(de?)Natyralizohet politika e SHBA. Fshihen fjalët 'demokraci' e 'të drejta'. Thjesht: Basha është i yni!

Postuar në 13 Janar, 2022 00:14

Lulzim Basha kërkoi ndihmë dhe ajo erdhi. Zëri i Amerikës ka intervistuar sot fytyrën e re amerikane për krizën shqiptare, zv.ndihmës sekretarin e Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.

Në parantezë po vëmë në dukje se përgjigjet e z. Escobar vijnë me nje shqipe për amerikanët, aq formale, në numër shumës, neutrale thuajse fare, si një gjuhë jo e dikujt që është i lëmuar në zejet e veta, por e një indiferenti që reciton. Është shqipja korrekte e politikave korrekte të një shteti që pretendon se ka monopolin e moralit në botë.

Përtej kësaj, ja vlen të hiqen mënjanë dy pasazhe nga përgjigjet e z. Escobar. Së pari kur ai flet për Berishën:

U takon votuesve të përcaktojnë se në ç’pozitë janë partitë politike në Shqipëri. Është për të ardhur keq që megjithëse ne e konsiderojmë Partinë Demokratike një partner të rëndësishëm në Shqipëri, jo gjithkush që pretendon se është anëtar i Partisë Demokratike është një partner i rëndësishëm i yni në këto momente.

Përsa i përket rikthimit, nuk jam i sigurt se është tamam ashtu. Është e mundur që ai të ketë mbështetës. Por unë do t’u tërhiqja vëmendjen atyre që mendojnë se fakti…Mundet që ai të ketë shumë mbështetës…Por nuk dua të flas për Berishën

Çka do të thotë se zoti Escobar, në një dalje tipike prej zyrtari amerikan, po na thotë se mbështetësit nuk kanë vlerë përkundrejt interesit amerikan. Pra u takon votuesve, por ato duhet të jenë syçelët se çfarë vendosin, duke injoruar fare hapur faktin se nëse votuesit nuk e duan Bashën në krye të PD-së, kjo pak i intereson SHBA që e do Bashën aty ku është. Edhe pse atë e ka vendosur Berisha si ushtarin e vet. Demokracia për të cilën SHBA na ka mëkuar në këto 30 vjet pluralizëm është fjalë e likujduar në fjalorin e këtij zyrtari. Me pamjen e një shefi kuzhine në konkurs gatimi, z. Escobar përcakton madje edhe se çfarë quhet një opozitë e shëndetshme, pavarësisht se kush voton:

Unë besoj se çdo vend evropian, ashtu si edhe vendi ynë duhet të ketë një opozitë të shëndetshme. Besoj se Partia Demokratike aktuale e ofron një gjë të tillë. Unë kam një marrëdhënie të mirë me zotin Basha. Kështu që do të thoja se ajo që po ndodh në rrugë nuk reflekton në të vërtetë atë që është tani Partia Demokratike. Kështu që shpresoj që votuesit të kuptojnë, që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje

Mund të merret me mend se për çfarë niveli po kemi të bëjmë dhe se çfarë rëndësie ka vërtet Shqipëria që trajtohet këtu me tonin e një bisede në kazino. Zoti Escbar ecën edhe më tej kur flet për të ardhmen e ndritur të Shqipërisë, duke ngritur megjithatë gishtin e këshillës: mos gaboni të dashur shqiptarë!

Dua të flas për të ardhmen e Shqipërisë dhe të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Tani Shqipëria është një nga aleatët më të fortë dhe më të rëndësishëm që kemi në rajon. Marrëdhëniet tona në të gjitha aspektet, politike, strategjike, ushtarake dhe madje edhe ekonomike po rriten më shpejt se çdo marrëdhënie tjetër në rajon. Ne duam ta mbajmë të tillë. Kjo është e ardhmja. Nëse njerëzit, përfshirë përkrahësit e tij duan të shohin prapa, u takon atyre (të vendosin). Por ne shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se Shqipëria ka një të ardhme shumë të ndritur përpara, nëse vazhdon në rrugën që po ecën, që është një orientim i fortë euroatlantik

Nëse kjo është e ardhmja e ndritur dhe nëse Escobar është profeti i saj i radhës, atëherë mjerë ne! Lulzim Basha nuk është as e ardhmja e vetes në politikë dhe këtë e ka provuar disa herë. Si vallë duhet që të besohet një politikë e një shteti të fuqishëm që nga një anë flet për partneritet strategjik, minon kuadrin demokratizues për të cilin ka investuar aq shumë duke përkrahur liderë që ndërmarrin akte personale dhe nga ana tjetër me një mendjelehtësi të çuditshme thonë se u takon njerëzve të vendosin.

Intervista është një lëmsh logjik me inkoherenca të mëdha, por nuk është e vështirë të merret vesh mesazhi në bazë: Basha është njeriu ynë pavarësisht se çfarë bën. Edhe Rama.

Kjo politikë nuk kundrshtohet veçse me forcë, pasi me fjalë dhe procedurë është e qartë se asgjë nuk ndryshon.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.