Brut-inti

Postuar në 01 Gusht, 2022 16:53
Skerdilajd Zaimi

 

Në rrjetet sociale është krijuar një lloj pështjellimi, deklamuar si shqetësim patriotik mbi disa qëndrime të Richard Hodges, studiues britanik i antikitetit në Mesdhe. Gjullurdinë ne e kemi himn kombëtar në paralelin teorik mbi Butrint e lart, meqenëse Butrinti është shembulli më i qashtër i rregullit urban dhe vizionit estetik që na mungon.

Kësaj radhe kaos-skopi u provokua nga Auron Tare, i vetëshpallur si shef i shërbimit dixhital për luftën kundër pikëpamjeve antishqiptare, pavarësisht se çfarë janë këto të fundit. Z. Tare ka marrë gërshërët e duke prerë video nga leksionet Hodges i prezanton nën një kontekst ndërsyes për veshët e pafajshëm të shqiptarëve që u kujtuan në vitin 2022 se “Butrinti është i yni e s’e lëmë për be të na ikë”.

Në një leksion Hodges thotë se në vitin 1913 Shqipëria politike u krijua me vendim nga Fuqitë e Mëdha, duke përdorur përkfuzimin “vend artificial”. Kaq ka mjaftuar që shtrëngimet në gjoks për këtë mungesë natyraliteti historik të shpërthejnë gjithë shqetësim. Videoja është postim i 24 korrikut dhe ndoshta kjo shpjegon edhe rënien e numrit të turistëve në Bregdet, meqenëse për të dëgjuar e shqyrtuar çështje të tilla të duhet angazhim.

Po ku qëndron mëkati i Hodges aty? Shqipëria politike është një vend artificial sepse asnjëherë në histori nuk ka patur një formacion politik me këtë shtrirje territoriale. Kush ka lexuar materiale të historiografisë shqiptare për mënyrën sesi u negociuan kufijtë, sesi Prizreni u la për Shkodrën nga austriakët, apo sesi Saranda u përfshi në Shqipëri nisur nga konsideratat e Shtabit Italian për të mos lënë kanalin e Korfuzit nën një shtet, sesi evoluan hartat dhe sesi edhe u kalua nga formulimet juridike të shtetit në deklarimin politik, e kupton se çfarë farse po gatuhej.

Ky ishte ndër ato vendime tipike që u panë edhe në Lindjen e Mesme dhe që provokuan si në Ballkan konflikte të vazhdueshme.

Kjo nuk është një tezë antihistorike, as edhe shprehje e një antishqiptarizmi, të cilën z. Hodges nëse e ka, duhet t'ia gjurmojnë gjetiu. Jo në këtë pasazh.

Në librin e tij për Butrintin, por edhe në leksionet e veta dallohet qartë se Hodges ka një venerim për qytetin antik, të cilin e lidh me qytetërimin greko-romak.

E ashtuquajtura arkeologji shqiptare, të cilën z. Tare tashmë ka marrë përsipër ta ngrejë në piedestalin e vlerës shkencore botërore të paktën për tezën e autoktonisë dhe vijimësisë iliro-shqiptare, për Butrintin është kufizuar të shprehet se “fillesat e tij nuk janë helene”, por pa shkuar më tej, pas atij që e quan pushtim nga kolonët grekë.

Por çfarë ishte Butrinti para Teatrit të tij nëse do flasim me sytë e atij që e admiron sot? Pa kullën veneciane, vilat romake e kështu me radhë? Qytetërimi që sot përlavdërohet aty e ka të qartë identitetin dhe kontekstin, të mos bëjmë sikur nuk kemi sy në ballë. 

Është po ashtu pa vend kontekstualizimi i një kritike të Hodges për qëndrimet e arkeologjisë shqiptare për vijimësinë iliro-shqiptare gjatë kohës së Enver Hoxhës. Sepse edhe në lëmin e vijimësisë dhe autoktonisë, teza e shkencës shqiptare ka në fakt një karakter kritik më tepër sesa afirmativ. Ajo merret gjerë e gjatë me zhvlerësimin e tezave të të tjerëve në dritën e gjetjeve arkeologjike, sikundër u mor gjuhësia me afirmimin e vijimësisë përmes neutralizimit të hipotezave alternative.

Edhe sot që flasim vijimësia iliro-shqiptare është ende në rrafshin e njërës prej hipotezave, ndaj të vësh kujën se këtu po na vjedhin historinë, është në fakt të thuash të kundërtën: pra se dua të dëgjoj historinë që më pëlqen e që e kam parë në filmat shqiptarë. Dihet se mes britanikëve ka një fill filo-helen, në sensin e admirimit estetik, historik, e filozofik për atë qytetërim. Po a është mëkat një gjë e tillë? Dhe nëse Butrinti i Përjetshëm siç e ka quajtur Hodges rrezaton atë kulturë, pse duhet kjo t’i bëjë hije krenarisë sonë? Apo identitetit tonë? Se kështu thotë dikush në Facebook?

Problemi këtu është me disa figura të arkeologjisë dhe shkencës që lejohet të përdoren për skena populizmi si këto, pasi me Butrintin në fakt duhet parë se çfarë po synohet të vidhet si pasuri, nëse me hapësirën e parkut (jo sitit) do të abzuzohet dhe jo se Richard Hodges do të na manipulojë të vërtetën e gjetjeve.

Duhet të mbajmë mend mirë një paradoks të cilin shpesh duam të bëjmë sikur nuk e shikojmë: flasim për 500 vjet obskurantizëm otoman, por rrënojat që sot duam t’i bëjmë tokë e zanun nuk na i prekën. Jo aq shumë sa prekim ne vetë sot p.sh të gjithë katalogun e artit ikonografik dhe pasbizantin, të lënë në mëshirën e fatit.

