Po Ilir Metën e pranon PS-ja sërish?

Postuar në 30 Dhjetor, 2022 16:52

Agron Çela tradhton Ilir Metën, drejt bashkimit me PS

Ja titulli i gazetës "Tema" që bashkon një individ me një parti, nën një kontekst entuziast që na thotë se: iku edhe një nga Ilir Meta.

Këto lëvizje janë lojë e vjetër në politikë. Kanë ikur e ardhur të gjithë nga diku. Me KOP-in në vitin 20025, Berisha mblodhi të ikurit prej tij që u riafruan sapo ndjenë erën e kockës së pushtetit.

Për ta kuptuar më mirë se çfarë përfaqëson kjo lloj sorollatjeje shërben një shembull. Gjinushi, që sot ka për parti Akademinë e Shkencave, por dikur kishte PSD-në, të cilën ia shiti Tom Doshit, ishte ndër ata politikanë që pati më shumë largime nga subjekti i vet. Në një ndër bisedat e tij, Gjinushi shprehej se të vetmin rast që kishte kuptuar dhe mirëkuptuar për largimin ishte ai i Teodor Laços, që i ishte shprehur paraprakisht se: unë jam pro projektit të Kushtetetutës së vitit 1994. Dakord, iku për një qëndrim parimor. Të tjerat janë ikje, o për ambicie personale, o për mëri, apo për karrierë, ose për pazare.

Kjo e Çelës mund të jetë parimore, fundja nuk kemi të drejtë t’i heqim kujt të drejtën e iluminimit në çdo moshë, por duhet thënë si e tillë. Duhet sqaruar edhe pse bëhet një shkëputje. Por shikoni se çfarë raporton Albanian Post e Baton Haxhiut mbi këtë rast që është specifik sepse lidhet me ambicien personale të z. Rama për të kapur bashkinë e Shkodrës, ku socializmën e jugut nuk e kanë honepsur ndonjëherë:

Me shkëputjen kësisoj nga PL-ja, Çela mbetet si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe gjasat më të mëdha janë që ai të kalojë për nga radhët e Partisë Socialiste.

Së pari, sepse ideologjikisht, atë nuk e lidh asgjë me Partinë Demokratike dhe së dyti, edhe për një miqësi të hershme me deputeten socialiste, Elisa Spiropali, e cila ushtron edhe detyrën si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Kjo e fundit, është edhe drejtuese politike e qarkut Shkodër për Partinë Socialiste mbi të gjitha

Tani të flasësh për lidhje ideologjike në vitin 2022, me partitë shqiptare që janë asgjë më shumë se kofinë buxheti, kjo është të tallesh keq me ata që e njohin këtë vend.

Së dyti, media e Baton Haxhiut po na tregton këtu një goxha lajm: Elisa Spiropali rezulton të jetë rekrutuesja ideologjike e Agron Çelës dhe përtej faktit se Haxhiu këtu po nxjerr në sipërfaqe vlerat e Elisës që ka kaq shumë të tilla, është shumë problematike për logjikë që shkak për këtë tronditje të jetë Spiropali.

D.m.th z. Çela edhe sikur të jetë kështu për arsye të dinjitetit të vet politik nuk mund të lejojë që lajmi të serviret kështu se është e tepërt. Por ndoshta nuk duhet t’i marrim shqiptarët e këtij shekulli kaq seriozisht xhanëm.

Nga ana tjetër lëvizje të tilla, tektonike do thoshte ndonjë që është i specializuar për ekuacionin politik “një hyn një del, një Spiro një Vangjel », sugjerojnë si pyetje të arsyeshme : po nëse Ilir Meta kërkon të hyjë në PS, e pranojnë ? Sepse ne po shohim që këta që merren me biznesin e politikës nuk kanë as din e as iman, as cipë e as pacipë, janë kufiza të interesave të veta që aderojnë sipas rastit në çdo mexhlis që u leverdis. Në thelb jemi një parti, me disa seksione, diçka si Milicia Fashiste e Musolinit, ku u mblodhën nën uniformë dhe me autonomi të gjithë ish-gangsterët e fashizmit revolucionar të cilët luanin teatrin personal në provinca, i hakërreheshin Duçes, që si zgjidhje u gjeti kapelen e zezë mbi krena.

s.zaimi

Comments

Submitted by Meksimilian (not verified) on

Kush eshte ky Batoni dhe ca media ka? Na i sqaroni keto gjera vellezer se po vdesim injoranta. Edhe per Nastradinin kur shkruhet per te thuhet kush ishte, cfare bente ne jete. Amani bre se nuk i kemi te gjithe ne lagje

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.