Ndahet nga jeta aktori Anastas Kristofori (VIDEO)

Postuar në 02 Shkurt, 2022 17:56

Aktori Anastas Kristofori është ndarë sot nga jeta në moshën 79-vjeçare. Kristofori lë pas një larmi rolesh, si në skenën e Teatrit, edhe në ekran.

Ai lindi më 28 nëntor 1943 në Vuno të Vlorës. Pasi mbaroi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970, Kristofori iu bashkua trupës profesioniste të Teatrit Popullor në vitin 1971.

Ndër rolet më të spikatura të tij janë ai i zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli i sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti”, Apostoli në dramën “Komunistët”, Perikliu në komedinë “Pallati 176” e shumë të tjera.

Në kinematografi, Kristofori hyri për herë të parë në vitin 1976, me rolin e Stavrit, në filmin “Lulëkuqet mbi mure”. Ky rol do të pasohej nga shumë të tjerë si: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982, roli i z. Antonio në filmin “Vendimi” në vitin 1984, roli i z. Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj.

Kristofori do t’i rikthehej rolit të Perikliut sërish në vitin 1998, në kinodramën “Po vjen Ai”, një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176”. Në vitin 2014, ai do të ngjitej sërish në skenën e Teatrit, për rolin e Tim, në "Liri në Bremen". Për punën e tij, Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.