Një nga dashuritë më emblematike dhe më të stuhishme në historinë e kinemasë

Postuar në 20 Shkurt, 2023 16:04

 

Marcello Mastroianni dhe Catherine Deneuve u njohën për herë të parë në vitin 1970 në darkën e organizuar nga miku i tij, regjisori Roman Polanski në shtëpinë e vet në Paris. Në tryezë rrinin kundruall njëri-tjetrit. Deneuve në atë kohë ishte veçse 27 vjeçe. Para pesë vitesh pat bashkëpunuar me regjisorin polak në filmin “Repulsion”. Kur u njohën, Mastroianni qe 46 vjeç dhe përpiqej të rigjente veten pas dashurisë së stuhishme që kishte me Faye Dunaway - një tjetër bukuroshe -  me të cilën qe njohur në vitin 1968, gjatë xhirimeve të filmit “Amanti”. Pas lidhjes së tyre dyvjeçare, Dunaway e braktisi pasi donte të krijonte familje dhe ai nuk ishte i gatshëm të merrte divorc nga e shoqja.

Catherine Deneuve, pavarësisht se qe shumë më e re se ai, kishte mjaft përvoja dashurore, të cilat i kishin lënë gjurmë. Kur ishte 16 vjeçe, njohu 17 vjeçarin Johnny Hallyday në provat e filmit  “Le Parisiennes” dhe sipas versionit italian të Marie Claire, ndonëse historia e tyre qe e shkurtër, ringjallej sporadikisht për dhjetëvjeçarë të tërë. Më pas, erdhi në jetën e saj Roger Vadim, i cili para se të njihej me Deneuve, kishte dy martesa të mëparshme me Brigide Bardot dhe Annette Stroyberg. Bashkë bënë dhe një djalë, Kristianin. Në vitin 1965 u martua me fotografin David Bailey me të cilin u divorcua në 1972. Në atë kohë, Marcello Mastroianni  ishte njëzet vjet i martuar me aktoren e teatrit Flora Carabella, me të cilën kishte një vajzë, Barbara. E dinte gjithkush që nuk ishte besnik, por nuk mjaftohej me peripeci të shkurtra dashurie apo net rastësore pasioni. Jetonte lidhje paralele, të stuhishme, që nuk i mohonte, zgjasnin kohë dhe s’mund të mbeteshin të fshehta në publik - çka e bënte akoma më të vështirë për bashkëshorten e tij të pranonte marrëdhëniet jashtëmartesore të të shoqit.

Madje thuhet, që kur Dunaway e ndau, Mastroianni i kërkoi të bijës së tij ta merrte në telefon dhe t’i lutej që ta rimendonte. Dashuria e Mastroiannit me Deneuve nuk ishte colpo di fulmine. Disa muaj më vonë regjisorja Nadine Trintignant thërret Deneuve që të luajë në filmin “Ça n’arrive qu’aux autres”, që flet për trishtimin e thellë të një çifti, kur u vdes e bija nga një sëmundje e rrallë. Aktorja franceze, i propozoi regjisores të marrë për rolin e mashkullit, Marcello Mastroiannin.

Gjatë xhirimeve, u afruan shumë me njëri - tjetrin dhe u dashuruan marrëzisht. Por, aktori refuzoi të ndahej nga bashkëshortja e tij. Në fillim e mbanin marrëdhënien të fshehtë, ndonëse brenda një kohe të shkurtër, filluan të qarkullonin zëra për një marrëdhënie jashtëmartesore (më tepër) të yllit të kinemasë italiane dhe bukuroshes elegante franceze. Katër muaj pas idilit të tyre, ajo mbeti shtatzanë.

Sipas revistës italiane “lo Donna”, Deneuve dhe Mastroianni donin shumë të kishin një fëmijë bashkë. Bashkëpunëtorja e Mastroiannit, Giovanna Cau, gjatē një interviste të saj në “Interview” tha, që aktori i cili qe gjithmonë i sinqertë me të shoqen, kur i bëri të ditur që priste fëmijë me Deneuve, ajo u tërbua. Ndonëse Flora Carabella i duronte peripecitë e të shoqit - qëndruan të martuar gjer në vdekjen e tij, në vitin 1996, pavarësisht marrëdhënieve të tij jashtëmartesore - shtatzaninë e Catherine Deneuve s’mund ta duronte. Cau thotë, që ajo e kërcënoi se do t’i thyente një vazo në kokë nëse fëmija do të ishte djalë, e ndikuar nga stereotipet e kohës.

Kështu në vitin 1972, lindi Chiara Mastroianni

"Nuk kam jetuar kurrë me të dy prindërit e mi, asnjëherë. U ndanë kur isha dy vjeçe, ndaj dhe nuk i mbaj mend si çift. Nuk i kam parë as të shkëmbenin ndonjë puthje - vetëm nëpër filma”, tha Chiara Mastroianni për "The Guardian". Duke qenë fryt i dashurisë së dy legjendave të kinemasë, ishte e pritshme që edhe ajo të ndiqte të njëjtën traditë dhe të merrej me kinema, por edhe me muzikë.

Ndarja e Marcello Mastroianni me Catherine Deneuve

Ndonëse sipas një thënieje të njohur, të kundërtat tërhiqen, ishin kaq të ndryshëm mes tyre, saqë pas një marrëdhënieje katër vjeçare u ndanë. Ai ishte paksa “dembel”, i pëlqente gjumi dhe jeta e mirë, ndërsa ajo ishte hiperaktive dhe e vendosur. Duke marrë parasysh dhe diferencën e madhe të moshës dhe faktin që Mastroianni nuk divorcohej nga e shoqja, ndarja e tyre ishte e pashmangshme.

Jam poligamik dhe dashnor egoist - madje jo shumë i mirë. Çështja është, që unë do të desha t’i bëja të gjitha të lumtura, ky është qëllimi im. Ndihemi “të gjallë”, por kur do shumë, në fund s’të mbetet asnjë”, tha Marcello Mastroianni kur ishte i ftuar në emisionin e David Leterman në 1987, kur gazetari e pyeti për lidhjet e tij pasionante paralelisht gjatë kohës që ishte i martuar. Marrëdhënia e tyre mori fund në vitin 1974, pa shumë detaje nga të dyja palët. “Jeta jonë e përbashkët përfundoi, pa sukses”, do të thoshte shumë vite më vonë Deneuve gjatë një interviste në një emision italian. “Për atë unë isha shumë gjermane. Ai shumë dembel, unë shumë aktive. Lodhej edhe kur më shihte duke ecur në një dhomë”. Do mbeten ama miq shumë të mirë, deri në fund të jetës së Mastroiannit në 1996, i cili vdiq nga kancer në pankreas. Deneuve e mbështeti gjatë kohës së sëmundjes, bashkë me vajzën e tij Barbarën ( e cila u nda nga jeta në 2018-n) dhe bijën e tyre Kiarën, si dhe partneren e tij të fundit, Anna Maria Tatto.

Burimi: bovary.gr

Përktheu: Eleana Zhako

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Në 1970 Catherine Deneuve ka qenë 27 vjeç, jo 17.
Ka lindur në 1943.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.