Muzikë e njëjtë: Negociata, ose nëse duan luftë, vazhdojmë

Postuar në 22 Dhjetor, 2022 22:33

  Vendet e G7 kanë njoftuar akordimin e një ndihme financiare prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, duke bërë kështu fakt kundërvënien e unifikuar ndaj Rusisë. 

Ky vendim, së bashku me vizitën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy në ShBA, përmbushin kushtet për ta klasifikuar konfliktin aktual si mes Rusisë dhe Perëndimit. Nuk dihet se çfarë do të rezervojë historia, por në kushtet e tanishme është thuajse e paimagjijueshme që edhe një fitore e Rusisë të mund të ndikonte në pajtimin ruso-ukrainas. 

Termat e angazhimit në terren sa vijnë dhe shtohen dhe kjo është bërë e qartë nga presidenti rus, Putin, i cili gjatë një konference për shtyp foli edhe për furnizimin e Ukrainës nga ShBA me sistemin Patriot. 

Sistemi Patriot e zgjat konfliktin, por ai është i vjetër. Nuk funksionon të themi si sistemi ynë S-300. Po e quajnë sistem mbrojtës, këtë do ta mbajmë shënim. Nuk do të organizojmë ndonjë provokim. Por Rusia po i fuqizon kapacitetet strategjike. Armë të reja do të prezantohen në janar. Dallimi mes nesh dhe atyre që na kundërvihen është se ushtria ukrainase është një kompleks industrial, nëse jo tërësisht i boshatisur, po lëviz shpejt drejt zbrazjes

ka thënë ai. 

Putin ka deklaruar se Rusia dëshiron të mbyllë sa më shpejt konfliktin dhe se kjo arrihet me dialog dhe negociata, që sipas tij duhet ta kuptojnë edhe ukrainasit. 

Një qëndrim i tillë sinjalizon qartë se Kremlini nuk ka ambicie makismaliste në Ukrainë dhe se Donetsku me Krimenë janë vija e kuqe, diçka që do të kishte kuptim të diskutohej nëse do të vihej në balancë kostoja e luftës. Mirëpo aktualisht të dyja palëve u duhet një fitore ose një marrëveshje që rikthen ekuilibrin. 

Nga ana tjetër problemi strategjik që krijohet këtu është riintegrimi i Rusisë në relacion me Europën pas luftës, për shkak se konflikti ku po investojnë të gjithë, përcakton drejtimin e politikës së jashtme nesër. Nesër do të jetë një Rusi ndryshe, e cila me shuplakën e hidhur në Ukrainë mori një fitore të vyer strategjike: ajo pa veten në pasqyrë dhe hoqi iluzionet për avantazhet e veta. Lufta ka vënë në axhendë reforma reale të paktën në sferën e sigurisë dhe ka zbuluar se cilat janë kostot zinxhir të një sipërmarrjeje që rezulton aventurë. 

Propaganda në Perëndim ka riaktivizuar imazhin dhe stereotipin e një Rusie imperialiste, agresore, me të cilën nesër do duhen disa parakushte për të diskutuar. Sinjali i Presidentit francez se “nuk e sheh Ukrainën në NATO”, është një përpjekje për ta mbajtur derën hapur, duke ardhur ndesh edhe me pretendimet e samitit të Bukureshtit. Por në realitetin e fakteve në terren, Kremlini do të quajë të stabilizuar gjeopolitikën e vet pas një marrëveshjeje me ShBA për atë që e quan sfera europiane.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.