Dalin "sekretet" e djalit serioz të Bankës së Shqipërisë me hotel "Dajti"

Postuar në 04 Gusht, 2022 17:57

Një shkrim i publikuar nga BIRN, zbulon praktikat e Bankës së Shqipërisë për një procedurë të shumëpërfolur siç është rikonstruksioni i hotel “Dajtit”. Sipas raportimit në fjalë, Banka e Shqipërisë, nën pretekstin ligjor të sekretit bankar, nuk ka pranuar të informojë se në proces e sipër është ndryshuar zbatuesi i projektit për shkak se kompania fituese është në procedurë falimenti. Historia e këtij sekreti të shenjtëruar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, mund të kuptohet edhe përmes këtij pasazhi:

Të dhënat dhe dokumentet e siguruara nga BIRN nga burime të tjera tregojnë se tenderi për rikonstruksionin e ndërtesës u fitua nga kompania italiane e ndërtimit “C.G.F Construzioni Generali s.p.a’ në bashkëpunim me shoqërinë lokale ‘AD-STAR’ sh.p.k.

Por italianët falimentuan një vit më pas dhe në skenë hyri një kompani shqiptare, e regjistruar në Tiranë nga një shtetase italiane me të njëjtin emër – “C.G.F Construzioni Generali s.p.a sh.p.k’, rrokadë që sipas ekspertëve, shkel rregulloren e prokurimit të Bankës së Shqipërisë.

“Nëse një kompani është zgjedhur mbi bazën e dokumentave të rregullt, të një procesi të rregullt dhe gjatë rrugës ajo falimenton, atëherë prokurimi duhet të ndërpritet dhe të rishpallet gara,” tha Selami Xhepa, profesor ekonomie në Universitetin Europian të Tiranës, ndërsa shtoi se zëvendësimi i kompanive kontraktore është “plotësisht i parregullt nga pikëpamja ligjore.”

E pyetur nga BIRN mbi procedurën e zëvendësimit të fituesit të tenderit, Banka e Shqipërisë refuzoi të komentonte.

“Çdo praktikë e jona klasifikohet sekret bankar deri në përmbylljen e plotë të procedurës,” insistoi ajo nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Pronari i kompanisë shqiptare ‘C.G.F Construzioni Generali shpk’, Halim Saliu ishte më i hapur. Ai i tha BIRN se nuk kishte rëndësi nëse kompania e tij ishte apo jo degë e kompanisë italiane.

“Kur Banka e Shqipërisë ka arritur të ruajë cilësinë, çmimet, gjithçka dhe të merreni me një devijim të tillë?” u ankua ai. “Nuk mund të quhet shkelje kur nuk ka dëm për xhepat e shqiptarëve, më habit kjo mënyra si ju gjykoni,” shtoi Saliu.

Ndërkohë, drejtuesi i kompanisë ‘AD-STAR’ sh.p.k, Alfred Çoma i tha BIRN se kompania e tij kishte pasur një rol të vogël në tender.

“Unë kam qenë në konsorcium me kompaninë italiane dhe kam patur një pjesë të vogël të punimeve, vetëm 10%,” tha Çoma, ndërsa shtoi se pjesa tjetër i takonte kompanisë italiane.

“Kemi qenë më tepër për rregullimin e fasadës, sepse aty është specialiteti i biznesit tim, në fushën e restaurimeve arkeologjike,” shtoi ai.

Kur BIRN i vuri në dukje se kompania italiane kishte falimentuar, Çoma deklaroi se nuk i kujtohej se kush ishte kompania me të cilën kishte bashkëpunuar.

“Nuk më kujohet se ka kaluar kohë,” tha ai, ndërsa shtoi se i ka dorëzuar punimet.

Komedia me Guvernatorin shumë serioz të Shqipërisë, vijon si më poshtë:

Sipas një dokumenti të Gjykatës Civile të Romës, ‘C.G.F Construzioni Generali s.p.a’ – firma italiane që rezultoi fituese në tenderin me vlerë 16 milionë euro, hyri në proces falimenti më 20 qershor 2018. Tre muaj pas regjistrimit të kërkesës për faliment në Gjykatën e Romës, në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri është paraqitur një shtetase italiane e quajtuar Martina Lorenzetto, e cila ka bërë kërkesë për të regjistruar kompani me emër të njëjtë – ‘C.G.F Construzioni Generali s.p.a Sh.p.k’, me një kapital themeltar prej 1 mijë lekësh.

Kompania u regjistrua dhe pas disa muajsh vendosi si objekt dhe adresë dytësore kantierin e ish-Hotel Dajtit. Lorenzetto nuk rezulton të ketë lidhje direkte me kompaninë italiane ‘C.G.F Construzioni Generali s.p.a’, e cila ka pasur si aksionere kompaninë ‘FIMCA Holding srl’.  Martina Lorenzetto nuk rezulton në asnjë post të këtyre shoqërive, qoftë në bord, qoftë në administrim apo drejtimin e firmës.

Sipas të dhënave të bilanceve, kompania nuk ka kryer punë në vitin 2018 dhe 2019 dhe rezulton pa të ardhura, ndërsa shpenzimet kanë qenë vetëm për pagat e punonjësve. Në vitin 2020, arkëtimet nga rikonstruksioni i godinës së ish-Hotel Dajtit ishin 350 mijë euro dhe fitimi 50 mijë euro. “C.G.F Construzioni Generali’ sh.p.k ka në organikën e saj 27 punonjës, numri i së cilëve u rrit eksponecialisht gjatë vitit të pandemisë 2020.

Një vit pas regjistrimit në Shqipëri, kompania në pronësi të italianes Lorenzetto heq nga emri i saj titullin s.p.a. Në nëntor 2020, firma i shitet për 1 mijë lekë shtetasit shqiptar Halim Saliu, i cili më parë rezulton si i punësuar pranë së njëjtës kompani si punëtor përgjegjës në ndërtim.

Saliu i tha BIRN se në regjistrimi i kompanisë me të njëjtin emër në Tiranë nga ana e Lorenzettos ishte thjesht një gabim burokratik.

“Nga dita që është dhënë kontrata ka një gabim procedurial, që ata nuk kanë hapur filial, kanë hapur një degë në Shqipëri dhe ky është i vetmi gabim që kanë bërë ata,” pretendoi ai.

Pyetja që ngrihet është: ky djali serioz i Bankës di gjë për këto? Sepse ky ngre e ule normë interesi, ka në dorë stabilitetin makro e mikro, firmos e vulos për gjëra të mëdha. Më tepër sesa kjo që ndodh në mes të ditës e që të kujton “Pallatin e Sulos” në Vlorë, ka rëndësi hapja e Bankës së Shqipërisë, dhënia prej saj e informacionit konform ligjit sepse paratë aty nuk janë të atyre që punojnë. Është qesharake dhe gati e ligë mbrojtja e thatë e BSh-së me sekretin bankar për çdo gjë, edhe pë reklamat online, ndërkohë që është për të qarë që me mbarë të drejtën e informimit të tallet edhe Gent Sejko. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.