Dhurata për të huazuar e anglishtes

Postuar në 16 Dhjetor, 2022 15:44
Danica Salazar - Leksikografe në Oxford Languages

 

Kush e zotëron gjuhën angleze? Përgjigja për këtë pyetje nuk është më thjesht "anglezët". Sipas shifrave të fundit të British Council, anglishtja “flitet në një nivel të dobishëm” nga rreth 1.75 miliardë njerëz. Në këtë popullatë anglofone nuk janë vetëm qindra miliona që flasin anglishten si gjuhë të parë, por edhe qindra miliona të tjerë që e flasin atë si gjuhë të dytë ose të huaj në vende të ndryshme të botës.

Anglishtja u përhap në të gjithë globin kryesisht si rezultat i imperializmit, pasi gjuha u imponua në kolonitë britanike në Azi, Afrikë, Australi dhe Amerikë. Kur këto ish-koloni arritën pavarësinë, shumë prej tyre zgjodhën të ruanin përdorimin e anglishtes, zakonisht për ta përdorur si gjuhë kryesore e punës dhe mjet neutral komunikimi për popullatat e ndryshme. Ndërsa vende të tilla si India, Nigeria, Afrika e Jugut, Xhamajka dhe Singapori e miratuan anglishten si gjuhë, ato njëkohësisht edhe e përshtatën atë - duke bërë ndryshime të rëndësishme në shqiptimin, gramatikën dhe fjalorin e saj, dhe duke krijuar variante të reja, që tani kolektivisht njihen si anglishtja botërore.

Sot, mbizotërimi i anglishtes si gjuhë e shkencës, teknologjisë, biznesit, diplomacisë dhe argëtimit u ka dhënë shumë njerëzve në mbarë botën një nxitje të fortë për ta mësuar këtë gjuhë. Nga Brazili në Korenë e Jugut, nga Spanja në Indonezi, miliona njerëz po mësojnë anglisht dhe njëkohësisht po lënë gjurmën e tyre në zhvillimin e saj.

Fjalori anglez i Oksfordit (OED) ka dokumentuar shumë nga fjalët që këto komunitete të reja të anglishtfolësve kanë shtuar në fjalor. Shumë nga këto fjalë janë huazime nga gjuhë të tjera, me të cilat anglishtja është në kontakt të vazhdueshëm, të tilla si lepak (të bredhwsh pa qëllim) nga malajzishtja, deurmekaar (e hutuar, e ngatërruar) nga afrikanishtja, kaveera (qese plastike) nga Luganda dhe whāngai (fëmija i birësuar dhe vetë birësimi si proces) nga maori, të cilat mund të jenë të panjohura për anglishtfolësit britanikë, por janë fjalë karakteristike për anglishten malajziane, anglishten e Afrikës së Jugut, anglishten ugandase dhe anglishten e Zelandës së Re.

Folësit e varianteve botërore të anglishtes po rikrijojnë fjalorin e saj për të shprehur më mirë identitetin, kulturat dhe realitetet e tyre të përditshme. Në Hong-Kong, njerëzit përdorin shprehjen (add oil - shto vaj) si shfaqje inkurajimi ose mbështetjeje, një shprehje e përkthyer fjalë për fjalë nga gā yáu kantoneze, që i referohet benzinës së injektuar në motor. Në Filipine, shumë shtëpi kanë një dirty kitchen (kuzhinë të pistë), e cila në fakt nuk është një kuzhinë e pistë në kuptimin e parë të fjalës, por një kuzhinë jashtë shtëpisë ku bëhet pjesa më e madhe e gatimit – një komoditet i nevojshëm në një vend tropikal ku është më mirë të shmangni nxehtësinë dhe aromat në ambiente të mbyllura. Në Nigeri, një mama put është një banak ushqimi rruge dhe emri i tij vjen nga mënyra se si klientët e tij zakonisht porosisin ushqim: ata i thonë "Mama, put (hidh) ..." gruas që punon në tezgë dhe tregon pjatën, ku duan t’u hidhet ushqimi.

Ndërkohë, japonezët e kanë shpikur dhe koreano-jugorët e kanë popullarizuar fjalën skinship, një përzierje e fjalëve skin (lëkurë) dhe kinship, e cila i referohet kontaktit të ngushtë fizik midis prindit dhe fëmijës ose midis të dashuruarve ose miqve.

Në fushatën Gift of Words të Oxford University Press këtë vit, ne u kemi kërkuar njerëzve që flasin më shumë se një gjuhë të "dhurojnë" një fjalë nga gjuha e parë në gjuhën e tyre të dytë dhe anasjelltas. Përgjigjet që kemi marrë deri më tani nxjerrin në pah edhe më shumë fjalë që folësit shumëgjuhësh anglezë mendonin se duhej t'i huazonin nga gjuhët e tyre të tjera për mungesë të një ekuivalenti të drejtpërdrejtë në anglisht: fjalë të tilla si saudade (mall nostalgjik) nga portugalishtja, gezellig (një ndjenjë komoditeti dhe ngrohtësie njëkohësisht) nga holandishtja, nomakanjani (të bëhet ç’të bëhet) nga gjuha Zulu dhe apapacho (dashuri, rehati) nga Nahuatl nëpërmjet spanjishtes.

