Presidenti gjerman u kërkon falje hebrenjve në përvjetorin e kryengritjes së Varshavës

Postuar në 20 Prill, 2023 09:48

Presidenti i Gjermanisë kërkoi falje për krimet e kryera nga vendi i tij në Luftën e Dytë Botërore, në përvjetorin e Kryengritjes së Getos së Varshavës. Frank-Walter Steinmeier, presidenti i parë gjerman që flet në ceremonitë përkujtimore në kryeqytetin e Polonisë, u bashkua me homologët e tij polakë dhe izraelitë për të shënuar 80-vjetorin e kryengritjes së hebrenjve kundër pushtuesve nazistë.

Jam sot para jush dhe kërkoj faljen tuaj për krimet e kryera nga gjermanët këtu”, tha Steinmeier.

Ceremonia zyrtare u zhvillua në Monumentin e Heronjve të Getos, i cili ndodhet në vendin e disa përleshjeve të armatosura të kryengritjes. Hebrenjtë e Varshavës e nisën revoltën e tyre të armatosur kundër nazistëve më 19 prill 1943, duke zgjedhur të vdisnin në luftë, për t’i shpëtuar dërgimit në një kamp vdekjeje.

"Ne duhet të kujtojmë",- tha presidenti izraelit, Isaac Herzog. “E keqja absolute ekzistonte në formën e nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Dhe e mira absolute ekzistonte në formën e viktimave dhe rebelëve, nga çdo komb”.

Rreth 7 000 hebrenj mendohet se kanë vdekur në beteja dhe 6 000 të tjerë në zjarret që trupat naziste i vunë getos. Nazistët e ngritën geton në një hapësirë prej pak më shumë se tre kilometra katrorë (1.2 milje katrorë) një vit pas pushtimit të Polonisë në vitin 1939. Gatoja e Varshavës ishte më e madhja e Luftës së Dytë Botërore. Shumë hebrenj vdiqën nga uria dhe sëmundjet, dhe shumica e atyre që mbijetuan u dërguan në kampin e vdekjes Treblinka në lindje të Varshavës. Në shpërthimin e kryengritjes, rreth 50 000 civilë ishin fshehur në bodrume dhe bunkerë në geto. Nazistët e shuan revoltën me brutalitet të jashtëzakonshëm dhe i vunë zjarrin duke e kthyer në rrënoja.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.