Hap garën në parti dhe mbath opingat e ik në shtëpi!

Postuar në 26 Maj, 2023 15:27

Në në deklaratë për shtyp sot, kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, deklaroi ndër të tjera se:

koalicioni “Bashkë Fitojmë” shpëtoi opozitarizmin

Patjetër që këtu kemi të bëjmë me një rast tipik të investimit të vetëdijshëm në somnambulizëm politik: opozita e drejtuar nga z. Berisha është ngritur e po ecën duke shpallur se është opozitarizmi. Dhe këtu tradhëton në fakt një të vërtetë të hidhur: kërcënimi kryesor i dyshes Berisha-Meta nuk vjen nga Edi Rama, që merr votat e veta, por nga vakumi përfaqësues që ka krijuar opozita aktuale e shumëfishuar tashmë në disa degë. PD-ja e Bashës dhe Lëvizja Bashkë, morën diku te 200 000 vota, shtuar këtu abstenimit të mbi 250 000 të tjerëve dhe llogaria del qartë.

Zoti Berisha është duke luftuar për të mbetur pikë referimi e opozitës, sepse diversifikimi që është faktik e relativizon atë dhe e çorienton më tej elektoratin që do të kërkojë rrugë të reja. Mirëpo era ka nisur tashmë dhe atë nuk e ndal dot as Odiseu që me shtatë hile dhe një trimëri, sërish u detyrua të hante dynjanë nja 10 vjet pasi e ceku disa minuta bregun e Itakës.

Z. Berisha e di shumë mirë këtë gjë tashmë; e mira do ishte që dikush që i ka provuar të gjitha, të mbathte opingat si i thonë një fjale, e të ikë sepse nuk e nxjerr dot në breg më as partinë e vet e lëre më opozitarizmin që e ka shitur sa herë ia ka dashur interesi, siç bëri kur mbështeti marrëveshjen e majit 2017. Të hapë garën në parti, e vetmja punë e mirë që mbetet për të bërë. 

s.zaimi

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Ka ndodhur nje masaker elektorale. Cdo argument qe shperfill kete fakt, eshte thjesht nje skutheri. Cdo argument qe mbeshtet tek statistikat e mbeshtetesit te shpallur te qeverise, Zaloshnjes, qesharakezohet vetvetiu. 100 mije ketu, 200 mije atje, 250 ketej, 350 pertej, te gjitha keto jane rezultate te KASAPHANES. Eshte pikerisht kjo kasaphane qe pshurr cdolloj statistike, qe ne fjale te fundit ka si synim shprehjen "fajin e ka Saliu".
Pervecse te marre me cdokusht fitoren, pushteti kishte per qellim edhe goditjen perfundimtare ndaj Berishes, me argumentin: humbi, ta ike! Pikerisht, kesaj po i meshojne cdo dite papushim aradha e pafundme e analistve bashibozuke dhe shejtanbudallenje, apo qofte edhe thjeshte budallenje. Padurimi qe qysh ne perballjen e pare, e aq me teper ne kushte qe ulerijne ne pabarazine e tyre, per t'i kerkuar largimin Sali Berishes, tradhton kete skutheri, kete mizerabilitet gazetaresk.
Fakt interesante, qe jo te gjithe i dine: Sali Berishes i eshte kerkuar doreheqja edhe ne vitin 1991, kur humbi perballe Ramiz Alise! Vazhdimisht, qe nga 1991, atij i eshte kerkuar doreheqja nga drejtimi i PD-se nga vete socialistet! Kaq te shqetesuar na qenkeshin keta socialiste per fatin e demokracise ne Shqiperi, sa edhe kryetarin e partise kundershtare duan ta zgjedhin vete!
Tri here ka qene ne pushtet PD-ja keto pas shembjes se regjimit; ose 12 vite nga 32 qe prej 1991-ishit; ne gjithe keto raste e drejtuar nga Berisha. Kjo eshte statistika e vetme e sakte, qe shpjegon furine antiberishiste. Te tjerat jane pallavra per demokracine qe edhe nje analfabet ka mesuar t'i thote tashme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.