Ti konsiderosh këto fjalë të huazuara "dhurata" është një riformulim i rëndësishëm, pasi shumë e vlerësojnë pastërtinë gjuhësore mbi diversitetin dhe i konsiderojnë ndikimet e jashtme një kërcënim për integritetin e një gjuhe. Por kjo është në kundërshtim me mënyrën se si funksionon gjuha, pasi huazimi i fjalëve është pjesë e evolucionit natyror të të gjitha gjuhëve të gjalla. Anglishtja shquhet veçanërisht për aftësinë e saj për të thithur elementë nga gjuhë të tjera dhe fjalët e huazuara të përmendura më parë bashkohen me një mori të tjerash që anglishtja i huazoi nga norvegjishtja e vjetër, frëngjishtja normane, latinishtja dhe greqishtja e lashtë shumë më herët në historinë e saj, duke përfshirë fjalë bazë si p.sh. veza, moda, universi dhe ekonomia.

Në kundërshtim me besimin popullor, shumëgjuhësia dhe jo njëgjuhësia është norma, ndërsa raporte të ndryshme vlerësojnë se midis 60% dhe 75% e popullsisë globale mund të flasin më shumë se një gjuhë. Në një botë kaq shumëgjuhëshe, të ndërlidhur në mënyrë digjitale, ku gjithnjë e më shumë njerëz bashkohen nga interesat dhe qëllimet e përbashkëta dhe jo thjesht nga afërsia gjeografike, shkëmbimi i fjalëve midis gjuhëve dhe kulturave është përshpejtuar.

Ndryshimi i qëndrimeve tona ndaj shumëgjuhësisë dhe variacionit gjuhësor është jetik për të luftuar paragjykimin gjuhësor, i cili bën që njerëzit të diskriminohen për shkak të mospërdorimit të fjalëve "të duhura" ose për të folurin me theksin "e gabuar". Pavarësisht faktit se ata kanë kontribuar në pasurimin e anglishtes, shumë folës të varieteteve të ndryshme nga anglishtja standarde britanike ose amerikane ende e shohin veten të vënë në lojë ose humbin mundësitë arsimore ose profesionale pasi u mohohet në mënyrë efektive e drejta për të përdorur gjuhën e tyre në mënyrën që ata duan.

Vetëm kur ne ndajmë pronësinë e anglishtes dhe e përqafojmë gjuhën në të gjithë diversitetin e saj, ajo mund të jetë vërtet një dhuratë nga e cila mund të përfitojnë të gjithë.

Burimi: The Guardian

Përkthimi: Gazmira Sokoli

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Sot, ne Shqiperi kemi "kolonizim" te mendimit dhe gjuhes shfaqur ne menyre flagrante nga mediat.
Kemi "vipat" fodull qe me arrogance perdorin fjale angleze vend e pa vend, jane ne gare me njeri - tjetrin se kush e kush do te fuse ndonje "pyke" angleze ne fjali. I pari qe mban stafeten dhe flamurin per bastardimin e gjuhes shqipe me in inglizma eshte Ardit Gjebrea qe pasohet nga kengetaret e rrok -tallavase, shto edhe injorantin e vetshpallur guru Ermal Mamaqin qe me anglishten e tij te cale "double-dutch" kerkon tiu jap mend shqiptareve se si te behen edhe ata te pasur (multimillionaire) si ai. I cili nepermjet portokallise u gdhi nje mengjes te bukur I pasur, sikurse koleget e tij te emisionit Bes Kallaku dhe i biri i Luftarit, Gazmendi.

Nje baterdi e papare ne gjuhen shqipe nga moderatore e te ftuar, thuaj se neper shtepia nuk flasin shqip, thuaj Londra e Washingtoni jane ne Bathore e Kamez, apo i kemi fqinje.
Keta showmen- a tregojne se sa poshte kane rene nga te menduarit, se si kasta ku ata bejne pjese jane kolonizuar verberisht dhe paraja ua ka erresuar syte. Jane bere sikur raxhate e Indise, duke jetuar ne "ghetto" t e tyre lluksoze , te shkeputur nga prinderit e tyre dikur fshatare dhe pabuksa qe akoma gjuhen shqipe e flasin me dialektin fshataresk dhe krenohen me bijte e tyre te pasur (shumica nga Sorosi).

Sa here shoh e degjoj keta kllouna mediatik qe e kane bastarduar gjuhen shqipe dhe jane ne gare se kush e kush fut me shume fjale angleze, them me vete; "jemi bere me keq se Indianet e Bombeit" qe 3 fjale i flasin ne dialektin provincial e dy ne anglisht duke iu mburrur low cast -ve se jane high cast dhe ka nje hendek te madh midis tyre.

Keta qe kemi sot ne Tirane neper media, jane ata borgjezet e dikurshem qe Enver Hoxha ua shtypte kokat duke i syrgjynosur sa ne Bedat e sa ne Rreshen. Duhet t'i dergoj dikush keta barkderra neper fshatra qe te shohin se sa e bukur eshte gjuha shqipe dhe se sa te pa kolonizuar nga mendja jane shqiptaret puro, te varfer por te mrujtur ideologjikisht nga pastertia morale e mendore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.