Po veprojmë ende me parimet e Versajës

Postuar në 27 Tetor, 2021 06:47

Kjo është një intervistë e sociologut të njohur, Zygmunt Bauman, publikuar më 2016-ën në spanjollen “El Pais”. Ndonëse disa gjëra kanë ndryshuar, vërejtjet e përcjella në të mbeten të paktën si probleme: kriza e tanishme është krizë e demokracisë, institucioneve të saj, se ne epokën e individualizmit komunitetet po asgjësohen dhe se mediat sociale po konsolidojnë këtë prirje. Në finale diçka që provohet hidhtazi: kushdo që premton ndryshimin nuk duhet besuar nëse nuk propozon dhe nuk ka një vizion të botës që po do të sjellë. Ndryshimi siç u përjetua – edhe këtu te ne me Rilindjen – thjesht vuri në diskutim autoritetin e mekanizmave të së shkuarës, por pa arritur të krijojë një autoritet të ri.

***

Intervistoi: Ricardo de Querol

Ju e keni përshkruar pabarazinë si një “metastazë”. Është demokracia nën kërcënim?

Ne mund ta përshkruajmë atë që po ndodh si një krizë të demokracisë, kolapsi i besimit: besimi se liderët tanë nuk janë vetëm të korruptuar apo budallenj, por të paaftë. Veprimi kërkon fuqi, të jesh i aftë të bësh gjëra dhe ne kemi nevojë për politikë që është aftësia për të vendosur se çfarë duhet bërë. Por martesa mes pushtetit dhe politikës në duart e shtetit komb ka marrë fund. Pushteti është globalizuar, por politika është po aq lokale sa më parë. Politikës i janë prerë duart.

Njerëzit nuk besojnë më në sistemin demokratik sepse ai nuk i mban më premtimet e veta. Po e shohim këtë p.sh me krizën migratore: është një dukuri globale, por ne vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të kufizuar. Institucionet tona demokratike nuk u projektuan për të përballuar situatat e ndërvarësisë. Kriza e tanishme e demokracisë është një krizë e institucioneve demokratike.

Në cilin drejtim po shkon penduli që ju përshkruani mes lirisë dhe sigurisë?

Këto janë dy vlera që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u pajtuar me njëra-tjetrën. Nëse do më shumë siguri, do të duhet të lëshosh një sasi të lirisë; nëse do më shumë liri, do të duhet të heqësh dorë nga siguria. Kjo dilemë ka për vazhduar përgjithmonë. Dyzet vjet më parë ne besonim se liria kishte triumfuar dhe nisëm orgjinë e konsumizmit. Çdo gjë dukej e mundur duke marrë borxh: makina, shtëpi...dhe për këto paguaje më vonë. Këmbana e 2008-ës ishte e hidhur, sapo kreditë mbaruan. Katastrofa, kolapsi social që pasoi goditi veçanërisht klasat e mesme duke i zhytur ato në një situatë të pasigurtë ku edhe mbeten ende: ato nuk e dinë nëse kompania e tyre do të bashkohet me një tjetër dhe ata do të pushohen nga puna, ata nuk e dinë nëse ajo çfarë kanë blerë u përket me të vërtetë...Konflikti nuk është më midis klasave, por mes çdo personi dhe shoqërisë. Nuk është vetëm mungesë sigurie, por një mungesë lirie.

Ju thoni se progresi është një mit, sepse njerëzit nuk besojnë më se e ardhmja do të jetë më e mirë se e shkuara.

Ne jemi në një periudhë boshllëku të autoritetit, mes një kohe kur kishim siguritë dhe një tjetre kur mënyrat e vjetra të të bërit të gjërave nuk vlejnë më. Nuk e dimë se çfarë ka për t’i zëvendësuar. Ne po eksperimentojmë me mënyra të reja të të bërit të gjërave. Spanja provoi të vinte në pikëpyetje gjëra përmes lëvizjes 15M, kur njerëzit okupuan hapësirat publike, me argumentimin se po përpiqeshin të zëvendësonin procedurat parlamentare me një lloj të demokracisë së drejtpërdrejtë. Kjo nuk zgjati. Politikat e kursimit do të vijojnë, askush nuk mund t’I ndalojë, por ato mund të jenë relativisht efektive për gjetjen e mënyrave të reja të të bërit të gjërave.

Keni argumentuar se me gjasë 15M dhe lëvizja globale “Occupy” dinë si ta pastrojnë rrugën, por jo sesi të krijojnë diçka solide.

