Siguria kombëtare dhe marrëdhëniet mes shteteve në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

Postuar në 02 Prill, 2023 16:42

Në Tiranë është mbajtur këto ditë seminari me temë “Aksesi në Dokumentet Historike” me kontributin e Autoritetit të Dosjeve dhe në kuadër të një vizite të një delegacioni të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Gjatë këtij seminari, një fjalë e ka mbajtur edhe drejtuesja e Autoritetit, Gentiana Sula ka informuar se janë deklasifikuar 317 051 fletë dokumentacion, përveç 13 300 fletëve që u zbardhën gjatë muajit mars. Ndër të tjera Sula ka thënë se:

Me miratimin e ndryshimeve në ligjin 45/2022 në fund të vitit 2022, Kuvendi ka krijuar shtratin e nevojshëm ligjor për t’i dhënë një shtysë më të madhe hapjes së dhe aksesit tek dokumentet historike, në mënyrë që çështja e papërfunduar e shekullit të XX të mund të gjejë trajtim të përshtatshëm dhe mbyllje në aktualin.

Kështu, duke i konsideruar dokumentet e fondit të ish-Sigurimit të deklasifikuara me përjashtim të rasteve kur mund të cenohet siguria kombëtare apo marrëdhëniet me shtetet; parashikuar të drejtën e informimit për çdo individ; hequr pengesat në veprimtarinë verifikuese për zyrtarë e duke e shtrirë atë edhe tek zyrtarë të verifikuar nga komisione të mëparshme, është krijuar tashmë baza e nevojshme për garantimin e qasjes tek dokumentet historike, informimit të publikut, njohjes së historisë, e dukimit qytetar dhe vendimmarrjes së informuar

Tërheq vëmendjen fakti se ligjvënësi ka marrë parasysh sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet mes shteteve edhe për trajtimin e dokumentacionit të ish-Sigurimit të Shtetit, një paradoks ky formal që vjen ndesh me ligjërimin e normuar gati tashmë se Sigurimi i Shtetit ishte thjesht dhe vetëm një agjenci policore e Partisë së Punës në përmbushje të interesave të elitës së saj dhe asgjë më shumë.

Ne nuk e dimë nëse kjo dispozitë lidhet me aspekte reale dhe faktike të punës së Sigurimit, apo është një normë teorike që duhet në ligje të kësaj natyre. Nga ana tjetër, konsiderata për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet mes shteteve për një dokumentacion të tillë, pas 30 vjetësh të pushimit të aktivitetit të agjencisë fjalë tingëllon disi e pazakonshme, jo në kuptim të kodit të administrimit të informacionit sekret të këtij lloji, për të faktit se përveç zhbërjes së Sigurimit të Shtetit, ndryshoi edhe e gjithë struktura politike, objektivat dhe mënyrat e përmbushjes së tyre. Për më tepër që Shqipëria aderon në një organizatë kolektive mbrojtjeje, ku presupozohet se e shkuara komuniste përfaqëson një të dhënë historike pa implikime në aktualitetin në kuptim të sigurisë dhe relacioneve ndërshtetërore.

Ndaj mbetet interesant ky rregullim në fuqi që nënkupton se përtej të dhënave për qytetarët si subjekte të ndjekjes apo përndjekjes nga Sigurimi i Shtetit ka ende ndoshta në arkiva materiale që nëse vijnë në dritë e rikontekstualizojnë dokumentacionin dhe sferën e veprimit të shërbimit për të cilin është lënë pa filtër veprimtaria jashtë vendit.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.