Mesazhi elektoral i fisnikërisë së Buxhetit

Postuar në 19 Prill, 2023 19:24

Ky foto-montazh mbahet në foto mbulim në Facebook e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Nuk do shumë mend kapësh mesazhin që ai mëton të përcjellë: shkretimi nga opozita, lulëzimi me shumicën.

Është një montazh propagandistik që rreket të kthejë në bindje dhe normë idenë se këto vite të qeverisjes socialiste ka patur zhvillim, madje nëse do interpretojmë drejtpërdrejtë do të thoshim se që të jetosh në këtë vend ka vetëm një rrugë: majtas. Me investitoren strategjike të bregdetit, ministren e Jashtëzakonshme dhe (Pa)Fuqiplotë në SPAK. Me kolegët e saj të buxhetit që janë në pararojë të paradës së ardhshme të SPAK.

Mirëpo mesazhi i konfiguruar nga socialistët e pemëve me lopatë në dorë ka një konotacion pardoksal sepse përkon me atë denoncimin global që i bëhet pikërisht pasojave të atij modeli zhvillimi që promovojnë kapitalistët e rinj të Partisë Socialiste. Është ai model zhvillimi që teksa premton dhe arrin zhvillim, në finale çon në shkretim për shkak të hipërpërdorimit të burimeve. Dhe shkretimin fillestar kjo Shqipëri e ka edhe falë kësaj qeverisjeje me ikjen e mijëra njerëzve. Ndonëse zonja Xhaçka premton lulëzim.

Padyshim që ikja nuk nisi tani, por sikundër problemet janë pasojë e një evolucioni social dhe vendimesh politike, ashtu edhe sukseset janë të tilla. Qeverisja socialiste e sotme ka rekorde në korrupsion përtej çdo kufiri të perceptuar deri më sot në vendin tonë, ndërkohë që ajo gjeti një Shqipëri që kishte bërë përpara megjithë gamën e problemeve të mëdha që kishte.

Sensi nihilist që përdoret këtu për opozitën e Sali Berishës dhe Ilir Metës është një make up i fundit për të mbuluar me lojë pasqyrash zullume që nuk kanë të sosur. Falet, tolerohet çdo gjë, pasurimi i ministrave me vila e salltanete duhet legalizuar me bahçen me lule që premton kjo fushatë, duke ecur përpara pa parë se çfarë po bëhet.

Mesazhe të tilla, edhe kur i apelojnë apo synojnë të kapitalizojë diskreditimin e dikujt, ndajnë. Nuk bashkojnë. Sepse në epokën e diskreditimit të gjithanshëm të politikës është e pacipë të pretendosh lojën “i miri, i keqi”. Kush e beson këtë montazh që përqesh mbarë Shqipërinë na maja e vilave dhe rezidencae të ministrave? Sepse Shqipëria që lulëzon djathtas fotosh është vetëm ajo e skotës së zonjës Xhaçka, fisnikëria e buxhetit. Jo e vërteta. Dhe një arsye më shumë për shkretimin total të besimit në këtë vend është edhe vota që jepet verbërisht për këtë parti, për njerëz si kjo ministrja e Jashtme, duke kthyer gënjeshtrën, vjedhjen, hilenë dhe uzurpimin në interes parësor. Nuk ka paqe sociale mbi këtë politikë dhe është kohë e humbur ta lidhësh këtë që po ndodh vetëm me dy emra.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.