Njerëzit I lënë mënjanë për një farë kohe dallimet mes tyre në hapasirat publike për një qëllim të përbashkët. Nëse synimi është negativ, për t’u acaruar me dikë, ka më shumë shanse për sukses. Në një mënyrë mund të ketë qenë një shpërthim solidariteti, por shpërthimet janë shumë të fuqishme dhe jetëshkurtra.

Ju po ashtu besoni se për nga natyra e tyre, nuk ka vend për lidership në koalicionet që bashkojnë të kundërtat.

Është pikërisht për të pse lëvizjeve të tilla u mungojnë liderët që të mund të mbijetojnë, por është po ashtu pikërisht kjo arsyeja pse atyre u mungojnë liderët që të mund të kthejnë sensing e tyre të qëllimit në veprim.

Në Spanjë, lëvizja 15M ndihmoi në krijimin e forcave të reja politike.

Ndryshimi I një partie për një tjetër nuk ka për ta zgjidhur problemin. Problemi nuk është se partitë e kanë gabim, por se ato nuk kontrollojnë gjërat. Problemet e Spanjës janë pjesë e një problemi global. Është gabim të mendosh se mund t’i zgjidhësh gjërat së brendshmi.

Çfarë mendoni për projektin e pavarësisë së Katalonjës?

Unë mendoj se ne po ndjekim ende parimet e Versajës, kur edhe u sanksionua ideja e të drejtës së vetëqeverisjes së kombeve. Por kjo është një fiksion në botën e sotme ku nuk ka më territore homogjene. Sot, secila shoqëri, është thjesht një koleksion diasporash. Njerëzit u bashkohen shoqërive ndaj të cilave janë luajalë dhe paguajnë taksat, por në të njëjtën kohënuk duan të heqin dorë nga identieti i tyre. Lidhja mes vendit ku jeton dhe identiteti është këputur. Situata në Katalonja, sikurse në Skoci apo Lombardi, është një kontradiktë mes identitetit tribal dhe qytearisë(si nënshtetësi). Ata janë europianë, por nuk duan të flasin në Bruksel përmes Madridit, por përmes Barcelonës. E njëjta logjikë po shfaqet thuajse në çdo vend. Ne po ndjekim ende të njëjtat parime të vendosura në fund të Luftëssë Parë Botrore, por ndërkohë në botë kanë ndodhur shumë ndryshime.

Ju jeni skeptik për mënyrën sesi njerëzit protestojnë përmes medias sociale, i ashtuquajturi “aktivizëm i kolltukut” dhe thoni se interneti po na budallalleps me argëtim të lirë dhe bajat. Po thoni se rrjetet sociale janë opiumi i sotshëm për njerëzit?

Çështja e identiteti ka ndryshuar nga të qenit diçka me të cilën lind në një detyrë: ti duhet të krijosh komunitetin tënd. Por komunitetet nuk krijohen dhe ti ose ke një të tillë, ose jo. Ajo çfarë rrjetet sociale mund të krijojnë është një surrogato. Dallimi mes një komuniteti dhe një rrjeti është se ti përket një komuniteti, por një rrjet të përket ty. Ti ndihesh se ke kontrollin. Mund të shtosh miq nëse do, mund t’i fshish ata nëse do. Ti je në kontroll të njerëzve të rëndësishëm me të cilët lidhesh. Si rezultat, njerëzit ndihen pak më mirë, për shkak se vetmia, braktisja është frika e madhe në epokën tonë individualiste. Por është po ashtu kaq e lehtë të shtosh apo heqësh miq në internet saqë njerëzit nuk arrijnë të mësojnë aftësitë e vërteta sociale, për të cilat ke nevojë kur del në rrugë, në punë, ku gjen shumë njerëz për të cilët ke nevojë të hysh në ndërveprim të ndjeshëm.

Papa Françesko, i cili është një njeri i madh, e dha intervistën e parë pasi u zgjodh, tek Eugenio Scalfari,  një gazetar italian që është po ashtu një ateist i vetëshpallur. Ishte një shenjë: dialogu i vërtetë nuk është të flasësh me njerëzit që besojnë të njëjtat gjëra me ty. Media sociale nuk na mëson të dialogojmë sepse është kaq e thjeshtë ta shmangësh kundërvënien…Por shumica e njerëzve e përdorin median sociale jo për t’u bashkuar, jo për të hapur edhe më tej horizontet e tyre, por për të kundërtën, për të krijuar për veten një zonë rehatie ku të vetmet zëra që ata dëgjojnë janë jehonat e zërit të tyre, ku të vetmet gjëra që ata shohin janë pasqyrimet e vetë fytyrës së tyre. Mediat social janë shumë të dobishme, ato ofrojnë kënaqësi, por ato janë një kurth.  

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.