De-fshatarizimi i gazetarisë, nevojë e përjetshme

Postuar në 17 Qershor, 2023 13:05

Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, citohet sot të jetë shprehur se dy ndërmjetësit europianë, Borrell dhe Lajçak, janë të njëanshëm në qëndrimet e tyre proserbe në kuadër të dialogut me Serbinë. Dhe në fakt ka shumë të tjerë, edhe aktorë të huaj, përfshirë raporteren Viola von Cramon që e kanë vënë në dukje një gjë të tillë. Vërejtje të tilla priten me mllef në Tiranë, ku idealizohet BE-ja dhe njerëzit e saj, ndërkohë që politika vepron mbi analizë provash.

I gjithë ky kompleks, por edhe ligësi që lidhet me luftën politike ndaj qeverisë aktuale në Kosovë, shmanget kur vjen puna që kritikat ndaj përfaqësuesve të BE-së i bën kryeministri i Shqipërisë. Ta zëmë edhe dje, kryeministri hungarez Orban kritikoi hapur Brukselin për ritmin e ngadaltë të zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor, diçka që mediave pranë z. Rama u konvenon sepse kështu relativizohet dështimi spektakolar i qeverisë aktuale në procesin e integrimit.

Është një moment që është i qartë ky: diplomacia perëndimore ka regjistruar dështime të njëpasnjëshme. Ne mjafton të kujtojmë se çfarë bëri Europa humane në fillimet e pandemisë, sesi ndaloi eksportin e pajisjeve mjekësore, duke dënuar me vdekje pjesë të tëra të botës, vendim që u zbut nga fakti se në botën e sotme ka fuqi të tjera që kanë zhvillim të konsiderueshëm.

Ndaj duhet pranuar me konsensus që të qenit kritikë ndaj përfaqësuesve të BE-së apo SHBA-së nuk shpjegohet vetëm me ndonjë ANTI të radhës, apo me miopinë për të parë gjërat. Ndodh që njerëzit nga Europa ja fusin edhe kot, janë mediokër, sharlatanë, blihen, kanë interesa, na urrejnë, pra gjithë katalogu i asaj që bën njeriun, ndodhet edhe tek ata. Ndaj përpara sesa të nisë gjullurdia pro dhe kundër, të biem dakord që të de-fshtarizohet gazetaria shqip që kryesisht gëlon nga njerëz që po t’i ftojnë në ndonjë seminar lënë edhe dasmën e tyre pa bërë. Apo po t’i ftojë ndonjë ambasador ndihen se janë më të rëndësishëm dhe të suksesshëm se Papa i Romës. Dhe pastaj me këta kooperativistë të ditëve të fundit je i detyryuar edhe të diskutosh mbi perspektivën. Ndërkohë këta perëndimorët shalëngjitur që vijnë këtej – se më të dështuarit dërgojnë këtu – kanë rast që të qeshin me indigjenët që gjejnë, por edhe të livadhisin, duke i shpalosur fjalët e tyre bajate dhe me tekst unik që nga 1990 sikur të jenë kapituj të Biblës.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nderroja emrin faqes tuaj. Vendosja " zeri i Albinit" ose " mllefe kunder Rames".
Jeni bere me lajmet nga Kosova sikur lajmet e Tiranes "miser e grure" ne komunizen.

Submitted by redaksia on

Ne nuk kemi lajme nga Kosova, me shume ka qendrime, Mllefe kunder Rames? Po nuk na ka bere gje, sinqerisht. Thjesht pikepamje mbi negativin absolut te qeverisjes se tij personale. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.