Akuza në media: Edhe Austria drejt orbanizimit

Postuar në 06 Qershor, 2023 14:33

Herbert Kickl mund të quhet pa frikë dhimbja e re e kokës për Europën. Politikani austriak është një teoricien konspirativ pro-rus, anti-amerikan që dëshiron ta kthejë vendin alpin në një "fortesë" kundër migrimit. Ai është favorit për t'u bërë lideri i ardhshëm i vendit të tij.

Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë nga e cila vjen Kickl ka udhëhequr sondazhet kombëtare me disa pikë që nga nëntori, pasi rritja e inflacionit dhe një rritje e mprehtë e kërkesave për azil nxisin pakënaqësinë me qeverinë aktuale, një koalicion midis Partisë Popullore Austriake të qendrës së djathtë dhe të Gjelbërve. Partia e Lirisë ka gjasa të larta për fitore, edhe për shkak të përçarjes së Social-Demokratëve.

Kjo do të krijonte një Viktor Orban të dytë që sfidon BE-në.

Austria nuk është i vetmi vend në rajon që është i ndjeshëm ndaj Orbanizmit. Sllovakia fqinje është gjithashtu në prag të një ringjalljeje populiste. Smer-SD pro-ruse – lideri i së cilës, ish-kryeministri Robert Fico, u detyrua të largohej nga detyra në vitin 2018 pas një vale protestash popullore të shkaktuara nga vrasja brutale e një gazetari investigativ dhe të fejuarës së tij – po kryeson sondazhet përpara zgjedhjeve të parakohshme të caktuara për në shtator. Fico është zotuar se do t'i japë fund mbështetjes ushtarake të Sllovakisë për Ukrainën fqinje, nëse zgjidhet.

Zyrtarët evropianë paralajmërojnë se fitoret e forcave pro-ruse në Sllovaki dhe Austri do t'i jepnin presidentit rus Vladimir Putin një mjet të fuqishëm kundër Ukrainës, duke e bërë më të lehtë për të të minojë sanksionet dhe përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Ukrainën.

Kickl ka shërbyer si ministër i Brendshëm gjatë koalicionit jetëshkurtër të Partisë së Lirisë me Partinë Popullore të ish-kancelarit Sebastian Kurz dhe është fytyrë e njohur në Bruksel. Një nga lëvizjet e hershme të Kickl si ministër i Brendshëm ishte ndryshimi i emrit të qendrave të regjistrimit të azilkërkuesve të Austrisë në "Qendrat përcjelljeje".

Presidentja e Parlamentit të BE-së, Roberta Metsola i tha një gazete austriake javën e kaluar se ajo ka "dyshime serioze" në lidhje me përshtatshmërinë e Kickl për çdo detyrë ministrore.

"Ai thjesht nuk është i besueshëm," tha Metsola.

Kickl është zotuar të përdorë veton e Austrisë në Këshillin Evropian për të rikthyer ato që ai i quan sanksionet "e pakuptimta" të bllokut kundër Rusisë.

Gjatë një vizite të fundit në Budapest, ku u takua me mentorin e tij Orbán, Kickl nuk e fshehu synimin e tij për ta kthyer Austrinë në një Hungari tjetër, të cilën ai e vlerësoi si një "strehë të vetëvendosjes kombëtare dhe rezistencës kundër ndërhyrjes globaliste nga Brukseli".

Partia e Lirisë – e cila u themelua nga ish-nazistët në vitet 1950 dhe është më e njohur ndërkombëtarisht për të ashtuquajturin skandal i Ibizës që rrëzoi paraardhësin e Kickl, Heinz-Christian Strache – ka lidhje të gjata me Rusinë. Strache nënshkroi një marrëveshje partneriteti me partinë Rusia e Bashkuar e Putinit në vitin 2016.

Megjithëse Kickl këmbëngul se marrëveshja ka skaduar, ai dhe figura të tjera të Partisë së Lirisë nuk e fshehin afinitetin e tyre për Rusinë. Partia ka paraqitur dhjetëra rezoluta pro-ruse në parlamentin austriak që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë të Putinit kundër Ukrainës, për shembull. Ajo gjithashtu ka lëshuar një sërë deklaratash për shtyp gjatë vitit të kaluar duke kërkuar heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Kickl thotë se qëllimi i tij këtë herë është i qartë: të jetë një Volkskanzler - një kancelar i popullit.

Me shkurtime nga Politico.eu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.