiqet t’i ndalojë. Prigozhin postoi sot një mesazh audio në Telegram, ku pretendon se forcat e tij kanë marrë kontrollin e objekteve ushtarake në qytet, përfshirë aeroportin.

Videot dhe fotografitë e postuara në internet, duke përfshirë agjencinë ruse të lajmeve TASS, treguan njerëz të armatosur që rrethonin ndërtesat administrative në Rostov dhe tanke të vendosura në qendër të qytetit.

“Të gjithë ne jemi gati të vdesim. 25 000 tani dhe më pas 25 000 të tjerë”, tha ai, pasi më herët akuzoi drejtuesit e lartë rusë se kishin nisur një sulm në kampet e tyre në Ukrainë, ku mercenarët po luftojnë në emër të Moskës.

"Ne po vdesim për popullin rus."

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.