Butrinti dhe Apollonia u zbuluan nga të huaj, me financime të huajsh, sikundër studimet e para etnologjike e gjuhësore u bënë prej të huajve të tjerë, që popullarizuan gjetjet e tyre për interesa të shteteve përkatëse. Një herë këta i shpallëm imperialistë, pastaj fashistë, më vonë armiq të betuar të Shqipërisë, duke harruar fare që të tregohemi pak më të përmbajtur: në fund të fundit, askush nuk po mohon ekzistencën tonë. E as e ka mohuar. Problemi ynë themelor është me aderimin në Qytetërim dhe këtë problem ne e dëshmojmë fare mirë edhe me këto lëngata dixhitale që as zgjidhin gjë, por vetëm e shtojnë aciditetin e uthullës së padijes të cilën i rrëfejmë vetes si mitin e vetëm të vërtetë të kësaj bote.

Comments

Submitted by efendem (not verified) on

Me ler te them qe ne krye te radhes keta dy personazhe jane Hane Shane, Hane Bagdat : Hodges eshte nje studiues akademik arkeolog qe ka punuar dhe punon ne fushe. Tare eshte nje Skenderbegas qe duke lidhur dy tre pika ne moshe te vone ju duk se mund te bente akademi dhe historianin, lere arkeologun pastaj.
Une e kam njohur Hodges personalisht dhe pavaresisht se ironik dhe me nje sarkazem te mprehte eshte erudit dhe shume kerkues, pra kompet nivel tjeter, dhe shume i komunikueshem.
Pastaj mos haro qe behet fjale per vitin 1999 kur ai punonte ne Butrint dhe vertet qe ato kohe ishin ku therriste qameti per gjithe shqiptaret. Dhe akademiket e mirfillte mezi flisnin nje gjuhe tamam ... nejse retorika.
Hodges ju a priste drute e shkurtra dhe me shume te drejte, si ne menaxhimin e fondit te dhuruesave angleze po dhe ne aspektin shkencor ku Tare as e kishte idene fare se ishte thjesht roja i Butrintit me seli tek shtepia e pionierit ne Sarande.
Ne keshtu themi per Britaniket Filo helene, keshtu prape per gjermanet qe krijuan helenet e sotem dhe jane te magjepsur me kulturen helene (se mu kujtua dhe Otto King qe coi kampionet greket ne Euro 2004 qe ishte i dhene koke e kembe pas helenizmit).
Mqs permende dhe otomanet, aty ne butrint jane dhe shenjat e tyre, ai vend eshte abuzuar me shume nga ne shqiptaret se sa te huajt.
Po ne e kemi ne mode te gjejme qimen tek tjetri e te mbajme traun mbi shpine.

Submitted by dori (not verified) on

Nuk eshte rasti per te bere nje te tille shkrim alla Peizazhe te Fjales. "Konteksti" nga eshte nxjerre videoja eshte i qarte; dhe nuk ka te beje vetem me etiketimin "shtet artificial", te cilin meqe ra fjala mund ta themi ne per veten tone, por merr tjeter kuptim kur na e thone te huajt. Aty thuhet se ne ate zone nuk ka patur shqiptar, por greke, te cilet jane perzene qe andej me krijimin e ketij "shteti artificial"; pikerisht , kjo eshte shume e rende. Mirepo, moda e kozmopolitizmit na qenkesh kaq e forte, sa nuk te le mundesine te veresh nje gje kaq te qarte.
Ne krahasim me ate strehen (vorfnore) te nacionalizmit, per te cilen eshte edhe ajo shprehja famekeqe, streha e kozmopilitizmit eshte shume luksoze; eshte kjo arsyeja se pse keto 30 vite shume intelektuale shqiptare, e kane braktisur strehen e varfer nacionaliste, dhe po popullojne kete luksozen te kozmopolitizmit.

Submitted by Aqif (not verified) on

Para 8 viteve isha per pushime ne Ksamil, ne nje Hotel te vogel dhe shume mikprites e modest. 2 jave. Pergjat kohes u miqesova me nje bujtes, tiranas qe bashke me vajzen e tij (te dy arkeolog) dhe dy kolege te tjere anglez punonin ne Butrint.

Nje dite ne muhabet e siper tiranasi qe nuk ia kujtoj dot emrin, ( njeri shume I mire) me tha se jo vetem Butrinti por edhe vende arkeologjike te tjera ne Shqiperi jane demtuar tej mase .....
Une, si me ironi e pyeta: "ke fajesoni"? Ai me thote: " sundimin osman"!
Me beri te qesh dhe ia kthej: " I nderuar, si archeolog duhet te njohesh mire edhe rrjedhen historike. Qyterimet para Osmane, kalate Osmane dhe old cities me hamamet qe osmanet ngriten kudo vetem ne Shqiperi jane rrenuar apo egzistojne pak. Ne Bosnje turisteve iu interesojne vetem otoman old cities e jo keto te rejat,1997 qe rrenoi gjitshka.... Ai me ndrrpret e thote "I bene barbaret ". I them: " me the osmanet".
I them: "sikur osmanet te kishin rrenuar qyteterimet byzantine e romake, ato do te kishin rrafshuar Akropolis, qyteterimet bizantine Brenda ne Turqi qe I ruajne me fanatizem....." Ne fund i them se : "keto i ben vetem shqiptaret qe vazhdojne dhe i bejne, sic bejne me kalane e Vil Bashtoves qe e rrenuan duke i vjedhur guret per shtepi e shume te tjera si ajo e Sarandes.....

Jemi te vetmit qe fajesojme te huajt per gjithshka.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.