Vendet e varfra, të braktisura në betejën me krizën globale të borxhit

Postuar në 19 Maj, 2023 15:23

Liderët e botës janë mbledhur këtë javë në Hiroshima për Samitin e G-7. Përfaqësuesit e vendeve më të pasura të botës do të diskutojnë mbi krizën globale të borxhit, ndërsa kriza e klimës është ende te dera.

Vendi më i varfër në planet është Malavi në Afrikë, me një popullsi pothuajse 20 milionë banorë. Së bashku me Zambian fqinje, vendi afrikan e ka parë ekonominë t’i përkeqësohet për shkak të pandemisë, rritjes së kostove të plehrave të importuara dhe karburantit më të kushtueshëm për shkak të luftës në Ukrainë. Me një inflacion që qëndronte në shkurt në nivelin 26%, qytetarët e Malavit mezi ia dalin të plotësojnë nevojat bazë, ndërsa qeveria është në bisedime për ristrukturimin e borxhit me kreditorët.

Sikur të mos mjaftonte kaq, në mars, Malavi u godit nga cikloni Freddy, i cili u mori jetën 1000 qytetarëve dhe la pa strehë mijëra të tjerë. Kjo fatkeqësi natyrore e rriti trefish çmimin e misrit. Ndërkohë që agjencitë e rating-ut e kanë ulur në 0.7 parashikimin për ekonominë malaviane, FMN dhe Banka Botërore janë prej dy vitesh në bisedime për ristrukturimin e borxhit.  

Ndërkohë që Malavi dhe vende të tjera të varfra përballen me krizën e borxhit, vendet e pasura nuk tregojnë gatishmëri për “t’u dhënë një dorë”.

Banka Botërore vlerëson se për të adresuar sfidat globale të ndryshimeve klimatike, konfliktit dhe pandemive, shpenzimet mesatare vjetore për vendet në zhvillim duhet të jenë 2.4 trilion dollarë midis 2023 dhe 2030. Kjo është 10 herë më shumë se sa shpenzojnë vendet më të pasura për këtë zë.

Edhe në takimet e këtij viti, vendet e G-7 nuk kontribuuan me shumë se 5 miliardë dollarë në vit për një periudhë 10-vjeçare, në formën e kapitalit të injektuar në Bankën Botërore.

Ndihma ndërkombëtare është tani një prioritet dytësor, pasi çështjet e brendshme dhe lufta e Rusisë në Ukrainë po dominojnë axhendat e vendeve të pasura. Por, ndërsa mbështesin demokracinë në Kiev, ata ndoshta po dështojnë në një sfidë edhe më të madhe - të dëshmojnë se demokracia dhe vendimmarrja demokratike mund të ofrojnë zgjidhjet që i duhen planetit.

Rritja e fondeve për atë që njihet si tranzicioni i gjelbër do t'i largonte vendet nga varësia nga karburantet fosile, duke i shërbyer efektivisht axhendës së klimës.

Më shumë fonde zhvillimi nga të pasurit për vendet e varfra do të prodhonin një rezultat pozitiv.

Në qershor, në Francë mbahet një samit për një Pakt të Ri Financiar Global, iku për herë të parë fokusi do të jetë krijimi i një sistemi financimi global që do të transferonte fondet në Jugun Global për të adresuar kostot e ndryshimit klimatik në vende të varfra si Malavi.

Pra, këto dy kriza janë të lidhura ngushtë. Pa rregulluar krizën globale të borxhit dhe varfërisë, nuk mund të bëhet asnjë hap në drejtim të adresimit të krizës së klimës, e cila në fund të fundit na kërcënon të gjithëve.

/ Me shkurtime nga Politico.eu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.