Një ndihmë e fundit për të Sëmurin e Beogradit

Postuar në 28 Maj, 2023 21:42

 Në Tiranë ka njerëz që po festojnë me fletërrufe atë që e shpresojnë si prishje të marrëdhënieve të Prishtinës me Perëndimin. E gjithë çështja e krijuar në Veri të Kosovës ngërthen në fakt dy psikologji politike mes shqiptarëve: atë që e sheh çdo zgjidhje problemesh përmes delegimit të përgjegjësive te të huajt dhe tjetra që pranon iniciativat. 

Tani, varianti i parë ka shumë interesa pas. E ashtuquajtura shoqëri civile, media të caktuar, mbeten pa rol nëse një qeveri bën punën e vet dhe nuk ka nevojë për rolin e tyre ndërmjetësues në çështje dhe situata të tilla. Ndaj përveç urrejtjes ndaj kryeministrit të Kosovës do kuptuar edhe ky aspekt sepse zë vend të parë në listën e punës së gazetarëve me apo pa vila. 

Varianti i dytë patjete që do të çojë në përballje. Historia e shtetit shqiptar nuk është përcaktuar nga ata që mbetn në dyer ambasadash, por nga të tjerë që morën risqe. Kurti hyn te politikanët që marrin risqe. Po flasim për politikën e jashtme të tij dhe atë të sigurisë, jo ekonominë. Dhe risqet kanë sjellë përkundër çdo zhurme që bëhet faktin konkret që policia e Kosovës është në Veri, aty ku Beogradi luante si në domenin e vet. Kjo ka rëndësi shumë të madhe dhe nuk duhet nxjerrë mënjanë pavarësisht deklaratave që bëhen nga Brukseli apo gjetkë. 

Ta zëmë në një deklaratë të shpërndarë sot, pesë vender përgjegjëse për sigurinë në Kosovë, ndër të tjera thonë:

Në këtë kontekst, QUINT-i dhe BE-ja presin që Qeveria e Kosovës nuk do të ndërmarrë asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat e Komunës së Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Kryetarët e zgjedhur duhet po ashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të treguar përkushtimin e tyre dhe përgjegjësinë për të përfaqësuar dhe për t’iu shërbyer të gjithë anëtarëve të komuniteteve të tyre

Është një dekaratë që në Tiranë po absolutizohet si Gjyqi i Fundit, kur në fakt duhet lexuar për atë që është. Ka vende që kanë interes të përshpejtojnë zbatimin e marrëveshjes për Asocacionin, në kushte të tilla qe do ta digjnin politikisht Albin Kurtin. Dhe janë investuar në mattëveshjen në fjalë duke qenë se ajo shihet si driarja e vetme e fundit që edhe presidenti serb të shpëtojë fytyrën e të fitojë kohë. Kosovës i kërkohet të sillet këtu si çiraku i mirë për një lojë më të madhe. Ne duhet po ashtu të hamendësojmë se ka brenda QUINT-it vende që nuk e duan Aleksandër Vuçiçin në atë karrigë më, duan të hapin proces ndryshimi në Serbi dhe këtu Kurti hynë në koniunkturë si aktor me rëndësi. Vlen kjo për faktin se Vuçiç prej muajsh akuzoh se pas Kurtit janë së paku dy fuqi kryesore përendimore. 

Në aspektin formal deklarata e fundit nuk ka asnjë bazë. Ajo i apelon vetëm qeverisë së Kosovës, por jo Beogradit, nuk e dënon shpalljen e gatishmërisë luftarake nga Vuçiç, por dënon veprimin policor të Kosovës, kërkon nga kryekomunarët të kryejnë detyrën, por pa sqaruar sesi ta bëjnë një gjë të tillë nëse turmat e paguara nga Beogradi nuk të lënë. Si mund të merret seriozisht një qëndrim i tillë veç faktit se atë e kanë firmosur vende të mëdha, por që përveç madhësisë nuk kanë asnjë ofertë serioze, e madje do dyshuar nëse janë në gjendje të kenë një politikë të vërtetë në Ballkan? 

Nëse do ta vazhdonim më tej leximin e deklaratës ne duhet të pyesim: pse nuk i bëhet thirrje Kosovës të mos stacionojë forca policore në Veri meqenëse kjo shqetëson Vuçiçin? Në fund të fundit presidenti serb e di që me bojkotin e detyrave nga policët serbë bëri gabimin se hapi rrugën për plotësimin e vakancës me policië shqiptarë, një akt të cilin nuk e shpall dot si spastrim, meqenëse është gjellë që e gatoi vetë. Nuk ka asnjë dyshim më se diplomacia perëndimore po ndihmon të Sëmurin e Beogradit, që është në kryqëzim politik, me Neutraltetin si sëmundje autoimune tashmë, dhe që nuk po di të ndajë se nga cila rrugë duhet të marrë. Të tjerat, janë gajret për ligësinë e gazetarëve dhe kryeministrit në Tiranë. Shihuni fytyrën për të kuptuar pa koment se çfarë janë.

s.zaimi

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Analizen me te sakte per politiken qe po ndjek Albin Kurti ndaj ceshtjes se komunave serbe, e ka permbledhur ne dy fjale analisti Daniel Server: Kurti ka te drejten, por nuk ka mundesine. Eshte pikerisht ky konstrast, qe ka nervozuar si Vucic edhe nderkombetaret. Vucic nervozohet se, duke e ditur qe Kurti nuk e ka mundesine qe te kontrolloje Veriun, megjithate vepron sikur ta kishte ate, dhe kjo nuk ka sesi te mos merret si nje provokim per te dhe serbet. Por kjo eshte vetem njera ane e nervozizmit te tij, ana tjeter, per ironi, eshte se edhe vete Vucic nuk e ka mundesine te beje ate qe ai thote ( kur kercenon per nderhyrje ushtarake).
Nderkombetaret nervozohen, jo vetem pse e shohin veprimin politik te Kurtit thjeshte si provokim, porse ky provokim behet nga shqiptaret, te vetedijshem se ne fund te fundit, barra e zgjidhjes se konfliktit do t'u mbetet atyre, nderkombetareve. Eshte nje loje nervash mes tre palesh, ku pala me e dobet sic eshte Kurti , provokon dy palet e tjera me te forta, Serbine dhe nderkombetaret; te dyja keto te zena ne kurthin e qendrimeve te tyre, nervozohen: Serbia duke kercenuar si perhere me perdorimin e forces dhe nderkombetaret qe ia thone troc te kete kujdes se mund te mos e kete mbeshtetjen e tyre.
Kurti ka te drejte, por rruga qe po ndjek per ta fituar kete te drejte eshte jo pak e rrezikshme. Duke mos e patur mundesine per ta fituar kete te drejte, ai ka zgjedhur kete menyre te vepruari, qe nuk ka sesi te mos merret si provokim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.