Zbulohet bilbili i parë i krijuar nga njeriu

Postuar në 11 Qershor, 2023 12:25

Bilbili i parë i krijuar nga njeriu mund ta ketë origjinën në Izraelin e 12 mijë vjetëve më parë.

Shtatë kocka të vogla dhe të brishta, të zbuluara në një vendgërmim parahistorik në veri të Izraelit, mendohet se janë bilbilat e parë të përdorur nga njeriu për të imituar zogjtë grabitqarë.

Arkeologët izraelitë i publikuan rezultatet e studimit të tyre në Nature Scientific Reports.

Këto mjete mund të jenë përdorur ose si instrumente muzikore shumë të vogla, ose për të komunikuar me zogjtë.

Ato prodhonin tinguj të ngjashëm me këngën e harabelave, thonë autorët, Dr. Lauren Davin nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit dhe Qendra Franceze Kërkimore e Jerusalemit, Dr. José-Miguel Tejero nga Universiteti i Vjenës dhe Universiteti i Barcelonës, Dana Shaham nga Universiteti Hebraik, Dr. Hamudi Khalaily nga Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit.

Bilbilat e bërë prej kocke mund të kenë imituar këngën e zogjve për t'i tërhequr, siç bëjnë gjuetarët e rosave edhe në ditët e sotme.

"Nëse këto mjete përdoreshin për gjueti, atëherë kjo është dëshmia më e hershme e përdorimit të tingullit në gjueti," thotë Khalaily. Është thuajse një mrekulli që këto instrumente u mbijetuan shekujve. Ato u gjetën gjatë gërmimeve në Eynan, një vendbanim parahistorik, në Luginën Hula, një zonë dikur moçalore në veri të Detit të Galilesë.

Eynani lidhet me një kulturë të epokës së vonë të gurit, Natufianët, grupe para-bujqësore që jetuan në Izrael dhe rajonin përreth nga 15 000 deri në rreth 11 700 vjet më parë. Ata ishin gjuetarë dhe u bënë të parët që ndërtuan shtëpitë e para të njohura prej guri në rajon.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.