U vodhën të dhënat, çështja u mbyll. Ndalohen tre fotografë, cenohet siguria!!! Vrasjet në mes të ditës? Normale

Postuar në 21 Gusht, 2022 13:30

Lexoni çfarë thotë ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, siç e citojnë atë media të ndryshme:

Është nevojë urgjente ndërtimi i një Agjensie të Sigurisë Kombëtare e cila t’i shqyrtojë dhe ndjekë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Sigurinë Kombëtare.

Jemi i vetmi vend në botë që ka një Këshill të Sigurisë Kombëtare aspak funksional dhe fatkeqësisht çështjet e sigurisë i trajtojmë në mënyrë diletante

Tani, ne e kemi të qartë se çfarëdolloj gjëje të bëni spiunët e shpallur të Rusisë në Gramsh më shumë dëm sesa aksidenti teknologjik i Gërdecit nuk do bënin për shkak të infrastrukturës teknologjike aty dhe dendësisë së popullsisë. Kush beson se tre njerëz në postobllokun e një uzine që nuk dihet çfarë statusi operacional ka dhe që ende nuk është dhënë me koncesion, do na kujtojë për të rivlerësuar sigurinë tonë kombëtare, është ose tuhaf, ose malinj.

Shqipërisë iu aksesua baza e të dhënave dhe doli në treg dhe z. Mediu që sot bërtet për siguri nuk bëri propozime të tilla. Shqipërisë i dolën rrogat dhe të dhënat në Pazar e sërish nuk foli kush për siguri kombëtare. Po çfarë do të thotë Siguri Kombëtare xhanëm? A jemi ne të sigurtë që sigurinë tona ta ketë ky apo Edi Rama në dorë? Që nuk dinë të interpretojnë gjë tjetër për sigurinë veç rreshtimit të verbër me amerikanët?

Por ta lëmë mënjanë këtë se ndoshta është politikë e thellë e nuk e kuptojmë mirë. Kush e kërcënon jetën tonë sot? Mirëqenien, ecjen para? Mikhaili me dy shokët e vet, apo krimi që po bën kërdinë, që është në pushtet? Kush janë më të rrezikshëm: tre të ashtuquajtur agjentë rusë që madje u neutralizuan jo nga SHISH, por nga rojet e postbllokut, apo ministra që vënë njerëz për të rrahuar të tjerë që u janë antipatikë?

Siguria kombëtare në këtë vend ka vetëm një objektiv real: KRIMIN DHE HAJDUTËRINË NË KARRIGE. Nëse Rusia apo ndonjë vend tjetër do kishin synime vërtet që ta bënin çorap këtë vend, do të mjaftoheshin ta linin siç po ecën se drejt greminës të lumtur e të sigurtë po shkojmë të gjithë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.